MENU
klinika

Shkarkimi i ish kryetarit Berisha nga forumet

VOA: Vazhdojnë tensionet në Partinë Demokratike

19.12.2021 - 20:30

Në Shqipëri, përkrahësit e opozitës po kalojnë një fund-javë të trazuar me ngjarje kontradiktore në radhët e tyre.

Një pjesë iu bashkuan Kuvendit të Partisë Demokratike, që përjashtoi ish kryetarin Sali Berisha nga çdo funksion partiak, ndërsa ky i fundit thirri një referendum të anëtarësisë për shkarkimin e kryetarit të Partisë, Lulzim Basha.

Zhvillimet në radhët e opozitës u përshpejtuan nga shpallja e zotit Berisha dhe familjes së tij si nongrata për SHBA-të, si dhe prej përjashtimit të tij nga grupi i deputetëve opozitarë.

Kuvendi i PD-së, që përjashtoi personat non grata nga postet drejtuese të partisë dhe referendumi për shkarkimin e kryetarit të partisë u zhvilluan njëkohësisht, ndërsa përkrahësit e opozitës ndiqnin me shqetësim votimet në të dy anët e angazhuara për legjitimitet kundër njëra tjetrës.

Të dy palët deklaruan rezultatet në fund të ditës; Kuvendi i Partisë vendosi të largojë të gjithë personat me non grata nga SHBA-ja prej forumeve të saj drejtuese.

Ndërsa ish kryetari Berisha, i shkarkuar nga të gjitha detyrat në PD, deklaroi se kishte mbledhur rreth 44 mijë vota në një referendum të anëtarësisë paralel me Kuvendin, Pas përjashtimit nga SHBA-të dhe nga forumet e PD-së, ish kryetari Berisha u shpall nga kryetari aktual Basha si një person që tashmë i përket të kaluarës dhe se ai nuk ka më asnjë punë me PD, e cila zgjodhi të ardhmen.

“Rrugët e Sali Berishës me PD janë ndarë, ai është e shkuara dhe ne jemi ndarë nga kjo e shkuar. Ai është vetëpërjashtuar nga partia me veprimet dhe sjelljet e tij qesharake, por tashmë është përjashtuar nga grupi parlamentar, nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar” – tha zoti Basha.

Zoti Basha theksoi se PD është pastruar nga hijet e të kaluarës, gjendet më pranë qytetarëve dhe ajo është fokusuar përballë regjimit të Edi Ramës, ka shpallur luftën totale kundër korrupsionit qeveritar për të larguar klikën që mban pushtetin me vota të vjedhura, duke kthyer vendin në normalitet”.

Ndërsa ish kryetari Sali Berisha shpalli rezultatet e referendumit me afro 44 mijë votues demokratë, nga të cilët afro 43 mijë e 400 votash ishin pro të shkarkimit të zotit Basha.

Zoti Berisha tha se ky ishte ndëshkimi për një person të padenjë në atë detyrë, dhe se zoti Basha ka humbur besimin e demokratëve.

Ai ftoi deputetët demokratë dhe drejtuesit vendorë të partisë, që të verifikojnë votimin dhe të reflektonin për rezultatet e refendumit, sepse, sipas tij, ky ishte një revolucion, që nuk do ta pengojnë dot.

Kryetari Basha dhe ish kryetari i partisë po përplasen publikisht prej disa muajsh qyshkur SHBA e shpallën non grata zotin Berisha dhe familjen e tij për korrupsion dhe për këtë shkak zoti Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar.

Zoti Basha ka deklaruar se nuk do të lejojë që PD të përdoret nga askush si bunker për të fshehur problemet personale dhe se PD nuk do të hedhë kurrë në votim vendimet e SHBA-ve pro luftës kundër korrupsionit dhe në mbrojtje të demokracisë.

Ish kryetari Berisha, e nisi reagimin e tij fillimisht “për të mbrojtur dinjitetin personal” dhe po e kulmon me një lëvizje “për rithemelimin e partisë”.

Diplomatët amerikanë i kërkuan publikisht zotit Basha që ta largojë zotin Berisha nga grupi parlamentar dhe janë shprehur se nuk takohen me persona non grata si Sali Berisha dhe nuk do të komunikojnë me PD-në, nëse ai kthehet aty.

Prej së paku dy vjetësh përfaqësia diplomatike amerikane në Shqipëri u ka kërkuar publikisht partive politike shqiptare që të mos përfshijnë në listat e deputetëve dhe drejtuesve të tyre persona me rekorde kriminale.

SHBA dhe BE janë mbështetësit kryesorë të një reforme të thellë që po kryhet në sistemin gjyqësor të Shqipërisë, pas pastrimit të të cilit priten më të forta kundër korrupsionit në nivele të larta shtetërore dhe politike.

Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes në klinikën dentare të Roland Xhaxhos

Ekspertiza e Brian Spahiut do të kryhet nga një grup mjekësh italianë

Një itinerar udhëtimi nëpër fshatra, ferma, shtigje e rafting

‘Forbes’ zgjedh Shqipërinë për aventurë emocionuese

"Do ketë ndikim të dëmshëm në mbrojtjen e refugjatëve"

Ligji për Ruandën, OKB thirrje Britanisë së Madhe: Rimendojeni!