MENU
klinika

Renditja me fqinjët

Ja ç’vend zë Shqipëria për blerjet online

30.11.2021 - 10:25

Konsumatorët shqiptarë preferojnë që t’i blejnë mallrat dhe produktet duke u paraqitur fizikisht në njësitë tregtare, ndryshe nga vendet e tjera të Europës që gjithnjë e më shumë përdorin internetin për të porositur.

Në fakt, i gjithë Ballkani e përdor më pak internetin për të blerë, sipas një harte të fundit të Euostat, me më pak se 38% që kanë porositur produkte online nga interneti.
Në vitin 2019, të dhënat e fundit të disponueshme për Shqipërinë, vetëm 7% konsumatorëve shqiptarë përdorën internetin për të porositur mallra apo shërbime, nga 5% vitin e mëparshëm.

Kjo shifër është shumë më e ulët edhe se fqinjët. Maqedonia e veriut e kishte këtë shifër 29% në vitin 2019 dhe 34% në 2020-n, Serbia përkatësisht 34 dhe 38%, Bosnja 23 dhe 28%, mali i Zi 16% dhe 23%. Rekordin e mban Kosova, me 38% në 2019-n dhe 46% në 2020-n. Kosova madje ka përdorim më të lartë të internetit për blerje private edhe se Italia, Greqia, Portugalia.

Gjithsesi, mesatarja e rajonit është shumë më e ulët se në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Sipas Eurostat, në vitin 2020, rreth 65% e të gjithë të rriturve (mosha 16-74 vjeç) në BE blenë/porositën mallra ose shërbime në internet gjatë 12 muajve përpara anketës. Të rinjtë e moshës 25-34 vjeç kishin 2.5 herë më shumë gjasa të kishin përdorur internetin për të bërë blerje (83%) sesa personat e moshës 65-74 vjeç (33%).

Blerja në internet është bërë më e zakonshme në BE pasi përdorimi i internetit është i përhapur në të gjitha moshat. Konsumatorët vlerësojnë aksesin në një gamë të gjerë produktesh në çdo kohë, kudo, me përfitimin e shtuar të çmimeve speciale. Ngjarjet si e Premtja e Zezë, si dhe e hëna në internet, janë disa nga rastet kur blerjet online kanë përparësi në kalendar.

Rajoni i kryeqytetit danez të Hovedstaden regjistroi prirjen më të lartë për të përdorur tregtinë elektronike (91%) në të gjitha rajonet e BE-së, e ndjekur nga rajoni danez i Midtjylland dhe rajoni holandez i Utrecht, të dyja 90%.

Në të kundërt, katër rajone në Bullgari kishin peshën më të ulët në vitin 2020: Severen tsentralen (25%), Yuzhen tsentralen dhe Yugoiztochen (të dyja 26%) dhe Severozapaden (27%). /Monitor.al