MENU
klinika

Tri të shtëna... presidentit

JFK, njeriu që ofroi Hënën

22.11.2021 - 17:08

        Më 22 nëntor 1963, vdiq presidenti i  35-të i Shteteve të Bashkuara, Xhon Kenedi. 1036 ditët e tij në Shtëpinë e Bardhë, ndryshuan jo vetëm historinë e botës, por edhe shkencën.

Më 22 nëntor 1963, në Dallas, disa të shtëna (ndoshta 3, ndoshta më shumë) i dhanë fund jetës së Xhon Fitzxherald Kenedi (John Fitzgerald Kennedy).

Kenedi ishte 46 vjeç dhe, pavarësisht hetimeve të disa komisioneve presidenciale, vrasja e tij vijon të luhatet mes hijeve. Ndoshta për këtë arsye historianë të shumtë e konsiderojnë 22 nëntorin 1963 si ditën kur Amerika humbi pafajësinë. Kenedi u betua më 20 janar 1961 dhe gjatë 1036 ditëve të drejtimit të tij, Shtetet e Bashkuara u përballën me sfida epokale: nga programi hapësinor te kriza e raketave në Kubë, që e shpuri botën një hap larg Luftës së Tretë Botërore, deri në betejën e fortë politike kundër racizmit dhe varfërisë. Kenedi u zgjodh me një program ambicioz: ta çonte Amerikën drejt një “Kufiri të ri”: “kufiri i shpresave dhe ëndrrave të paplotësuara. Përtej këtij kufiri shtriheshin zonat e paeksploruara të shkencës dhe hapësirës, ​​problemet e pazgjidhura të paqes dhe luftës, përkeqësimi i mosdijes dhe paragjykimet, heshtja ndaj kërkesave të varfërisë dhe tepricës”./Konica.al

Në tetor 1962, Kenedi dhe homologu rus, Nikita Hrushovi, u përballën me krizën e raketave kubane, që kërcënoi botën me luftë botërore.

Pasi u shmang rreziku, presidentët krijuan një korrespondencë sekrete lidhur me marrëveshjen për çarmatimin bërthamor. Në tetor 1963, Kenedi udhëtoi drejt Moskës, për të nënshkruar Traktatin e Ndalimit të Pjesshëm të Testeve Bërthamore (PTBT), çfarë kufizoi testimin bërthamor nëntokësor, duke kufizuar kështu rreziqet për mjedisin. Le të themi, se u hodh hapi i parë drejt çarmatimit dypalësh.

Më 26 qershor 1963, Xhon Kenedi bëri një vizitë zyrtare në Berlinin Perëndimor, ku mbajti, në “Rudolph Wilde Platz”, para mijëra njerëzve, një nga fjalimet më të famshme: “Dy mijë vjet më parë, krenaria më e madhe ishte të ishe në gjendje të thoshe “Unë jam qytetar romak”. Sot, në botën e lirë, krenaria më e madhe është të thuash “Ich bin ein Berliner” (Unë jam berlinez). Të gjithë njerëzit e lirë, kudo që jetojnë, janë qytetarë të Berlinit, prandaj, si njeri i lirë, jam krenar për fjalët “Ich bin ein Berliner!”. Këto fjalë, të shqiptuara me forcë, synonin të ishin përgjigja amerikane ndaj ndërtimit të Murit të Berlinit, që në vitin 1961 e ndau Gjermaninë në dy fronte.

Janë shkruar faqe pa fund, për marrëdhënien sekrete mes Merilin Monrosë dhe vëllezërve Kenedi.

Më 19 maj 1962, Merilin e befasoi JFK-në, duke luajtur në publik një version seksi të “Happy Birthday”. Një nga hipotezat për vdekjen e papritur të saj, disa muaj më vonë (gusht 1962), ishte pikërisht vetëvrasje për dashurinë: diva kishte vendosur t’i jepte fund jetës, sepse nuk kishte marrë në këmbim dashurinë e Presidentit./Konica.al

Më 25 maj 1961, Presidenti Kenedi njoftoi në Kongresin e SHBA-së, se deri në fund të dekadës, Shtetet e Bashkuara do të dërgonin një njeri në Hënë.

Vendimi i Kenedit, ambicioz dhe i guximshëm, lindi edhe për arsye politike. Kenedi u ndje nën presion, sepse Shtetet e Bashkuara sapo ishin tejkaluar nga Bashkimi Sovjetik në “garën e hapësirës”. Katër vjet pas lëshimit të “Sputnik” në 1957, kozmonauti Juri Gagarin ishte bërë njeriu i parë që fluturoi në hapësirë. […]. Pasi u konsultua me Zëvendëspresidentin Johnson dhe drejtuesin e NASA-s, James Webb, Kenedi vendosi që ulja në Hënë, edhe pse teknologjikisht shumë sfiduese, dhe eksplorimi i hapësirës do të bëhej një përsosmëri e Shteteve të Bashkuara dhe jo e Bashkimit Sovjetik. Për këtë arsye, fjalimi i famshëm i Kenedit shihet gjithmonë në perspektivën politike të Luftës së Ftohtë. Qëllimi i Kenedit u arrit vetëm më 20 korrik 1969, 164 ditë para skadimit të premtimit të Presidentit.

Më 28 gusht 1963, 250 000 amerikanë iu bashkuan marshimit paqësor në Uashington, të udhëhequr nga Lëvizja për të Drejtat Civile dhe Martin Luter Kingu, i cili mbajti fjalimin e famshëm: “Unë kam një ëndërr” përpara Memorialit të Linkolnit. Protestuesit kërkonin nga qeveria ligjin, që do t’i jepte fund diskriminimit racor dhe paga më të mira për punëtorët. Fillimisht, Kenedi qe kundër marshimit, mirëpo më pas u bë mbështetës i saj. Më vonë ai takoi Kingun dhe udhëheqësit e tjerë, por fatkeqësisht nuk pati kohë t’i shihte frytet e punës së vet: Ligji për të Drejtat Civile, ligji që i jepte fund diskriminimit, u miratua vetëm në qershor 1964, shtatë muaj pas vdekjes së tij.

Komisioni i fundit zyrtar që hetoi vrasjen e Kenedit ishte Bordi i Rishikimit të Dokumenteve të Vrasjeve, i krijuar në vitin 1992. Në raportin përfundimtar shkruhet: “Shumë përpara vitit 1978, Presidenti Xhonson, Robert Kenedi dhe katër nga shtatë anëtarët e Komisionit Warren ekspozuan në njëfarë mënyre, edhe pse ndonjëherë jozyrtarisht, skepticizmin nga ana e tyre në lidhje me konkluzionet bazë të Komisionit”. Komisioni Warren u akuzua për pakujdesi në shmangien e shkatërrimit të dokumenteve dhe provave të rëndësishme për hetimin e vrasjes së presidentit./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nuk do ta besoni arsyen!

Marilyn Monroe u vra nga CIA