MENU
klinika

GEGËT

Tablo e Shqipërisë së Veriut

04.11.2021 - 16:16

            Në fshatrat më të thella të malësisë së veriut, Coon gjeti karakteret që i duheshin për studimet e tij.

Raca e shqiptarëve kishte karakteristika të atilla, që e bëri antropologun amerikan Carleton Coon të kalonte thuajse një vit udhëve të veriut të Shqipërisë.

Takonte burra, gra, fëmijë e pleq. Bënte ca matje të çuditshme, që me shumë gjasa banorëve të këtyre anëve ju dukeshin jashtë mendsh. Ai studionte tiparet e portretit, flokët, gjatësinë trupore, gjymtyrët… I fotografonte thuajse të gjithë malësorët gegë që takonte.

Me aparatin e tij fiksonte portretin ballor dhe profilin. Po ashtu mbante shënime për secilin prej tyre, pas matjeve të hollësishme që ju bënte.

Në këtë udhëtim e shoqëronte një mik i afërt i tij shqiptar, të cilin e kishte punësuar si asistent. Ai quhej Stavri Frashëri.

Fotografitë e rralla të viteve 1929-1930, realizuar në malësitë e veriut të Shqipërisë nga antropologu amerikan, botuar në 1950 në librin “Malësia e viganëve: studim racor dhe kulturor i fiseve të malësisë së Shqipërisë së Veriut…”!

 

Falë kësaj dysheje Coon-Frashëri, që qëmtonin karakteristikat e racës shqiptare maleve të veriut të Shqipërisë përgjatë vitit 1929-1930, sot kemi të dokumentuar të dhëna shumë të rëndësishme mbi antropologjinë e gegëve, të cilat së bashku me studimin e tij dhe një album me fotografi të zgjedhura që Carleton Coon i botoi në librin e tij “Malësia e viganëve: studim racor dhe kulturor i fiseve të malësisë së Shqipërisë së Veriut”, botuar në Kembrixh më 1950.

Coon lindi në Masaçusets në vitin 1904. Studioi fillimisht për egjiptologji dhe antropologji në Universitetin e Harvardit, degë për të cilat u diplomua në vitin 1925. Në këtë drejtim ai kreu kërkime dhe punoi si asistent dhe profesor në Universitetin e Harvardit. Më tej, po në fushën e antropologjisë, ai dha mësime edhe në Universitetin e Pensilvanisë (1948-1963). Gjatë kësaj periudhe ideoi dhe realizoi edhe muzeun universitar të Filadelfias.

“Gjatë viteve 1929-1930 Carleton Coon ndodhej në Shqipëri, ku kreu një studim antropometrik mbi 1.067 shqiptarë të dhjetë zonave të Veriut, duke iu matur madhësitë dhe format e trupave të tyre. Ky studim u përfundua në vitet 1946-1947 me ndihmën e komunitetit shqiptar të Bostonit”, –  shkruan studiuesi Robert Elsie, në prezantimin e fotografive të realizuara nga Carleton Coon.

Puna e tij kishte qenë e tepër e lodhshme, voluminoze, kërkimet të gjata, një punë që në fund duket se nuk i dha autorit frytet që ai priste.

Jehona shkencore e punës kërkimore ishte e kufizuar, meqë “pas Luftës së Dytë Botërore, studime të tilla të antropologjisë fizike dhe të tipareve racore u bënë tabu apo kishin humbur interes”, sqaron studiuesi Robert Elsie, duke shtuar se interes të veçantë ngjallin fotografitë që Coon realizoi gjatë udhëtimeve nëpër dhjetë zonat e veriut shqiptar.

Përveç tyre, me mjaft interes janë edhe fotot që mblodhi e botoi nga ana e tij Stavri Frashër në librin e tij “Përmes Mirditës në dimër”, botuar në Korçë më 1930 dhe në versionin anglisht “Through Mirdite in Winter”. Me materialet fotografike të këtyre dy autorëve, studiuesi Elsie ka ndërtuar një album të veçantë, të cilin e ka promovuar në faqen e tij këto ditë, e prej nga i kemi zgjedhur edhe ne këto ekzemplarë për t’ia prezantuar lexuesit tonë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit