MENU
klinika

Nga Pablo Pikaso te Paula Rego...

Kur artistët rilexojnë “Kryeveprën e panjohur”: BALZAK!

26.11.2021 - 17:56

         Nuk është as roman e as traktat estetik.

Botuar për herë të parë në një revistë artistike, “Kryevepra e panjohur” e Balzakut ka bërë të derdhet shumë bojë, ka frymëzuar piktura, po edhe plot medie të tjera. Nga Pablo Pikaso te Paula Rego, Anselm Kiefer dhe regjisori Jacques Rivette, artistë të shumtë, përveçse burim frymëzimi, kanë përvetësuar novelën e Balzakut. Një gjë e tillë shprehet qartazi në ekspozitën “Midis gjenisë dhe çmendurisë”, në shtëpinë e shkrimtarit në Paris./Konica.al

Përfundimisht, kryefjala e aktualitetit kulturor të kësaj vjeshte është pikërisht, Honore dë Balzak!

Teksa ekranizimi i “Iluzione të humbura” nga Xavier Giannoli, shfaqur më 20 tetor, vazhdon të mbushë sallat e kinemave, shtëpia e shkrimtarit, në “Rue Raynouard”, ka hapur dyert për ekspozitën kushtuar kryeveprës “Kryevepra e panjohur”. Botuar së pari në gusht 1831, në gazetën “L’Artiste”, me titullin “Mjeshtri Frenhofer”, në agimin e shekullit të 17-të, novela krijoi tre piktorë: Nikolas Pousë, Frans Purbus i riu dhe mjeshtri Frenhofer (i cili, ndryshe nga dy të mëparshmit, është një personazh i trilluar). Të tre mblidhen në atelienë e Purbusit, rreth një tabloje pikturuar prej tij dhe të cilën Frenhofer nxiton ta retushojë (dhe ta idealizojë). Prej dhjetë vitesh, artisti në moshë punon për një portret, një alegori e femrës së përsosur, por e ka të vështirë të gjejë modelin ideal. Më pas, Pusin, intriguar, i ofron të dashurës të pozojë vetëm që të sodiste disa çaste këtë kryevepër të ardhshme. Edhe pse rrezikon të humbasë të dashurën... “Një kaos ngjyrash, tonesh, nuancash hezituese, një lloj mjegullnaje pa formë”, këto janë termat e përdorura nga Balzaku, për të përshkruar atë çfarë zbulojnë Pusë dhe Purbusi, pasi kapërcejnë pragun e ateliesë së Frenhoferit. Nga ai kompozim dallohet vetëm një këmbë, të cilën autori nxiton ta mbulojë me një pëlhurë të gjelbër, kaq shumë e ka xhindosur reagimi i miqve, para se t’i përzinte nga shtëpia. Reflektim i mrekullueshëm mbi artin, portretizuar me erotizëm dhe vdekje, “Kryevepra e panjohur” magjepsi artistët e shekullit të 20-të, duke filluar nga Pablo Pikaso./Konica.al/ Në vitin 1924, botuesi dhe tregtari i artit Ambroise Vollard zbuloi në studion e artistit një tufë skicash enigmatike – një seri pikash të zeza të bashkuara me vija të drejta, që ngjasonin me yjësi të çuditshme. Më pas, Vollardit i shkoi mendja te dedikimi i fshehtë i “Kryeveprës së panjohur”, e cila flet “Për një Zot” e pasuar nga pesë rreshta me elipse. Më pas, ai vendos të përdorë vizatimet e Pikasos për të ilustruar novelën. Pas disa vitesh, këto studime grafike u plotësuan nga një grup prej 13 gravurash, të porositura posaçërisht nga artisti për këtë projekt. Për ironi, ai do të vendoset në “Rue des Grands-Augustins”, pikërisht në adresën ku merr udhë novela e Balzakut, ku pikturoi edhe kryeveprën tjetër: “Guernica”. Të tjerë artistë të shekullit XX ecën në hapat e Pikasos, duke përvetësuar veprën e gjeniut, si për shembull katalanasi Eduardo Arroyo, leximi i “Kryevepra e panjohur” e frymëzoi me një shpinë të zhveshur, padyshim atë të së gjorës Zhijetë – modeles që qante, e braktisur në një cep të studios nga tre artistët, të cilët diskutojnë për pikturën. Këtu, Arroyo i ka shkëmbyer paletën dhe furçat me gërshërë dhe ngjitëse për të paraqitur një rënie sensuale veshkash, duke përdorur copëza fotografish, si një mozaik. I frymëzuar gjithashtu nga fjalët e Balzakut, Callum Innes, i cili shpesh i shkatërron veprat që nuk i pëlqejnë, ka përdorur kanavacat e tij (disa ishin hequr nga artisti, por të tjerët tashmë janë ekspozuar!) për të krijuar një variant unik të “Kryeveprës së panjohur” e cila, pa (shumë) zbuluar fundin, mbaron me një skenë autodafe (djegie në zjarr).

Në një akuarel të errët të Anselm Kieferit, gjejmë perden me të cilën Frenhofer fsheh kanavacën e tij. Kiefer, i përndjekur nga e kaluara e errët e Gjermanisë, sheh në çmendurinë e piktorit të vjetër imagjinuar nga Balzaku deliret arkitekturore të Gjermanisë nacional-socialiste dhe ngjall, në këtë vepër të vogël, por të fuqishme, galerinë e mermerëve të kancelarisë së re të Rajhut, i komanduar nga Hitleri në 1938 nga Albert Speer (i cili do të shkatërrohet pas luftës). Është përsëri pëlhura e gjelbër ushtarake që gjejmë, këtë herë me ngjyra, në një pikturë të madhe të Paula Regos. Një kompozim teatral imponues, i mbushur me detaje të pazakonta (përfshi një feniks që ringjallet nga flakët), në sfondin e të cilit dikush pandeh se po lexon ndikimet e Lusian Frojdit ose Frensis Bekonit. Gruaja, e cila në veprën e Balzakut kufizohet në rolin e prostitutës dhe modeles, është në qendër të vëmendjes. Me një këmbim profesional të roleve, pikturon autoportretin e saj dhe fshin nga teloja të vetmin mashkull të pranishëm në kompozim… pas perdes së gjelbër. Së fundmi, në këtë rrugëtim të shkurtër, novelën e Balzakut e gjejmë të përshtatur në “Bukuroshja zhurmëmadhe” (1991) nga regjisori i mirënjohur Zhak Rivet./Konica.al

Sado të vonojmë ta lexojmë, apo ta rilexojmë, në secilën prej veprave të paraqitura në shtëpinë e tij, fjalët e Balzakut kumbojnë dhe duken të prekshme.

Këtu, çdo prekje e ngjyrës, çdo vijë, përkthen modernitetin e pafund të autorit./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Vepra shfaqet pas 20 vjetësh

“Dora Maar” e dashur dhe muzë e Pikasos

Datëlindje gjeniu

Balzaku i zjarrtë!


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit