MENU
klinika

Shpallet në kërkim qiramarrësi

E kishte kthyer apartamentin në katin e dytë në shtëpi bari

15.12.2021 - 10:23

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin policor antikanabis të koduar “Rent”, teksa ka zbuluar në katin e dytë të një pallati një apartament të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe zbulimin e ambienteve të përshtatura për kultivim të kanabisit me anë të llambave, pas një pune gjurmuese, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për një ambient të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, nga strukturat e hetimit të krimit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Rent”.

Gjatë këtij operacioni, në lagjen nr. 13, Durrës, nga kontrolli në banesën e marrë me qira nga shtetasi I. A., e cila ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, u gjetën dhe u sekuestruan 2 kg lëndë e dyshuar cannabis sativa e tharë, e bërë gati për shitje, 110 vazo në të cilat ishin kultivuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, 19 llamba dhe pajisje të tjera elektrike.

Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve polciore, shtetasi që kishte marrë me qira këtë apartament nuk është gjetur në banesë. Shtetasi I. A. është shpallur menjëherë në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.

 

 

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.