MENU
klinika

Humb jetën i burgosuri shqiptar në Maqedoni

Vuante nga kanceri, u la pa asnjë ndihmë mjekësore në qeli

19.12.2021 - 12:39

Azbi Kaba, një shqiptar nga Peshkopia, i cili vuante nga kanceri, u la të vdiste në burg në Idrizov të Maqedonisë së Veriut, pa asnjë ndihmë. Ngjarja e rëndë u bë me dije për Report Tv nga burime brenda burgut në Idrizov.

47 vjeçari Kaba ishte diagnostikuar prej 5 muajsh me kancer, e pavarësisht kësaj nuk ishte shtruar në spital, e nuk iu dha asnjë mjekim e asnjë ndihmë. Ai vdiq sot në 10 të mëngjesit në qeli.

Në vizitën e parë dhe të fundit që kishte bërë në spital, mjekët i kishin dhënë Kabës vetëm 2 muaj jetë, e megjithatë autoritetet e lanë atë të vdiste në qeli, ku e të vetmen ndihmë e merrte nga shokët e tij në burg. Pavarësisht gjendjes në të cilën ndodhej 47-vjeçari dhe trajtimit që i bëhej në burg, asnjë përfaqësues nga Ambasada Shqiptare në Shkup nuk e vizitoi atë.
Në burg nuk kishte mjekë, ndërsa Kabës nuk iu dhanë as edhe një qetësues për t’i lehtësuar dhimbjet. Ai ishte i dënuar me 7 vite burg pasi ishte kapur me drogë, ndërsa i kishin mbetur për të shlyer edhe 4 vite. Të burgosur të tjerë shqiptarë në këtë burg të Maqedonisë vuajnë dënimet të braktisur totalisht nga autoritetet shqiptare. Qelitë janë të mbipopulluara dhe të burgosurit pa të drejtat elementare.