MENU
klinika

Lërini ilaçet!

Doni të dini, se çfarë jua zgjat jetën?

01.12.2021 - 15:27

        “Lexo ku të mundësh, gjatë gjithë kohës, në çfarëdolloj kohe. Një letër, një meny restoranti, titrat gjenerike; lexoni mes ideve, lexoni midis rreshtave ose në të ardhmen. Lexo si të duash, si të mundesh, por çfarëdo që të ndodhë, lexo!”. Ka ilaçe që mund të na shpëtojnë edhe nga vetja, leximi është një prej tyre. Daniel Penak na grish të reflektojmë mbi përfitimet e leximit, për fuqinë e tij taumaturgjike ose të mrekullueshme. Ashtu si mjekësia profesionale, leximi mund të na shpëtojë nga gjithçka, madje edhe nga vetvetja./Konica.al

Fuqia e librave

Për të përjetuar relativitetin e kohës, nuk kemi nevojë të thellohemi në teoritë e Ajnshtajnit, apo të përdorim ndonjë aparat teknologjik të kohës, mjafton të hapni një libër dhe të kridheni në brendësinë e faqeve të tij. Pasi të zhyteni, do ta shihni se dalëngadalë do filloni të mos e ndjeni kohën, madje ajo do shndërrohet përfundimisht në një mjegullnajë të hollë, duke na izoluar nga bota e jashtme. Nuk ka asgjë, si një libër, i aftë të ndalojë kohën dhe të na zgjatë jetën, më saktë ta pezullojë atë në një dimension të imagjinatës mirëfilli. Mbase-mbase vetëm dashuria, shprehet Daniel Penaku. Librat, ashtu si dashuria, kanë fuqi të jashtëzakonshme në këtë kuptim, duke na lejuar të udhëtojmë në kohë, ta ngrijmë ose ta zgjatojmë atë, në varësi të librit që mbajmë në duar ose puthjes që marrim. /Konica.al/Kështu, në të atilla kohë të vështira, e vetmja fushpamje e lirë e botës që mbetet është ajo që na ofrojnë librat (dhe ndjenjat). Kini kujdes, mos mendoni se ky është një kufizim! Pamja që hapet para nesh është më e pakufishmja dhe më e jashtëzakonshmja, që mund të kishim imagjinuar ndonjëherë. Kësisoj, sot, nesër dhe gjithmonë, le të hapim librat dhe të mbështetemi në fuqinë e tyre për të udhëtuar në kohë, por edhe për të thyer barrierat, për të grisur velin që na pengon të jemi të lumtur, të njohim veten dhe botën. Nëse duam të jetojmë, le të shfletojmë librat. Ky është mesazhi që na përcjell Daniel Penak përmes fjalëve të tij.

I lindur më 1 dhjetor 1944, mësues i gjuhës frënge në një shkollë të mesme, Daniel Penak është autor eklektik: romancier, dramaturg, madje edhe komik. Në librat e tij, të shkruar me një stil humoristik dhe surreal, tregohen aventurat e Malosenës dhe familjes së saj të madhe, të vendosura në Belvij, një lagje piktoreske e Parisit, ku jetojnë së bashku grupe të ndryshme etnike. Në esenë “Si roman” (1995), Penak harton dekalogun e të drejtave të lexuesit. Në veçanti, për shkrimtarin, një lexues duhet të jetë i lirë: të mos lexojë; të kapërcejë faqet; të mos mbarojë një libër; të rilexojë; të lexojë çfarëdolloj gjëje; të jetë i pasionuar dhe të identifikohet; të lexojë kudo; të cimbisë aty-këtu; të lexojë me zë të lartë; të heshtë. Pra, për autorin leximi nuk është imponim dhe detyrim, por një zgjedhje e vullnetshme, dhe pikërisht atëherë mund të rezervojë befasinë e një kënaqësie të papritur. Librat na ndihmojnë të jetojmë, ata ndikojnë thellë në realitet ose “na paralajmërojnë për pasojat e veprimeve tona”. Mirëpo, janë edhe ato vëllime që na bëjnë të zbulojmë bukurinë e të jetuarit, që na ndihmojnë të kapërcejmë frikën dhe të ndërtojmë, hap pas hapi, identitetin tonë si të rritur./Konica.al

 

”Koha për të lexuar, ashtu si koha për të dashuruar, zgjat kohën e të jetuarit”