Nga Aaron MacLean “The Wall Street Journal”
Pavarësisht paralajmërimeve të bëra prej vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk janë gati për sfidat që kanë krijuar një grup autokratësh euroaziatikë. Mendësia që dominon midis popujve demokratikë dhe udhëheqësve të tyre, na kanë lënë më shumë se një herë të pambrojtur.
Prandaj kjo qasje duhet të rishikohet. Gabimi kryesor është të mendosh se burra si Vladimir Putin, Xi Jinping dhe Ali Khamenei, duan atë që duan shumica e perëndimorëve. Por kjo nuk është e vërtetë. Kërcënimi më emergjent, është se Vladimir Putin mund të pushtojë gjithë Ukrainën, ose do të përfshihet në forma të ngjashme sjelljesh të rrezikshme.
Ashtu si gjatë pushtimit të Krimesë nga Putin në vitin 2014, ekziston një ndjenjë mosbesimi ndaj guximit, por edhe një konfuzion rreth qëllimeve të tij. Një zyrtar i lartë i administratës Biden u tha gazetarëve në kushte anonimiteti më 17 dhjetor:“Popullit rus nuk i duhet një luftë me Ukrainën. Ata nuk duan që djemtë e tyre të kthehen në shtëpi në arkivole. Atyre nuk u duhet aspak një tjetër aventurë ushtarake në një vend të huaj. Ajo që duan ata është një kujdes më i mirë shëndetësor, rindërtim i infrastrukturës, rrugëve, shkollave, si dhe mundësi më të mira ekonomike”.
Referenca e qartë ndaj axhendën e brendshme të presidentit Joe Biden është qesharake. Nga ana tjetër ajo zbulon paaftësinë për të kuptuar se Vladimir Putin i vlerëson nevojat materiale të popullit rus shumë më poshtë se sa ambiciet e tij.
Ai nuk është kundër shpëtimit të krenarisë kombëtare të Rusisë përmes një pushtimi klasik irredentist, i cili mund ta ngrejë më shumë pozitën e tij politike, sesa rritja ekonomike. Edhe ata që i njohin synimet armiqësore të Putin, flasin gjithsesi me mosbesim mbi mundësinë e një lufte.
Në vitin 2014, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, John Kerry, u tall kur deklaroi mbi Putinin:“Ju nuk mund të silleni në shekullin XXI-të, njëlloj si në shekullin XIX-të, duke pushtuar një vend tjetër me pretekste krejtësisht të sajuara”.
Por ajo tallje publike nuk e pengoi Michael McFaul, që ishte ambasador i SHBA-së në Rusi gjatë viteve të presidencën Obama, të ripërsëriste batutën e tij në Twitter javën e kaluar:“Putin është një njeri i shekullit XIX-të. Por për fatin e tij tragjik, ai jeton në shekullin XXI-të!”. Duket se pozicioni i dyshes Kerry-McFaul, është se njeriu e fiton të drejtën e qytetarisë në këtë shekull sipas gjykimit të elitave perëndimore. Por kjo neglizhencë e kërcënimeve nuk është ndonjë sjellje e re. Në librin e tij të vitit 1919 “Idealet dhe realiteti demokratik”, strategu i famshëm britanik Halford Mackinder, vuri ndër të tjera në dukje se demokracia moderne është në thelb idealiste.
Ajo synon që “çdo qenie njerëzore të jetojë një jetë të përmbushur dhe me respekt për veten”. Dhe ishte pikërisht një idealizëm i tillë, ai që i la demokracitë të binin pre e udhëheqësve si kajzeri gjerman. “Demokracia refuzon të mendojë strategjikisht, derisa të detyrohet ta bëjë këtë për qëllimet legjitime të vetëmbrojtjes”- shkruante më tej Mackinder duke pasur parasysh pasojat e hidhura të Luftës së Parë Botërore.
Dhjetë vjet më herët, bashkatdhetari i Mackinder, Norman Angell, kishte botuar librin e tij më shumë ndikim “Iluzioni i madh”, duke argumentuar se lufta midis fuqive të mëdha ishte në thelb një mekanizëm i vjetruar. Ndërkohë, skena letrare e paraluftës në Perandorinë Gjermane kishte një aromë tjetër.
“Gjermania dhe lufta e ardhshme” e gjeneralit Friedrich von Bernhardi dhe vazhdimi i saj, i botuar më pas në anglisht me titull “Britania si vasalee Gjermanisë”, u shfaqën përkatësisht në vitet 1912 dhe 1913. Mackinder paralajmëroi mbi limitet e nismave idealiste si Lidhja e Kombeve, paralajmërime që mund të vlenin shumë mirë edhe për rendin ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Këto institucione dhe norma që kërkojnë të imponojnë ata, mund të ndihmojnë në menaxhimin e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, dhe pa dyshim kanë kontribuar në paqen e gjatë midis fuqive të mëdha që nga viti 1945. Por ato nuk janë vendimtare.
Fuqia ushtarake e Perëndimit –dhe veçanërisht e SHBA – dhe realiteti i tmerrshëm i armëve bërthamore, kanë qenë më të rëndësishme dhe janë ende të tilla sot. Duke pasur një përbuzje për vendosmërinë dhe seriozitetin e homologëve të tyre perëndimorë, brezi i fundit i autokratëve euroaziatikë, ka testuar metoda të reja për të arritur qëllimet tradicionale si zgjerimi territorial, madje edhe përballë koalicioneve të armatosura me armë bërthamore.
Aneksimi i Krimesë është arritja më e madhe e kësaj qasjeje të re. Këta sundimtarë ndërmarrin rreziqe, që homologët e tyre perëndimorë nuk mund të guxonin kurrë, pasi këta të fundit mendojnë ndryshe.
Ata janë të edukuar në shkollën shumë më të vështirë të politikës autokratike, dhe janë të vetëdijshëm mbi një sërë ambiciesh njerëzore, të cilat shtetet moderne liberale, janë përpjekur t’i shtypin që nga themelet e tyre të hershme në emër të paqes dhe rehatisë.
Rusia, Kina dhe Irani, paraqesin secila problemet e tyre komplekse, edhe pse të ndërlidhura midis tyre, ndërsa objektivat dhe ideologjitë e liderëve të tyre janë të ndryshme. Por ata të gjithë inkurajohen në sjelljet e tyre të pamatura dhe agresive nga fantazitë që i kanë mbërthyer prej kohësh demokracitë moderne.
Administrata Biden dhe udhëheqësit demokratikë në mbarë botën, duhet ta pranojnë se këta njerëz nuk duan atë që duam ne, dhe se “harku” i historisë nuk përkulet gjithmonë drejt drejtësisë. Edhe të këqijtë mund të fitojnë