Nëse Shqipëria do të ishte ende nën komunizëm, me të gjitha gjasat, Sali Berisha do të ishte anëtar i byrosë politike të PPSH-së prej 25 vjetësh, kurse Edi Rama do të ishte në vitin e 17-të të burgut. Ilir Meta do të ishte drejtor i ndërmarrjes artistike Migjeni, kurse Lulzim Basha, ende pa i dorëzuar asnjë fije floku thinjave, do të ishte zëvendës i Pandi Majkos, sekretar i komitetit të rinisë, pavarësisht se ishte thinjur që në rini. Një pjesë e madhe e anëtarëve të kabinetit qeveritar do të ishin mësues shkollash tetëvjeçare në pritje për t’u transferuar në fshatra afër rrugës, që të ktheheshin me kamionët e kromit në Tiranë, njëherë në muaj për t’u larë me ujë të ngrohtë, kurse një numër mbresëlënës deputetësh të djeshëm e të sotëm, do të ishin në burg për vjedhje të pronës socialiste dhe kontrabandë. Secili nga ta, të lidhur në marrëdhënie interesi edhe pa u njohur fare me njëri-tjetrin janë, bashkë dhe veç e veç, fat për tjetrin, një fat që është tërësisht i ndryshëm nga sa parashkruante dikur për ta, teritali monoton i komunizmit. Sot Sali Berisha, non grata nga SHBA, pretendon se është antikomunist; Edi Rama merr dekoratë amerikane dhe drejton qeverinë me partinë e trashëguar nga ish-komunistët; Ilir Meta planifikon jetën përtej presidencës, pa dyshuar se hakmarrja nuk mund ta çojë më larg se dashuria; Lulzim Basha, pavarësisht armiqësisë me të gjithë, ende nuk ka vendosur të thinjet, kurse Pandi që u thinj në rini pa kaluar më parë në adoleshencë, tani në moshë të pjekur, po jeton adoleshencën e një jete që nuk e ka njohur kurrë më parë.
Gabriel Escobar, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, do të vijë në Tiranë pak orë përpara Foltores së Stadiumit Air Albania, për të diskutuar edhe “…mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”. Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA, me emrin e të cilit kanë nisur të bëjnë lojëra fjalësh në Tiranë, e di se shefin e tij në Uashington, e kanë paditur për shpifje në Gjykatën e Parisit sepse Berisha pretendon se nuk ka prova që ai është edhe i korruptuar, edhe minues i demokracisë. Por ndeshja juridike në Paris është vetëm çfarë duket. Pak më thellë ka edhe më shumë, ka edhe shumë më keq dhe ky është realisht një problem që trondit. Sovranistët e rilindur, konservatorët e rinj, neokomunistët me kravata mëndafshi dhe gjithëfarë të marrësh “gjeopolitikë” të tjerë që nuk kanë munguar kurrë në Tiranë, të bindur se janë qendra e botës dhe me mendësinë e “Zërit të Popullit” të viteve 70-të, kanë nisur të brohorasin për revolucion antibanane në Tiranë. Lideri i tyre Berisha, që një pjesë e duan, një pjesë e urrejnë ende për inerci, premton edhe shumë më shumë beteja kundër amerikanëve, fiks duke tundur flamurin amerikan. Fati deri më tani e ka penguar të bëjë lëvizjet e tij të tjera, por është çështje kohe. Ai dhe Faltorja e tij, nëse Parisi vonon apo mohon shqyrtimin e padisë, nuk do ta quajë këtë gjë fundin, por vetëm një fillim të ri, sipas avazit të vjetër që e këndojnë sot sovranistët e rinj, “Sa kohë që kam Shijakun dhe Peqinin…!”: Berisha i ka të gjitha mundësitë që ta paditë në gjykatën e Kurbinit sekretarin Blinken. Hezitimit të mundshëm të gjykatësit ish-laçian, ai mund t’i përgjigjet se shteti shqiptar, siç është i detyruar të mbrojë pavarësinë dhe tërësinë territoriale, duhet të mbrojë edhe “…dinjitetin e njeriut…”. Kështu urdhëron kushtetuta!
“Në pritje që të flasë drejtësia, unë, por gjithë të tjerët, duhet të heshtin”, do të thotë Sali Berisha nga salla e konferencave në PD-në e çliruar nga pengmarrja kryeministrore e Ramës duke mbetur edhe me larg se kurre kryeministrise.
Dhe jeta do të vazhdojë sërish njëlloj, pavarësisht se do të duket ndryshe. Rama, që nën komunizëm do të ishte në burg, mund të thirret dëshmitar në gjykatën e Kurbinit edhe nga akuza, edhe nga mbrojtja e të akuzuarit. Ata që nuk mund të ishin më shumë se mësuesë fshati, do të vazhdojnë të ministrojnë në kabinetin e tij qeveritar. Lulzim Basha, fëmija i përkëdhelur i politikës, do të vazhdojë të refuzojë të thinjet, kurse gjithë ata, që mund të ishin kontigjent burgu nën komunizëm, mund të vazhdojnë të votojnë ligje në parlament. Qoftë dhe kaq mjafton për të kuptuar epërsinë e sistemit që po tenton të ndërtohet për tre dekada në Shqipëri. Ndaj mbetet mister, pse Doktori zgjodhi Parisin, kur mund të kishte mbaruar punë në gjykatën e Kurbinit. Sa më qesharake, aq më e vërtetë, por rezultati do të ishte njëlloj në të dy rastet. Njëlloj do të ishte edhe fati i Bashës. Edhe i Ramës që, për fat, ka përballë Berishën dhe Bashën. Edhe bashkë, edhe veç e veç, asnjë ndryshim për të!