MENU
klinika

Nga 21 janari tek vrasja e deputetit Xhindi

Si kanë ecur hetimet për ngjarjet e bujshme

02.12.2021 - 09:42

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka deklaruar dje se çështjet e nxehta si ngjarja e 21 janarit 2011, vrasja e deputetit socialist Fatmir Xhindi apo gjyqtarit Skerdilajd Konomi janë nën hetim. 

I ftuar në Komisionin e Sigurisë për një seancë dëgjimore për ngjarjet e fundit kriminale, kreu i Policisë nuk preferoi të japë shpjegime për fazën në të cilën ndodhet hetimet, por pranoi se ato janë ende të hapura. Në përgjigje të interesit të deputetëve, Nano nuk dha detaje për hetimet e disa prej ngjarjeve më të bujshme në vend, si vrasja e 4 protestuesve më 21 janar 2011, deputetit të PS-së Fatmir Xhindi në vitin 2009, apo ajo e ndodhur në mes të Vlorës në vitin 2011, ku u vra gjyqtari Skerdilajd Konomi. Deputeti i PD-së Ervin Salianji ngriti dyshime për përdorimin e operacionit Forca e Ligjit që sipas tij, është përdorur nga ish-drejtuesi i Policisë për qëllime elektorale në funksion të zgjedhjeve të 25 prillit. Salianji hodhi akuza se ajo ishte ngritur vetëm për të ekspozuar emra që nuk i bindeshin PS-së dhe bënin fushatë për të.

Kreu i Policisë së Shtetit u shpreh se OFL-ja ka funksionuar, por për shkak të numrit të lartë të volumit një pjesë e tyre janë dërguar për hetim nga SPAK-u dhe një pjesë tjetër në gjykatat e rretheve. Sa i përket vrasjes së ish- kryetarit të Komunës së Velipojës Pashk Ujka, Nano u shpreh se nuk mund të japë informacion, pasi kjo ngjarje është nën hetim ashtu si edhe disa ngjarje të tjera për të cilat deputetët shprehën shqetësimin e tyre. Drejtori i Policisë deklaroi se vrasja e 8-vjeçarit në Fier ishte tronditëse, ndërsa tha se 5 ditë para krimit makabër ai ishte kontrolluar nga inspektori i zonës. Gjatë seancës dëgjimore, Nano u shpreh se operacioni për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet në Siri do të vazhdojë, ndërsa theksoi se deri tani nuk ka asnjë incident apo rast që përbën kërcënim të sigurisë kombëtare nga afganët e strehuar në vend.

DISKUTIMET

Xhemal Qefalia: A ka shpresë për zbulimin e vrasjeve të deputetit Fatmir Xhindi në vitin 2009 dhe gjyqtarit Skerdilajd Konomi në mes të Vlorës në 2011?

Gledis Nano: Nuk dua të jap asnjë detaj lidhur me hetimin e këtyre ngjarjeve, pasi është sekret hetimor. Dua t’ju them se këto janë të dyja çështje ende në hetim.

Bardhyl Kollçaku: A ka diçka të re për 21 janarin qoftë për hapjen e hetimeve apo nga Prokuroria? Është shumë e rëndësishme të zbardhet kjo ngjarje e rëndë në mes të bulevardit ku kanë vdekur 4 vetë.

Gledis Nano: Për ngjarjen e pazbuluar të 21 janarit, kjo ngjarje përbën sekret hetimor dhe kjo çështje është në hetim. Nuk dua të flas më gjatë.

Ervin Salianji: Ka dyshime publike që OFL-ja është përdorur për qëllime politike nga ish-drejtori i Përgjithshëm i saj, për të ekspozuar persona të caktuar që nuk i bindeshin PS-së, me premtimin që do iu hiqej damka e OFL-së. Ndaj pas 25 prillit, u pre me thikë. Ndërkohë, ndaj ishte edhe e qëllimtë që nuk çoheshin të gjithë emrat për t’u hetuar më pas nga SPAKu dhe prokuroritë. Ka edhe ish-deputetë të PS-së, që nuk janë përmendur.

