MENU
klinika

Nikos Kotzias

“Greqia, fushatë në BE për çeljen e negociatave për Shqipërinë”

16.11.2021 - 12:49

Nga Nikos Kotzias “Kathimerini

Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje zhvillimeve globale dhe rajonale, në mënyrë që të mund të identifikojmë me maturi dhe qetësi ndryshimet, mundësitë, por edhe problemet strategjike që lindin. Humbja e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, krijoi përshtypjen tek shumë udhëheqës në rajonin tonë, se ata mund t’i shprehin me më shumë lehtësi tendencat e tyre revizioniste.

Kjo pasi rreziku që t’i ndalë makineria ushtarake amerikane, është shumë më i vogël nga sa ishte 20 vjet më parë. Dhe kjo gjë po shfaqet më dukshëm po shfaqet në Bosnje. Nga njëra anë, Republika Srpska po synon ta zgjerojë autonominë e saj përballë shtetit qendror të Bosnjës.

Nga ana tjetër, kroatët po tregojnë se nuk dëshirojnë të ndihen më të dominuar nga komuniteti mysliman, siç ka ndodhur deri më sot. Po kështu, ka një agjitacion të shtuar nga ana e serbëve të Kosovës. Këto divergjenca, shoqërohen me tendenca të forta nacionaliste në shumicën e shteteve të rajonit.

Ndërkaq, ekziston edhe rreziku i qartë i tensionimit të mëtejshëm të marrëdhënieve kosovaro-serbe. Të parët nuk po i respektojnë marrëveshjet lidhur me komunat serbe, ndërsa të dytët refuzojnë që të njohin realitetin e situatës në terren. Nacionalizmi bullgar, është edhe më i fortë, duke promovuar ëndrrat për një “Bullgari të Madhe”.

Këtu aspekti interesant është se grupimet nacionaliste dhe ekstremiste në Greqi po e mbështesin këtë lëvizje, qoftë edhe vetëm sepse ajo po e kundërshton Marrëveshjen e Prespës. Nacionalizmi ka një prani të konsiderueshme edhe në Shqipëri, ashtu siç ka edhe brenda grupeve të caktuara në Kroaci.

Një përgjegjësi serioze për këto fenomene, si dhe për përforcimin e përgjithshëm të faktorëve destabilizues në rajon, e ka Bashkimi Evropian. Udhëheqja e saj, ka dështuar të jetë në lartësinë e këtyre sfidave dhe e ka braktisur politikën e saj të integrimit të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë qëndrimin se pa shtetet e Ballkanit Perëndimor, BE-ja nuk mund të quhet një njësi e vërtetë dhe e plotë gjeografike.

Brukseli nuk ka zhvilluar një plan alternativ, për të thelluar marrëdhëniet mes rajonit dhe BE-së, apo për ta mbështetur atë financiarisht. Për më tepër, vendet anëtare të BE-së në Evropën Juglindore, nuk po shfaqin ndonjë interes apo shqetësim real, në një kohë që qeveria greke duket e paaftë që të zbatojë politika me ndikim për rajonin.

Ajo kufizohet vetëm në disa truke publicitare. Zhvillimet politike në rajon, së bashku me çështjet e brendshme politike, çuan në dorëheqjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev (ai njoftoi dorëheqjen pas rezultateve të dobëta të partisë së tij në zgjedhjet lokale të muajit të kaluar, por më vonë deklaroi se do të qëndrojë në detyrë, derisa të stabilizohet situata politike).

Megjithatë, arsyeja kryesore e aktit të tij, është se BE-ja nuk mbajti asnjë nga premtimet e saj, dhe u tregua e paaftë, në raport me detyrat dhe problemet gjeopolitike të rajonit. Zaev bëri kompromise të vështira me Greqinë, për t’i dhënë popullit të tij një perspektivë të afërt evropiane.

Këto perspektiva shtypën dhe nënshtruan nacionalizmin sllavo-maqedonas, një forcë që kundërshtoi çdo lloj zgjidhje në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë së Veriut. Për më tepër, pranimi i Maqedonisë së Veriut në BE, do të kishte lejuar bashkëjetesën e pakicës shqiptare në një kuadër më të gjerë institucional, diçka që do të kufizonte grindjet e brendshme midis dy komuniteteve më të mëdha, dhe do të pengonte planet për një “Shqipëri të Madhe”.

