MENU
klinika

Vdekja e elektricistit në Memaliaj

Arrestohet drejtues i punimeve të grupit të OSSH

29.12.2021 - 11:18

Një elektricist ka humbur jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë, disa orë pasi ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë punës në Memaliaj. Kolegu i tij mbeti i dëmtuar, teksa policia ka arrestuar drejtuesin e punimeve të grupit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.

51-vjeçari me iniciale A.ZH., akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin A. Zh., 51 vjeç, banues në Memaliaj, me detyrë drejtues i punimeve të grupit të OSSH Memaliaj, pasi ditën e djeshme, gjatë riparimit të linjës elektrike në fshatin Çërrilë, Memaliaj, dyshohet se për shkak të moskryerjes së kontrollit dhe mungesës së monitorimit në punën e elektricistëve, janë dëmtuar dy elektricistë, shtetasit A. H. dhe A. M. Ky i fundit ka ndërruar jetë pas disa orësh, në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.