MENU
klinika

Nga Mero Baze

Përpjekja amerikane për të ndarë Sali Berishën nga populli shqiptar

14.12.2021 - 21:24

Qeveria amerikane u detyrua sot t’i përgjigjet Sali Berishës lidhur me sulmet ndaj ambasadores Yuri Kim, duke i kujtuar se ajo përfaqëson presidentin e SHBA dhe politikën amerikane në Shqipëri, ndërsa ai nuk përfaqëson as popullin shqiptar.

Përgjigjja e qeverisë amerikane vjen pas sulmeve të përditshme brutale që Sali Berisha po bën ndaj ambasadores amerikane në Shqipëri, sekretarit të Shtetit Blinken dhe mbi të gjitha, pas përpjekjeve të tij të qarta për të krijuar një front anti-amerikan në Shqipëri.

Në përgjigje theksohet dhe fakti që politika e damkosjes së Sali Berishës është një politikë e mbështetur nga presidenti Biden.

Thelbi i deklaratës së qeverisë amerikane transmetuar nga Zëri i Amerikës, është përpjekja për të zhveshur demagogjinë e aksionit politik të Sali Berishës, i cili po përpiqet të fitojë mbështetje politike kundër SHBA, në emër të një aksioni politik, që ka vënë në qendër uzurpimin e Partisë Demokratike.

Strategjia e Berishës është që të jetë i përfaqësuar politikisht në ballafaqimin me SHBA dhe ndëshkimin që ajo i ka dhënë, dhe që mund të thellohet. Ashtu siç u shpëton shpesh prej gojës disa propagandistëve të vet, Berisha ëshët duke synuar pozicionin e Dodikut në Bosnjë, ku amerikanët janë të detyruar të ulen në Presidencën treshe të Bosnjë Hercegovinës dhe me të në tavolinë, edhe pse është në listën e zezë.

Problemi është se Bosnja është fryt i Marrëveshjes së Dejtonit, ku SHBA ka investuar reputacionin e saj, dhe interesi strategjik i SHBA është ruajtja e Bosnjës së bashkuar, ndërsa i Dodikut është pikërisht ndarja e Republika Srbska më vete.

Ndryshimi është se populli serb i Republika Srbska, është vërtet një popull anti-amerikan dhe sipas tyre, është i ndëshkuari nga Marrëveshja e Dejtonit. Për këtë arsye ata e urrejnë me shpirt SHBA, që i ka lënë me Bosnjën. Dodik i përfaqëson ata si nacionalist dhe pro-rus.

Problemi i Sali Berishës, ashtu siç e ka thënë qartë deklarata e sotme e qeverisë amerikane, është se nuk përfaqëson popullin shqiptar, pasi populli shqiptar është pro amerikan. Madje dhe vet PD është partia më pro amerikane në Shqipëri në gjenezën e saj, pavarësisht manipulimeve populiste të Berishës, në përpjekjeje për të shpikur një betejë me Lulzim Bashën.

Pra qëllimi i Berishës është uzurpimi i PD me shpresë se kështu do të gjunjëzojë SHBA dhe do ulet në tryezë me të.

Siç e ka theksuar i dërguar special i SHBA për Ballkanin, Eskobar, në javën që shkoi, SHBA do të izolojë çdo organizatë apo parti që ka në krye një person të dizajnuar si “non grata” nga SHBA. Ndaj Berisha ëndërron kot pozitën e Dodikut. Madje Dodiku nuk e ëndërron atë pozicion që ka. Ai as që do t’i shikojë me sy amerikanët, por është i detyruar të ulet me ta. Ai me qejf ulet e rri gjithë ditën me Putinin.

Kështu që Berisha kur të imitojë Dodikun, duhet të imitojë gjithë dëshirat e tij dhe jo vetëm imponimin për t’u ulur në tryezë me SHBA.

Në Shqipëri ai është i izoluar dhe drejt një procesi gjyqësor familjarisht për pasuritë e tij, edhe sikur të krijojë parti të re, edhe sikur të uzurpojë çdo ditë PD-në e ta lëshojë prapë në mbrëmje. Asgjë nuk ja ndryshon fatin në raport me SHBA, përveçse vdekja fizike. Ajo politike ka ndodhur.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN