MENU
klinika

Një vit ulje page deri në 40%

ILD kërkon hetim disiplinor për magjistraten e Elbasanit

16.11.2021 - 13:28

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka përfunduar hetimin disiplinor për magjistratën Pajtime Fetahu, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Në njoftimin e ILD-së, i kërkohet KLGJ-së të pranojë kërkesën për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistrates Fetahu dhe caktimin e masës disiplinore për ulje të pagës deri në 40 për qind për një vit.

ILD thekson se veprimet e kryera nga ana e magjistrates cenuan prestigjin e figurës së gjyqtarit, duke cënuar besimin e publikut te drejtësia.

Magjistratja ka një vjetërsi në detyrë prej 28 vitesh si gjyqtare, tregues ky i njohjes shumë të mirë të saj mbi rolin e ushtrimit të detyrës me etikë dhe disiplinë të magjistratit, si dhe mbi kujdesin dhe vetëpërmbajtjen, që magjistrati duhet të tregojë në funksion të perceptimit të publikut për paanshmëri në ushtrimin e funksionit. Pavarësisht eksperiencës së gjatë të saj në detyrë, gjyqtarja ka cënuar parimin e panshmërisë në gjykim, duke krijuar perceptimin e një zgjidhje pozitive për çështjen dhe jo për zgjidhjen e drejtë të saj”, thuhet në njoftimin e ILD-së.

ILD, bën me dije se veprimet e magjistrates janë kryer me dashje në mënyrë të përsëritur me dy qytetarë të ndryshëm të paraqitur në zyrën e saj, në momente të ndryshme.

Në njoftimin për mediat, theksohet se gjyqtarja nuk rezulton të jetë provokuar nga palët, e cila është pyetur për ecurinë e gjykimit dhe në mënyrë vullnetare, ka dhënë të dhëna mbi zgjidhjen e çështjes së dënimit, mbi mosshtyrjen e gjatë të gjykimit, përfitimin e të pandehurit nga shtyerja e gjykimit, si dhe mbi marrjen e masave për zëvendësimin e prokurorit dhe sigurimin e prezencës së tij për të përfunduar këtë gjykim penal. ILD thekson se ajo ka shfaqur gatishmëri dhe përkujdesje për përgjigje sa më të qarta në funksion të mesazhit që ka dashur të përcjellë për predispozitën e saj për një zgjidhje pozitive të çështjes.

Në videon e transmetuar me 31 janar 2017, magjistratja akuzohet se ka marrë 2 mijë euro rryshvet për uljen e dënimit ndaj një të burgosuri.

Pas publikimit të videos ish-Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedim penal ndaj gjyqtares dhe Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur pezullimin e saj nga detyra. Një procedim disiplinor është iniciuar nga KLD, por është pezulluar deri në përfundimin e hetimeve penale.

Pasi Prokuroria për Krime të Rënda e ka pushuar procedimin për korruspion ndaj gjyqtares dhe ky vendim është miratuar nga gjykata, ILD e ka rifilluar hetimin disiplinor.

Bazuar në vendimin e gjykatës, ILD ka konstatuar se edhe pse nuk provohet se gjyqtarja ka kryer akte korruptive, nga hetimi janë konfirmuar akte dhe sjellje diskredituese për figurën e magjistrates.