Fatkeqësisht, qeveria greke vazhdon që t’i shohë me apati këto zhvillime. Ajo nuk ka bërë asnjë lëvizje të vetme thelbësore, për të kundërshtuar inercinë e shfaqur nga BE-ja, dhe ndaj skemave “më të mëdha nacionaliste” në rajon.

Gjithçka e përmendur më lart, lehtëson ndërhyrjen në rajon të lojtarëve agresivë si Turqia. Duke shfrytëzuar forcat politike që varen prej saj, Ankaraja u përpoq që të ndihmonte në rrëzimin e Zaev. Qeveria greke, duket se nuk i kupton plotësisht dallimet që ekzistojnë mes një qeverie të VMRO-së, të mbështetur nga Turqia, dhe asaj të Zaevit, që ra dakord me Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit.

Fatkeqësisht, siç e dimë që të gjithë, politika e jashtme greke nuk e ka më peshën e veçantë që kishte disa vite më parë. Ndaj qeveria greke duhet të organizojë menjëherë një fushatë informative ndërkombëtare, për të diskutuar mbi zhvillimet në rajon dhe rreziqet që po krijojnë ato, si dhe të kërkojë që Bashkimi Evropian të hapë sa më shpejt negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai duhet ta bëjë këtë, pasi vetoja bullgare është një justifikim dhe jo thelbi i çështjes. Po ashtu Greqia duhet që ta bindë Francën, e cila me të drejtë po ndërmerr disa ndryshime institucionale në një BE tashmë të zgjeruar, se negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të fillojnë menjëherë, pasi korniza për të përfunduar procesin, do të vijë pas një afati kohor të arsyeshëm të realizimit të ndryshimeve institucionale në union.

Qeveria greke duhet të zbatojë Marrëveshjen e Prespës dhe dispozitat e saj (përfshirë mbledhjet dhe komitetet e përbashkëta institucionale). Në veçanti, ajo duhet të krijojë komitete të veçanta, si ato që kërkohen për markat tregtare apo tekstet shkollore.

Gjithçka tregon se qeveria aktuale, nuk duket se e kupton që në marrëveshje ka detyrime, të cilat nuk ishin dhe “aq të dëshiruara” nga Maqedonia e Veriut. Udhëheqja e Shkupit do ta shohë me kënaqësi mungesën e vullnetit politik, për të mos zbatuar pjesë të marrëveshjes, sidomos ato që nuk ishin zgjedhje e saj.

Për më tepër, qeveria greke duhet të regjistrojë dhe denoncojë në Kombet e Bashkuara të gjitha shkeljet e marrëveshjes nga anëtarët dhe degët e partisë VMRO. Përdorimi i emrit ilegal “Republika e Maqedonisë” nga 8 kryetarë të komunave të sapozgjedhur, nuk duhet nënvlerësuar.

Duhet që disa njerëz të pamatur në Athinë ta kuptojnë, se fakti që forcat nacionaliste në Maqedoninë e Veriut nuk e duan Marrëveshjen e Prespës, dhe e detyruan Zaev të japë dorëheqjen, është një shenjë se marrëveshja ishte gjithçka tjetër përveçse një “tradhti” nga ana jonë.

Nëse nuk do të ishte e tillë, do të ishin ata që do ta ruanin me fanatizëm marrëveshjen. Athina duhet të ratifikojë ende dhe 3 memorandume të pazgjidhura me Maqedoninë e Veriut. Qeveria duhet t’i paraqesë ato në parlament sa më shpejt të jetë e mundur.

Opozita duhet të jetë e përgjegjshme, dhe duke pasur parasysh shenjat e përhapura të destabilizimit në rajon, nuk duhet që ta shohë këtë çështje me shpresën se do të përfitojë një avantazh taktik.

Përkundrazi, ajo duhet të kontribuojë në promovimin e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, për të ndihmuar në shmangien e forcimit të fuqive më agresive në rajon. Për mua ka vetëm një përfundim:Nga të gjithë ne kërkohet të jemi të përgjegjshëm dhe seriozë mbi këto çështje.

Nga fansi i Putinit tek “Dr. Oz”

Më të rrezikshmit në kabinetin e Donald Trump

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!

SPD në krizë: Olaf Scholz apo Boris Pistorius

Cilin do të zgjedhin kancelar në zgjedhjet e 23 shkurtit?