MENU
klinika

Ura e Vokopolës

Restaurohet monumenti shekullor

10.11.2021 - 12:47

         Mbi përroin e Çorrogjafit në Vokopolë, pranë burimit të ”Ujit të zi”, ngrihet Ura e Vokopolës. Monument kulture i kategorisë I në Berat, ura raportohet të jetë kthyer në identitet pas restaurimi.

Ura ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës. Degëzimi që lidhte Beratin me Tepelenën dhe më tej, Janinën, kalonte nëpër Vokopolë-Çorgjaf-Qafa e Gllavës-Luftinjë-Memaliaj.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bën të ditur se “punimet u përqendruan në heqjen e betonit mbi kalldrëm, restaurimin e kalldrëmit me gurë lumi, konsolidimi i muraturës së harkut të madh, pastrimi nga bimësia, etj”.

Kjo urë, që lidh fshatin Vokopolë me atë të Tërpanit, përbëhet nga harku kryesor dhe nga dy harqe anësorë më të vegjël bregorë anësorë. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese.

***

Ura e Vokopolës është një urë guri me qemer të madh, me segment rrethor dhe me dy dritare shkarkuese. Ura është 43 m e gjerë, ka tri harqe dhe dy kamare. Kalldrëmi i urës së Vokopolës është realizuar me pllaka guri të zi, të vendosur këlliç ndërsa qemeri është i ndërtuar me dy rreshta gurësh.

Ura e Vokopolës është një nga urat më të mëdha, më monumentale dhe më të ruajtura të këtij rajoni.

Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim i cili për arsye të dëmtimit nga koha është i padëshifrueshëm. Në pjesën qendrore dhe më të lartë të urës, për sigurimin e kalimit të kalimtarëve është ndërtuar një parapet guri me gurë pllakë vendosur këlliç me kolona të ikastuara në qemer çdo 50 cm. Qemeri është me dy rreshta dhe arrin trashësinë 125 cm, kalldrëmi i urës është ndërtuar me gurë pllakë të zinj vendosur këlliç.

Për të eliminuar rrëshqitjen gjatë kalimit si pasojë e pjerrësisë së madhe kalldrëmi vende-vende ndërpritet me breza tërthorë, që theksohen mbi rrafshin e tij.

Kjo urë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 1750, gjatë kohës së Kurt Pashës së Beratit dhe ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës.