MENU
klinika

Për vëllezërit Hajri nuk provohen akuzat

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, SPAK çon në gjyq 7 autorë e për 5 pushon hetimet

04.11.2021 - 11:29

SPAK-u mbyll hetimin dhe çon në gjyq 7 të pandehur në lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës. Bëhet fjalë për shtetasit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit”.

Po ashtu, dërgimi në gjyq është kërkuar edhe për shtetasit Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të akuzuar edhe këta për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit”.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka pushuar akuzat për Bajram Hajrin, Leonard Hajrin, Elton Hajrin, Aleks Doçajn dhe Ardian Doçaj, pasi nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprat penale përkatëse. Sipas dosjes së SPAK-ut, rrëmbimi i Jan Prengës është urdhëruar nga Ekuadori, nga shtetasi Dritan Rexhepi që ndodhet në burg atje dhe shtetasi Gentjan Funiqi, kjo për arsye se vëllai i viktimës u kishte vjedhur një sasi kokaine në Angli.

Në dosjen e Prokurorisë thuhej se: “Ka dyshime të arsyeshme se shtetasi Jan Prenga, pasi është rrëmbyer në Kamzë, direkt pas ngjarjes është dërguar në kompleksin ‘Golden’ dhe aty është mbajtur peng, si dhe personat që posedojnë e administrojnë këtë kompleks janë të përfshirë në rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit Jan Prenga.

Gjithashtu, nga shpjegimet e vëllait të shtetasin Tan Prenga, Anton Prenga, rezulton se ai ka dijeni për motivin e rrëmbimit dh mbajtjes peng të Jan Prenfës, që është vjedhja e një sasie prej 260 kg lëndë narkotike, kokainë, në Angli, nga vëllai tjetër, Astrit Prenga dhe shoku i tij, Gëzim Dollani.

Ai gjithashtu ka dijeni kush janë organizatorët dhe rrëmbyesit e Jan Prengës, shtetasit Gentjan Doçaj, Korado Gështenja, Korado Bleta dhe Gramos (Dritan) Rexhepi, pasi këta të fundit e kanë kontaktuar vëllain e tyre Astrit Prenga në Angli për kthimin e lëndës narkotike dhe më pas do të lironin Janin.

NJOFTIMI I SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr. 62, të vitit 2020, ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dërgimin për gjykim të çështjes në ngarkim të të pandehurve:

Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta dhe Korado Keshteja, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, parashikuar nga nenet 303 dhe 28/4 i Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333a/1 dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit” kur është shkaktuar vdekja, “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e akuzës për personat nën hetim Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj, pasi nuk provohet që personat nën hetim të kenë kryer veprat penale përkatëse.

“Nga hetimi rezulton se: Të pandehurit Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penalë në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz, Shqipëri. Kjo, pasi sipas tyre, shtetasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.

Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike. Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri, në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave në kuadër të një hetimi të plotë e të gjithanshëm për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje”, njoftoi dje SPAK-u.