MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Vuaj prej 3 vjetësh nga probleme me urinimin, ç’të bëj?

09.11.2021 - 11:04

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Jam një grua 47-vjeçare dhe kam një problem me urinimin. Ka 3 vjet që e kam këtë problem, por së fundmi më është agravuar. Kam bërë analizat e urinës dhe më dalin mirë. Kam bërë eko abdominale dhe më del mirë. Unë kam ndjesinë sikur dua të urinoj dhe këtë e kam gjithë ditën dhe gjithë naten. Kur urinoj, pak çaste më vonë kam një ndjenjë sikleti, jo dhimbje, as gjak në urinë, ngjyre normale. Kam një ndjenjë rëndese e sikur kam temperaturë në uretër. Nuk kam djegie gjatë urinimit, nuk është cistit sepse kam bërë analizat e nevojshme. Mendoj të jetë ndonjë problem i fshikezës apo i uretrës. Nuk e di, po mundet, ju lutem më ktheni një përgjigje se ç’duhet të bëj.

Mjeku: E nderuar zonjë, në lidhje me problemin tuaj do të thoja:

Së pari është e domosdoshme një anamnezë e detajuar (profesioni, numri i shtatzënive, mënyra e të ushqyerit, probleme të tretjes etj),

Së dyti, duhet përjashtuar çdo patologji e traktit urinar (duhet të bëni eko abdominale para dhe pas urinimit për të parë nëse shkarkohet plotësisht fshikëza e urinës. Nëse do të ishte e nevojshme më pas mund të bëni një CUM (cistoureterografia minzionale);

Së treti, duke vënë re simptomat tuaja nuk duhet përjashtuar absolutisht patologjia e rënies së organeve gjenitale. Ndaj këshilla ime është një vizitë mjekësore urogjinekologjike për të diagnostikuar këtë patologji e më pas për të marrë masat e nevojshme.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.