MENU
klinika

Denoncuesit më të shpeshtë të pastrimit të parave

Sa është vlera e pasurive të bllokuara gjatë 2020-ës

28.11.2021 - 11:35

Noterët dhe bankat e nivelit të dytë janë denoncuesit kryesorë te Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sipas drejtorit të kësaj drejtorie, Elvis Hoxha, nga 1409 referime në këtë drejtori, 321 janë bërë nga noterët dhe 703 janë bërë nga bankat.

Shifrat u zbuluan pas pyetjes së deputetit të PD-së Dashnor Sula në Komisionin e Ligjeve, ku u miratuan amendamentet e projektligjit për pastrimin e parave. “Ligji për noterinë e parashikon që noterët të informojnë Drejtorinë e Pastrimit të Parave. A ka pasur raste që janë sjellë nga noterët? Ka pasur raste që është marrë gjobë për noterët?

Bankat janë momenti kyç i të gjithë situatës së pastrimit të parave. Sa nga bankat e nivelit të dytë kanë qenë korrekte në raportimin korrekt të rasteve të pastrimit të parave? Duke marrë shkas edhe nga rasti i fundit i z. Taçi. Ka qenë reagimi juaj apo i bankës”, u shpreh Sula. Por Hoxha tha se edhe në rastin e Taçit filtrat rezultuan të mirë. “Raportimi nga noterët është i rregullt. Nga 1409 raportime të aktivitetit të dyshimtë kanë ardhur 321 dhe pjesa tjetër ka ardhur nga banka që janë 703 raste të referimit. Mbas bankës vijnë noterët për numrin e madh të referimit të aktivitetit të dyshimtë. Subjektet e inspektuar noter kanë qenë 9 në vend dhe 38 në distancë.

Në 2020 janë gjobitur 6 noterë. Ndërkohë nuk kemi pasur asnjë kërkesë për të hequr licencën e asnjë noteri. Por ka pasur raste që kemi verifikuar veprimtarinë e punës së noterit. Bankat janë tek institucionet më korrekte. Duke marrë shkas nga rasti i fundit i Taçit konfirmon se sistemin parandalues e kanë shumë të mirë”, u shpreh drejtori i Pastrimit të Parave.

BLLOKIMET

Në vijim të përgjigjes së pyetjeve, Hoxha u shpreh se për vitin e kaluar Drejtoria e Pastrimit të Parave ka urdhëruar bllokimin e pasurive të dyshimta për 7 raste. Prokuroria pas hetimit ka vendosur sekuestrimin e pasurive me vlerë 1.2 milionë euro. “Për vitin 2020 janë lëshuar 7 urdhra bllokimi me vlerë 1.2 milionë euro.

E gjithë kjo vlerë është sekuestruar nga prokuroria. Pra prokuroria nuk ka thënë në asnjë moment që ia keni futur kot. Por janë sekuestruar 100%. Është viti i vetëm që është e barabartë vlera e sekuestruar me numrin e bllokuar”, vijoi ai. Ndërkohë, sektori i ndërtimit mbetet sektori më i preferuar për pastrimin e parave.

“Ne në 2019-ën kemi bërë një vlerësim kombëtar të riskut. Në 2020-ën kemi bërë edhe disa analiza sektoriale. Të gjitha rezultatet janë ndarë me subjektet raportuese dhe autoriteteve shtetërore. Mund t’ju konfirmoj që sektori i ndërtimit është sektor me risk për pastrimin e parave. Por ky fenomen është edhe në vendet e tjera, jo vetëm në vendin tonë”, u shpreh Hoxha.

Ndërkohë, deputeti Alibeaj ngriti edhe shqetësimin e kazinove, por sipas drejtorit, deri në këto momente nuk rezulton se ka probleme në raportimin e tyre./PANORAMA