MENU
klinika

Bllokim llogarish për bizneset që nuk shlyejnë detyrimet

Qeveria ndryshon ligjin për borxhin dhe garancinë sovrane

29.11.2021 - 13:58

Qeveria ka vendosur të marrë masa për bizneset që nuk po shlyejnë dot kreditë e marra gjatë pandemisë. Për shkak se janë hasur problematika dhe vështirësi në aplikimin e garancive sovrane për t’i ardhur në ndihmë bizneseve gjatë pandemisë Covid-19, qeveria ka bërë ndryshime në legjislacion në mënyrë që këto skema të mirë menaxhohen më me kujdes.

Ministria e Financave ka hedhur për konsultim projektligjin për “Huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë”, ku sipas ndryshimeve të bëra në ligjin ekzistues, Agjencisë së Trajtimit të Kredive-së, institucion nën varësinë e ministrisë së Financave, i kalojnë funksionet për menaxhimin e skemave të Garancive Sovrane, për t’i ardhur në ndihmë biznesit në situatën e Covid-19, apo çdo skemë të ngjashme që mund të jetë e nevojshme në të ardhmen të miratohet.

Ndërkohë në ligj janë bërë edhe disa ndërhyrje të tjera në funksion të veprimtarisë së huamarrjes shtetërore dhe të menaxhimit të borxhit shtetëror. Nga kalimi i Garancive Shtetërore tek Agjencia e Trajtimit të Kredive, përfitojnë subjekte publike apo ndërmarrje shtetërore siç janë operatorët e energjisë, ujësjellësit etj, pra duke mundësuar rikuperimin e të drejtave edhe përtej skemave të veçanta të garancive.

Çështja e mbledhjes së detyrimeve nga këto subjekte kundrejt buxhetit të shtetit është një problem që i është kushtuar vëmendje e veçantë gjatë auditimeve të KLSH, si dhe është pjesë e raporteve të lëshuara nga ky institucion, ndaj u konsiderua e nevojshme ndërmarrja e gjithë masave, duke përfshirë këtu edhe ndryshimet ligjore.

Masat ndaj subjekteve që nuk shlyejnë detyrimet

ATK-së, nëpërmjet ndryshimeve ligjore të propozuara i kalon për t’u menaxhuar aktivitetet dhe funksionet si administrimi dhe ruajtja e dokumentacionit dhe të dhënave sa i takon skemave të garancive, pa cenuar detyrimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ruajtjen e dokumentacionit dhe regjistrimin e të dhënave për borxhin shtetëror dhe garancive shtetërore të huave; Mbajtja e bazës së të dhënave dhe regjistrin analitik të garancive që menaxhon; Verifikimi i rasteve të thirrjes së Garancisë për pagesë, në rastet e mospagimit nga Huamarrësi dhe njoftimi i MFE; Ndjekja e rikuperimit të të drejtave që i lindin Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë pas pagesave të kryera sipas skemave të garancisë.

Ndryshimet kanë saktësuar edhe procedurat që duhen ndjekur në rastet kur një subjekt ka përfituar kredi përmes garancisë sovrane dhe nuk e shlyen atë. Në këtë rast, detyrimi për të paguar i kalon Ministrisë së Financave, pagesë e cila kryhet përpara dhe pavarësisht rezultatit të verifikimit të aftësisë pagues të huamarrësve.

Pas kryerjes së pagesës, në rast se nga verifikimi i aftësisë pagues të huamarrësve rezulton se ka mundësi pagese, Ministria përgjegjëse për financat, me urdhër kërkon bllokimin e llogarive dhe sekuestrimin e kundra vleftës që ajo ka paguar. Në këto raste aplikohen edhe masa administrative ndaj subjekteve.