Gledis Nano: Operacioni Forca e Ligjit, sipas aktit normativ nr.1, ka pasur shtrirje gjatë vitit 2020. Një numër i konsiderueshëm të referimeve për këtë qëllim janë dërguar në SPAK dhe janë duke u hetuar nga SPAK-u. Ndërkohë, një numër ende i konsiderueshëm që për shkak të kohës nuk janë dërguar në SPAK, vazhdojnë të dërgohen pranë prokurorive të rretheve gjyqësore. Ka dhe një numër të caktuar referimesh të këtyre çështjeve që janë në shqyrtim nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit lidhur me konfiskimet e këtyre pasurive.

Antoneta Dhima: A ka pasur Policia informacione shtesë apo kontrolle ndaj autorit të vrasjes së 8-vjeçarit në Fier?

Gledis Nano: Çalamani nuk ka qenë jashtë vëmendjes se është kontrolluar dhe verifikuar nga Policia. Ky person ka qenë i arrestuar dhe i dënuar për heqje lirie. Pas daljes së tij, nuk ka pasur informacione lidhur me tendencën e tij kriminale. Informacionet për të kanë qenë për vepra penale në fushën e vjedhjes. Klodian Çalamin është verifikuar disa herë të gjitha këto janë të dokumentuara. Me datë 11 nëntor, ka qenë informacioni i fundit për vjedhje. Ngjarja është kryer më 16.

Xhemal Qefalia: A keni shifra se si është numri i vrasjeve në vend krahasuar me vendet e rajonit?

Gledis Nano: Numri i vrasjeve në Shqipëri është më pak se vendet se Bullgaria dhe Rumania. Numri i vrasjeve ka një trend ulës, nëse shikojmë grafikun nga 2005 deri në 2021. Ulja e numrit të vrasjeve është barometri kryesor për situatën e krimit. Dua t’ju siguroj se angazhimi i Policisë do jetë edhe më i madh për të parandaluar.

 Ervin Salianji: Ajo që shqetëson opinion publik në vend janë ngjarjet e rënda pa autor. Nga viti 2014 deri në vitin 2019, janë 382 vrasje nga të cilat 120 janë pa autor. Janë 758 atentate me të plagosur ku pjesa më e madhe e tyre janë pa autor. A mundet që me të njëjtën strukturë dhe njerëz të keni sukses për zbulimin e ngjarjeve pa autor? A mendoni se po tregohet pafuqi e Policisë së Shtetit për një reagim të fuqishëm? A shikoni që ka një sofisitikim të grupeve kriminale? A ka informacione për zbulimin e vrasjes së ish-kryetarit të Komunës së Velipojës dhe ish-deputetit Pashk Ujka dhe disa ngjarje të tjera?

Gledis Nano: Ju përmendët 382 nga këto 120 janë ngjarje të pa zbuluar apo vrasje pa autor. Duhet të kuptojmë që një figurë krimi si ajo e vrasjes është e vështirë për t’u zbuluar. Jo në të gjitha rastet zbulohet. Kanë ndodhur vrasje apo krime edhe në vendet e zhvilluara apo perëndimore, ku ngjarje të caktuara nuk janë zbuluar në kohën rekord siç është edhe pritshmëria. Investimi për zbulimin e këtyre ngjarjeve të pazbardhura kërkon kohë, por të jeni të sigurt që angazhimi është maksimal dhe nuk pushon në asnjë moment. Një pjesë e madhe e punës së Policisë së Shtetit është e padukshme, pasi lidhet me parandalimin. Me ngjarjet e pazbuluara që u përmendën, unë dua t’ju sqaroj se kemi hetime që do të jenë rezultative në një kohë të shpejtë në lidhje me ngjarjet e pazbuluara, por nuk mund të japë asnjë informacion për shkak se përbën sekret hetimor. Grupet kriminale investojnë shumë në sofistikimin e mënyrës së kryerjes së aktivitetit kriminal, pasi kanë dhe mundësinë për ta bërë këtë punë qoftë edhe nga ana financiare. Ne këtë drejtim, Policia ka kërkuar rritjen e buxhetit me qëllim që t’i përgjigjet sa më profesionalisht me një forcë goditëse dhe efikase këtyre grupeve kriminale, duke cenuar rendin dhe sigurinë në vend.

