Teatri “Andon Zako Çajupi”, bashkoi në Korçë tri mjeshtre të skenës. Ndërsa “Vdis duke qeshur”, këtë javë i ngjiti të trija artitstet, në ”Arturbina”, në Tiranë.
Premiera e interpretuar gjatë festivalit “KokoFest”, që Korça e mban çdo vit, po shfaqet prej ditësh në Tiranë, por në sportele nuk gjen më biletat.
Vepra nga Paul Elliott, me regjinë Ilir Bokshit, na përball me aktorët: Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Olta Daku, Silvio Goskova dhe Paola Kodra.
Në një natë të vetme, kur tri mikeshat e ngushta prej një jete, përcjellin për në botën tjetër të katërtën, e cila kishte ndërruar jetë. Një urnë ku ndodhej hiri i Merit, u bë bahkëbiseduesja e grave gjatë gjithë natës, me humor gjë që mund të duket absurde, por është gjithmonë sfiduesi i vdekjes.
Komedia sjell mesazhin se jeta duhet jetuar sikur çdo ditë e saj të ishte e fundit dhe ky është amaneti që Meri iu kishte lënë shoqeve të saj, të interpretuara mjeshtërisht, nga Luiza Xhuvani, Olta Daku e Zamira Kita.
Për rreth 90 minuta, ato bëjnë një trio kompakte dhe spektatorët shijojnë me të qeshura pa fund, interpretimin e tyre.
Regjisori Ilir Bokshi ka realizuar projekte të ndryshme të suksesshme në skenat shqiptare, me vepra si” “Togeri i Inishmorit”, “Menaxheria e qelqtë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Edipi Mbret”, “Ferma e kafshëve”, etj. Skenografia e këtij projekti ishte e skenografit Beqo Nanaj.
Pas suksesit të padiskutueshëm në Korçë, Elbasan e Tiranë, “Vdis duke qeshur” do të rendë drejt Durrësit e më pas, të rikthehet sërish në Korçë, ku qindra spektatorë e mirëpresin sërish…