MENU
klinika

Kualifikueset e Botërorit

Kombëtarja e femrave mund Kosovën në Prishtinë

30.11.2021 - 21:01

Shqipëria e femrave ka triumfuar në transfertën e Kosovës, në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Australi – Zelandë e Re 2023”.

Ndeshja e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka nxjerrë fitimtare vajzat kuqezi, të cilat ishin dukshëm më superiore se kundërshtaret. Trajneri Grima e nisi lojën me këtë formacion: Rexhepi, Gjergji, Maliqi, Curraj, Gjini, Franja, Hila, Maksuti, Krasniqi, Hamidi, Doçi (c).

Pjesa e parë e ndeshjes ishte mjaft e kontrolluar nga të dyja ekipet, që luajtën mirë me topin. Vajzat kuqezi kaluan fillimisht në avantazh me Kristina Maksutin, e cila shfrytëzon më së miri një pasim të Qëndresa Krasniqit, që futet bukur brenda zone dhe asiston për Maksutin që e dërgon topin në rrjetë.

Minuta e 19-të dhe Shqipëria kalon në epërsi. Në minutën e fundit të kohës së plotë, Megi Doçi dyfishon shifrat për Shqipërinë, pas një super goditjeje që tundi rrjetën. Në kohën shtesë, Kosova ngushton shifrat me Biqkaj.

Në fraksionin e dytë, vajzat kuqezi shënojnë ddhe golin e tretë me asistuesen e golit të parë, Qëndresa Krasniqi, e cila godet topin nga jashtë zone, duke shtangur portieren vendase dhe duke vulosur rezultatin në 1-3.

Një ndeshje mjaft e bukur kjo nga skuadra kombëtare e femrave, që me këtë fitore mbyll ndeshjet për vitin 2021. Shqipëria renditet e katërta në grupin F me 7 pikë, duke lënë pas Kosovën dhe Armeninë, ndërsa në vendin e parë renditet Norvegjia e më pas vjen Polonia e Belgjika.