Ferdinand Xhaferraj: Si e komentoni deklaratën e ministrit për paraardhësin tuaj që do t’i përfundojë kandili? Si ndiheni ju si pasardhës i tij?

Gledis Nano: Në lidhje me deklaratën e ministrit Çuçi, nuk mund të komentoj asnjë deklaratë ministri. (Deklarata e Çuçit për Ardi Veliun).

Ferdinand Xhaferaj: Në bazë të kërkesave, sa ka qenë kërkesa për buxhetin e 2022 dhe sa u është dhënë? 24 miliardë? Dhe sa u është dhënë? Koncesion për sigurinë rrugore, 5 miliardë lekë? Veprimet për të shkuar në vendngjarje janë të vonuara? Pse ndodh kjo? Ngritja e kontrollove. Si ka mundësi për ngjarjen në Astir, si u dogj makina? Nuk ka masa? Sa është fondi i planifikuar për shpërblimin e bashkëpunëtorëve. Sa informacione ka Policia nga SHISH-i? Sa janë shpërblyer?

Gledis Nano: Shkuarja me vonesë në ngjarjet kriminale. Kemi plane operacionale që vendosin në shërbim të gjitha strukturat kur ka ngjarje kriminale ku bllokohet i gjithë qyteti. Në ngjarjet e fundit kemi shikuar planin dhe duhet të kenë një reagim më të shpejtë. Që prej një muaj kemi iniciuar grupe pune lidhur me strukturimin e Policisë. Analizë të të gjitha ngjarjeve dhe nevojave të Policisë. Lidhur me fondin, ne kemi një fond që e përdorim për operacionet. Nëse duhet shifër mund t’jua sjellim me shkrim në një moment tjetër.

Denis Deliu: A do të vazhdojnë operacionet e Policisë së Shtetit për rikthimin në atdhe të shqiptarëve që janë në Siri?

Gledis Nano: Patjetër që po, ky është një operacion në vazhdim dhe nuk do të mbarojë derisa të kthehet në Shqipëri, shqiptari i fundit. Është edhe vullnet i qeverisë. Ne i kemi dhënë provat se dimë ta bëjmë atë punë dhe do ta realizojmë. Për shkak të punës atje dhe pa cenuar sigurinë e askujt, duhet të presim pak derisa të zhvillohet operacioni i radhës.

Bardhyl Kollçaku: Para disa muajsh, u bënë spekulime se ardhja e afganëve në Shqipëri do të krijonte probleme për sigurinë?

Gledis Nano: Ardhja e afganëve për t’u strehuar në Shqipëri nuk ka paraqitur ndryshim të situatës së sigurisë, pavarësisht se nga ana e Policisë janë angazhuar më tepër kapacitete dhe energji lidhur me krijimin e kushteve të sigurisë dhe për vetë këta persona. Nuk ka pasur asnjë problem dhe asnjë ndikim në lidhjen e situatën e sigurisë në vend.

Lindita Metaliaj: A është zbatuar standardi i gradave në emërimet në Policinë e Shtetit?

Gledis Nano: Riqarkullimi i së njëjtave figurave në PSH, dua të sqaroj që të gjitha lëvizjet janë bërë në bazë të aftësive të tyre dhe të konsultuara. Në lidhje me ndryshimin e drejtorëve dhe gradat. Ka një VKM të 2016-ën që e lejon lëvizjen e gradave edhe kur nuk e kanë.

Lindita Metalia: Banorët e Shënkollit kanë marrë armë me leje, kryesisht çifte në mënyrë që të mbrojë jetën dhe pronën?

Gledis Nano: Sa i përket vjedhjeve në Lezhë, DVP-ja e Lezhës, që hetojnë krimet e vjedhjes janë angazhuar dhe kemi hetime që shumë shpejtë do të japin rezultat. Në lidhje me vjedhjet në Shënkoll janë marrë masat.