Rreth 200 të dënuar në burgun e Peqinit kanë hyrë në një grevë urie dhe kanë refuzuar ajrimin, pasi sipas tyre po trajtohen në kushte jo njerëzore.
Ata i kanë dërguar një letër ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, ku shkruajnë se po përjetojnë një vuajtje të rëndë psikologjike, pasi nuk lejohen të takojnë as të afërmit.
Çdo ditë të vitit, sipas tyre, u serviret i njëjti ushqim dhe kjo i ka ulur imunitetin dhe gjendjen shëndetësore:
“Ofrimi i të njëjtës gjellë, patate në drekë për 365 ditë të vitit dhe fasule në darkë për 365 ditë të vitit, është vetëvrasëse. Po ashtu edhe uji gëlqeror gëlqeror që pimë nga rubineti ka shkaktuar e po shkakton dëme të mëdha”.
Problem tjetër për ta është mungesa e aktiviteteve:
“Ata qëllimisht lihen në kofar, për të treguar se aty do ta kalojmë jetën, duke parë TV dhe pa i ofruar asgjë, pasi punësimi si mjeti më i fuqishëm për riintegrimin dhe riedukimin mungon. Kurset për gjuhë të huaja mungojnë, kurset për kompjuter, elektriçist, hidraulik, xhenerik, saldator etj., mungojnë. Bibliotekat që ishin në klasat e sektorëve u shkatërruan dhe jo pa qëllim. Shkollimi mungon, çdo lloj aktiviteti mungon, përveçse një herë në 2 javë loja e futbollit, dhe një herë në javë mësimi i fesë”.
Të dënuarit me burgim të përjetshëm kërkojnë të kenë mundësi për leje, që të takojnë familjarët jashtë ambienteve të dënimit.
“Kemi bërë 24 vite burg. Kur do t’i takojmë familjarët? A ka shpresë për ne? Kur do të nda jepet ndonjë leje shpërblyese? Këto janë gjëra elementare, nëse nuk na i japin, le të na vrasin”, i shkruan një shtetas që po kryen dënimin në këtë burg, mediave.
Në burgun e sigurisë së lartë në Peqin janë persona me rrezikshmëri të lartë për vepra të rënda penale, ndërsa shpesh është raportuar për kushte të këqija në ambientet e dënimit.