MENU
klinika

Detaje nga hetimi

Si biznesmeni shqiptar mori identitet të rremë për në Angli

04.12.2021 - 15:22

Nje tjetër rast falsifikimi identiteti është zbuluar nga dosja hetimore e skandalit të madh që ka përfshirë Greqinë, ku kriminelë shqiptarë janë pajisur me identitet tjetër, përmes pasaportave të falsifikuara, me qëllim për t’iu shmangur drejtësisë. Mediat greke bëjnë me dije se një 49-vjeçar shqiptar i kishte paguar 50 mijë euro grupit kriminal, në vitin 2015 dhe kishte siguruar një kartë identiteti dhe një pasaportë, me të cilat udhëtoi drejt Londrës bashkë me familjen e tij dhe aty ngriti një biznes.

Biznesmeni shqiptar më 6 qershor 2021, i shoqëruar nga avokati i tij, si dhe nga një dëshmitar i rremë, shkuan në një Komisariat policie në Greqi, ku deklaruan humbjen e dokumenteve dhe kërkuan rinovimin e tyre.

I vetëdeklaruari si shtetas grek ‘rusopond’ (grek me prejardhje nga Bashkimi Sovjetik) me emrin “Damiar Hasenov”, në fakt nuk dinte asnjë fjalë greqisht dhe komunikoi me oficerët në anglisht.

Kur shqiptari u paraqit duke u prezantuar si Damian Hasenov dhe paraqiti dokumentacionin përkatës, punonjësja e policisë vuri re që disa nga firmat e tij ishin të ndryshme dhe filloi të dyshojë.

Në sistemin elektronik vuri re se fotografitë që ishin vendosur në pasaportat e lëshuara për të ishin të ndryshme. Gjithashtu rezultoi që edhe adresa e banimit që kishte dhënë dëshmitari i rremë, ishte false.

Pas një procedure hetimore, 49-vjeçari zbuloi se ishte nga Shqipëria dhe quhet N. E., lindur në Tiranë. Menjëherë ndaj tij nisi ndjekja penale për falsifikim dhe u informua sektori për Çështjet e Brendshme për rastin. E çuditshmja është se grupi kriminal nuk i la këto të dhëna të falsifikuara të shkonin dëm.

Disa ditë pas zbulimit të rastit, u zbulua se këto të dhëna ishin përdorur për nxjerrjen e një karte identiteti tjetër nga Komisariati i Distomos. Madje drejtuesi i Komisariatit Aspropirgo telefonoi drejtuesin e policisë në Axarnon që zbuloi identitetin e dyfishte të shqiptarit, por edhe drejtuesin e policisë në Distomo që kishte nxjerre kartë identiteti në emrin Damiar Hasenov, duke kërkuar informacion përtej kompetencave të tij.

Ndërkohë kanë dalë për mase sigurie 13 të arrestuarit e parë, nga të cilët vetëm tre janë lënë në “Arrest në burg”, një punonjëse policie, një punonjëse e gjendjes civile dhe një shtetas shqiptar. Pritet të merret masa edhe për 7 të tjerë.