MENU
klinika

Skënder Minxhozi

S’na ktheve në pushtet, rri aty ku je, preke Berishën, ik!

10.11.2021 - 21:36

Skënder Minxhozi

Ajo që po ndodh në Partinë e sotme Demokratike ngjan si një bombë me shpërthim të vonuar. Proceset e analizës, reflektimit dhe marrjes përsipër të përgjegjësive për 25 prillin, nuk ndodhën as në orët, ditët apo javët pas humbjes, por po ndodhin tani. Të paktën pesë muaj me vonesë, kur partia ka rizgjedhur kryetarin humbës.

Kur paradoksalisht Lulzim Basha ka kaluar pa u lagur fare nëpër fushatën e rizgjedhjes si kryetar i PD në qershor askush në parti, përveç katër-pesë vetave, nuk foli dhe nuk ngriti dorë, megjithëse drama e humbjes ishte e madhe sa një mal. Depresioni politik e psikologjik i demokratëve gjithashtu qe i madh. Asokohe kandidatët anti-Basha e grishën më shumë se një herë publikisht Sali Berishën, që të shprehej për krizën që kishin lënë pas zgjedhjet, por edhe për fatin e kryetarit.

Ashtu si sot, kur nëpër Foltore ngrihet ndonjë guximtar e i kujton Doktorit se ishte “krijuesi” i Lulit, edhe katër-pesë muaj më parë këto zëra ndjeheshin ndrojtur nëpër rreshtat e shpartalluar të demokratëve. “Ky që e vuri mund ta heqë, askush tjetër s’e bën dot”, ishte refreni normal që dëgjohej nëpër kafet rrotull SHQUP-it.

Por Berisha dhe përkrahësit e tij kishin hall tjetër në atë moment. Më të madh se halli i PD dhe i opozitës së tejzgjatur. Më të madh se paaftësia e stërprovuar e Lulzim Bashës. Sali Berisha priste të anashkalonte stuhinë amerikane në horizont, të cilën e dinte, por nuk donte ta besonte. Më saktë, që donte ta shmangtte duke lënë në krye të partisë Bashën, si njeriun me të cilin SHBA kishte treguar se preferonte të komunikonte. Siç u pa më vonë, bëri gabim që heshti dhe ndjesat e sotme nuk i hyjnë në punë askujt. Atij vetë më të parit.

Kjo është fabula banale që krijoi “frankeshtajnin” blu, krizën absurde të vjeshtës që përjeton tani Partia Demokratike, ku koka e kryetarit  kërkohet katër muaj pas rizgjedhjes dhe ku papritur ai është mashtrues, i pazoti, shtojcë e Ramës, peng i tij etj..

Këtu qëndron gjithashtu edhe hipokrizia të cilën Berisha përpiqet ta shmangë me ulje kokë e skuqje në fytyrë sa herë që nga masa e njerëzve dikush i kujton se është vonë, se i ka lënë rrugëve militantët, se është sponsori i vetëm i Lulzim Bashës.

Lulzim Basha kishte leje të humbte sa herë të donte. Kishte leje ta bënte rrogoz partinë, duke e tërhequr zvarrë në varavingot e tij naive për revolucion me djegie mandatesh e kacavjerrjeje në muret e zyrës së Edi Ramës. Kishte leje të gënjente hapur e në mënyrë qesharake sa herë t’i tekej, para kamerave televizive, në radio apo edhe në kafen e lagjes. Kishte leje të bënte sikur vuante opozitën, pa bërë zë për akuzat me vila e shuma të majme parash që merrnin të afërmit e tij. Basha kishte leje ta kthente, siç e ktheu, në një skemë personale biznesi qëndrimin në opozitë, duke premtuar fillimin e ringritjes në mesin e hatasë. Kishte pra kartabiankë për të bërë ç’të donte me zyrën dhe partinë…

…Përveç një gjëje, që u provua fatale për të: të prekte me dorë Sali Berishën! Kjo ishte, ashtu siç shumë e kishin thënë e stërthënë me vite, thembra e Akilit e Lulzim Bashës. Nuk duhej të prekte paraardhësin edhe sikur bota të përmbysej e PD të shkrihej si bora në diell nëpër  skarpatet e Lanës. Nuk duhet ta shtypte atë buton, jo sikur t’ja kërkonin amerikanët, por edhe sikur t’i luteshin Papa i Romës megjithë Jezusin dhe Muhametin bashkë. Lulzim Basha kujtoi se momenti kishte ardhur që tetë vjet më pas, PD të bënte më në fund një rotacion të vërtetë në kokën e saj. Kujtoi se meqë Berisha i lejoi gjithçla, do t’ja lejonte edhe këtë.

Por sot ne dimë se me “ngrirjen” e Berishës, Lulzim Basha nxorri djajtë nga shishja. Refuzoi të lexojë edhe një herë “instruksionet e përdorimit” që i dhanë ditën që mori në dorë PD dhe po e pëson me kryengritje. Nëse do t’ja dalë ose jo kjo është një çeshtje me rëndësi relative. Vetë Partia Demokratike po shkon me hap rreshtor drejt ndarjes në dysh, e për këtë përgjegjësinë e kanë vetëm dy veta: ai që nuk do të ikë edhe sikur të përmbyset, dhe tjetri që është bërë trim nga halli. Si ai fëmija në pyll që këndon me zë të lartë për t’i nxjerrë frikën vetes.