MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 12

Tirana fundos Kastriotin, Teuta rikthehet te suksesi

07.12.2021 - 19:44

Ashtu siç pritej, Tirana nuk ka falur edhe në ndeshjen e radhës, duke mposhtur Kastriotin 3-0 në “Air Albania” dhe duke u shkëputur me 4 pikë provizorisht nga Kukësi i vendit të dytë.

Ishte Taulant Seferi ai që zhbllokoi ndeshjen në minutën e 22-të me një goditje që prek shtyllën e djathtë të portierit dhe përfundon në rrjetë. Bardheblutë luajnë më të lirshëm dhe shënojnë edhe të dytin në fundin e pjesës së parë.

Taulant Seferi është përsëri ai që realizon. Topi i rikuperuar nga Ngoo, u shfrytëzua mjaft mirë nga sulmuesi, i cili me një parabolë kaloi portierin e Kastriotit. Në pjesën e dytë, në 74’, Ngoo çoi shifrat në 3-0, duke mbyllur praktikisht sfidën.

Ndërsa ndeshja Dinamo-Teuta është vendosur nga një autogol i portierit Bakaj. Pas një goditje nga këndi, portieri del dhe me grushtimin e tij dërgon sferën në rrjetë. Kjo ndodhi në minutën e 51-të.

Durrsakët rikthehen te fitorja pas 5 ndeshjeve në Superligë, ndërsa Dinamo pëson humbjen e dytë radhazi dhe rrezikon të bjerë në zonën e ftohtë.