MENU
klinika

Zeni Çela: T’i akordohet titull

Shuhet ish-futbollisti i Skënderbeut dhe i Kombëtares

09.11.2021 - 22:52

Një lajm i trishtë vjen nga futbolli shqiptar ku është ndarë nga jeta ish-portieri i Kombëtares dhe Skënderbeut, Mihallaq Kita. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga miku i tij, dhe ish-kolegu në fushë, Zeni Çela.

Ish-gardiani kuqezi njihet për kontributin e tij të çmuar në gjetjen e talenteve të rinj, që ndihmuan ekipin e Skënderbeut për dekada të tëra në futboll duke u cilësuar si një prej ikonave të futbollit korçar.

Zani Çela ka kërkuar nga Skënderbeu dhe FSHF-ja që të ndjerit Mihallaq Kita t’i akordohet titulli më i lartë: “Sot, me hidhërim mësova se ndërroi jetë ikona e futbollit të Ekipit të Skënderbeut të Korçës dhe portieri i Kombëtares Shqiptare, Mihallaq Kita. Ai nderoi Skënderbeun e Korçës dhe ekipin Kombëtar Shqiptar në vitet 1950 e në vazhdim.

Për mua adoleshent, në moshën 16-17 vjeçar i apasionuar pas futbollit, trajneri Tato Bimbli dhe Spiro Koca me tërhoqën në skuadrën e parë të Skënderbeut ku u njoha me Mihallaqin. Me ka ngelur në kujtesë një ditë kur isha maturant ne Shkollën Pedagogjike Petro Nini Luarasi në Korçë.

Vjen Mihallaqi në shkollë, më nxjerr nga mësimi dhe me thotë je zgjedhur me ekipin e parë. Me shoqëroi te mjeku dhe në laboratorin e analizave. I emocionuar që më zgjodhën të luaja futboll me skuadrën e pare, krahas futbollistëve të shquar Mihallaq Kita, Pilo Qirinxhi, Petro Mile, Kosta Koca, Viktor Prodani, Rapo Sholla, Niko Andrea, Trajan Veriga, etj.

Prita me padurim fillimin e Kampionatit ku ndeshja e parë e Skënderbeut i ra me Dinamon e Shkodrës. Për mua ndeshja e parë do ngelet e paharruar, sepse unë adoleshenti 17-vjecar luajta me nr 7, sulmues i djathtë, realizova golin e barazimit dhe ndeshja përfundoi 2 -2.

Mihallaqi pas ndeshjes më uroi, me falënderoi dhe e falënderova edhe unë, sepse përveç trajnerëve, Mihallaqi me mësoi truket e realizimit te golit dhe penalltive.

Faleminderit shpirtit dhe zemrës se madhe të mjeshtrit Mihallaq Kita. U prehtë në paqe njeriu me zemër të madhe, i sakrificës dhe mësues i palodhur për futbollistët e rinj. I sugjeroj klubit sportiv Skënderbeu dhe FSHF që Mihallaqit t’i akordohet titulli më i lartë.”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN