MENU
klinika

Nga Mero Baze

Pse Berisha po trembet nga thirrjet që SPAK duhet të fillojë hetimet ndaj tij?

27.12.2021 - 21:15

Sali Berisha duket se e ka marrë seriozisht thirrjen e Roland Bejkos, një zyrtari të Partisë Demokratike, që SPAK të nisë hetimet ndaj Sali Berishës dhe familjes së tij, pas shpalljes në listën e zezë të SHBA. Thirrja e Bejkos nuk është ndonjë shpikje. Është praktikë normale që është ndjekur me të dizajnuarit e tjerë në këtë listë, si Adriatik Llalla apo Tom Doshi. Madje Tom Doshi ndryshe nga Berisha, ka lënë dhe mandatin e deputetit, edhe pse nuk është detyrim ligjor. Pra ka vendosur një standart etik më të lartë se Berisha.

Në të vërtetë, më shumë se sa thirrje për heitm, kjo është një kujtesë për mosveprim të drejtësisë ndaj një familje e cila është dizajnuar në vendimin e Departamentit të Shtetit si minuese e demokracisë, përfituese e fondeve shtetërore nga keqpërdorimi i pushtetit, si dhe shantazhuese e sistemit të drejtësisë për interesa të veta apo bashkëpunëtorëve të tyre.

Të treja pistat janë kauza të gatshme për Sali Berishën. Si minues i demokracisë atij mund t’ia fillojnë akuzat lirshëm, që nga ndikimi personal që ka pasur në arrestimin e liderit të opozitës Fatos Nano, shkatërrimin e zgjedhjeve të vitit 1996, roli i tij në vrasjen e Azem Hajdarit, dhe më pas në gjithë zhvillimet politike në vend.

Si shantazhues i drejtësisë do të mjaftonte qëndrimi i tij pas shfaqjes së emrit të djalit të tij në biznesin e Gërdecit, sulmi ndaj kryeprokurores dhe sistemit të drejtësisë në tërësi në këtë rast, sulmi ndaj gazetarëve që hetonin lidhjet e djalit të tij me atë biznes, deri tek New York Times e më pas mbrojta që i bëri Fatmir Mediut dhe kërcënimi ndaj ish- shefit të Shtabit të ushtrisë, që u detyrua të arratiset në SHBA.

Akoma më e rëndë është përballja me situatën kriminale më 21 janar 2011, mosdorëzimi i oficerëve të Gardës për hetim, fshirja e serverit të Kryeministrisë që kishte filmuar ngjarjen, pista politike që shpiku për ngjarjen që ajo të mos hetohej, komisioni parlamentar hetimor që shantazhonte presidentin, kryeprokuroren dhe gazetarët që zbardhën historinë etj.

Sa për përfitime financiare për shkak të detyrës, ai mund të hetohet që nga kontrabanda e naftës me Milosheviçin përmes kompanisë “Shqiponja” në periudhën 1993- 96, ku faktet janë në raportet e OKB si dhe gazetat me serioze botërore të asaj kohe (New York Times- https://www.nytimes.com/1995/04/02/ëorld/embargoed-fuel-sent-to-serbs-via-albania.html).

Apo gazeta të tjera si The Guardian, Indepedent etj, mund të vazhdohet me rolin e tij në skemat piramdile në 1997, dhe këtu mund të merren dëshmitë e Genc Pollos dhe Tritan Shehut, që e kanë akuzuar se familjarë të tij kanë përfituar miliona që i kanë investuar në SHBA, dhe fakte të tjera që janë publike.

Pas ardhjes në pushtet më 2005, kemi përfshirjen e vajzës së tij në pastrim parash me biznesmenin serbo- boshnjak Damir Fazllic, çështje që u pezullua në gjykatë, për “mosardhje dokumentash në kohë nga Qipro”, histori e sekserllëqeve të vajzës së tij me investitorë të huaj që u kërkonte 3 milionë euro për një firmë të babait kryeministër, histori e djalit të tij në kthim e kompesim pronash në Vlorë dhe Ksamil, nga ku rojet e tij dilnin me nga 30 hektarë tokë, përfshirja në Gërdec si grup kriminal, dhe në histori të tjera tenderash dhe privatizimesh në vend, të cilat janë të gjitha publike në shtyp.

Shto këtu dhe gruan e Sali Berishës, që vinte në rresht biznesmenët me ftesë nga tatimet që ti blinin pikturat për bamirësi me çmime që nuk shitet as Picaso dhe në fund as merrnin dhe pikturat, pasi thjesht e dinin sa e kishin gjobën.

Të famshme janë fotot e saj me Rezart Taçin dhe rojet e tij, persona në kërkim, që firmosnin nga 25 mijë euro për të blerë bluzën e Kaka-s për bamirësi pas ndeshjes me Gramozin.

Pra Bejko nuk ka bërë ndonjë shpikje. Thjesht i ka kujtuar SPAK se duhet të bëjë detyrën ndaj Berishës, siç e ka bërë ndaj Doshit dhe Llallës. Dhe natyrisht që do të vijë një ditë që do ta bëjë. Por duke u vonuar dhe duke bërë sikur nuk e ka mendjen, SPAK në fakt po bën pa dashje politikë penale me një familje e cila tani duhet të ishte e gjitha nën hetim.

Paratë e korrupsionit, më shumë se kurdoherë tjetër tani po investohen në median e familjes Berisha, e cila siç del dhe nga publikimi i listës së pagave, ka bërë një aleancë me një tjetër personazh të akuzuar nga drejtësia shqiptare për pastrim parash, dhe ai paguan gazetarë për llogari të propagandës së kësaj familjeje, e cila është në kulmin e angazhimit për financimin e një lëvizjeje anti-amerikane në Shqipëri, duke shantazhuar dhe PD-në zyrtare.

Lajm i mirë është se i vetmi që është trembur seriozisht nga thirrja e Bejkos, është Sali Berisha. Sot portali i familjes së tij ishte perpjekur të bashkonte në një aleancë Partinë Socialiste dhe PD-në e Bashës, pse kërkojnë hetimin e Berishës nga SPAK. PS ka një jetë që kërkon hetimin e Berishës. PD e ka për herë të parë që ka kërkuar nga një politikan i saj. Dhe sot Sali Berisha duket i trembur. Media e tij e paguar në të zezë akoma më shumë. Dhe ka logjikë pse është trembur. Më mirë se PS dhe PD, ai e di vetë se çfarë ka bërë. Ndaj është i trembur.