MENU
klinika

Pushteti i dashurisë

Kush ishte Shën Nikolla i mrekullive

06.12.2021 - 11:56

        Shën Nikolla (260 ose 280- 343)

Shkruan, Don Lush Gjergji:

Shën Nikolla lindi në Patari, Turqia e sotme, nga prindërit Epifanio dhe Gjonja. Ata qysh nga fëmijëria e kanë edukuar mirë në fenë e krishterë. Fatkeqësisht vdiqën mjaft të ri nga tifusi, duke mbetur Nikolla bonjakë, si dhe trashëgimtari i vetëm i tërë pasurisë së tyre.


Sipas gojëdhënës, ai kishte dëgjuar se një njeri i varfër i kishte 3 bija për fejesë dhe martesë, por nuk kishte mjete financiare për këtë. Prandaj vendosi t’i “shiste” dhe detyronte bijat e veta që nëpërmjet prostitucionit t’i fitonin paratë e nevojshme për martesë.

Nikolla duke pasur mëshirë dhe zemër të mirë, natën, në heshtje dhe pa e parë askush, e gjuajti shumën e parave në oborrin e tyre për t’i ndihmuar e sidomos për t’i shpëtuar nga mëkati.

Pas këtij veprimi kishte qenë në shtegtim në Tokën e Shenjtë, dhe mu aty kishte vendosur të ecte gjurmëve të Jezu Krishtit, të bëhej meshtari i tij. Qe shuguruar meshtar në Mira. Pas vdekjes së ipeshkvit të vendit mbarë populli e kërkonte, pothuaj e detyruan që ta pranonte detyrën e bariut të tyre.

Në shërbimin apostolik ishte treguar shumë i zellshëm dhe tejet i mirë. Perandori Diokleciani i kishte burgosur në vitin 305 dhe qe liruar nga burgimi nga Kostantini i Madh në vitin 313. Ishte pjesëmarrës në Koncilin e Nicesë në vitin 325, së bashku me shumë ipeshkvij nga mbarë bota, ndër të cilët ishin edhe dy nga viset tona, nga Dardania – Daku dhe një tjetër nga Stobi. Shumica prej tyre ishin ende me shumë plagë apo gjymtyrë të cunguara nga përndjekjet romake.

Vdiq në vitin 343 në zë shenjtërie. Edhe gjatë jetës, e sidomos pas vdekjes, bënte shumë mrekulli.

Eshtrat e tij u bartën na Mira në Bari më 9 maj 1087, pjesërisht në Venedik diçka më vonë, diku në vitin 1099.

Porosia për ne sot:

Shën Kolli ishte së pari njeri i lutjes, përshpirtërisë dhe fesë, dhe shi nga kjo erdhi deri te gjesti i bamirësisë, “lirisë” shpirtërore, duke dhuruar gati tërë pasurinë për ta ndihmuar familjen në nevojë, për t’i mbrojtur prej mëkatit.

Pas kësaj zbuloi të vetmen pasuri – Jezu Krishtin, të cilit ia kushtoi jetën, së pari në meshtari, më vonë edhe në shërbimin apostolik.

Vuajtja, burgimi 8 vjeçar e përforcoi edhe më tepër në fe, shpresë dhe në dashuri.

Ishte mbrojtës i pathyeshëm i të vërtetave të fesë në Koncili e Nicesë, së bashku me ipeshkvijtë tjerë.

Gjatë jetës ishte mrekullibërës, si dhe gjatë gjithë shekujve, si urëlidhës mes Lindjes dhe Perëndimit, si shenjt i ekumenizmit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kuteli i gjuhës shqipe...

“E madhe është gjëma e mëkatit”