Kryeministri Rama theu rekordin që kryeministrat e mëparshëm që nga viti 1990 nuk e kishin arritur. Në 25 prill, Partia Socialiste u shpall fituese e zgjedhjeve parlamentare duke siguruar për herë të parë për një parti politike mandatin e tretë radhazi qeverisës. Nga ana tjetër, maxhoranca vendosi edhe një standard të ri.
Gramoz Ruçi, numri i dy i socialistëve për shumë vite dhe shumë kryeministra, vendosi të dorëhiqet nga mandati i fituar në Fier dhe të largohet përfundimisht nga politika aktive. Por, zgjedhjet e 25 prillit nxorën jashtë politikës edhe figura si Pandeli Majko, ish-Kryeministër i suksesshëm i socialistëve.
Majko, deputet në gjashtë legjislatura, u vendos poshtë listës fituese të partisë socialiste duke mos arritur votat e nevojshme për të thyer herësin, mbi 10 mijë vota për t’u bërë fitues. Ndërsa Fatmir Xhafaj, i cili edhe ishte vendosur poshtë listës fituese, arriti të thyejë herësin dhe të zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
Moskandidimi i personave të shpallur “non grata” nga Shtetet e bashkuara të Amerikës, si Tom Doshi, krijoi debat të fortë parazgjedhor. Ambasadorja amerikane Yuri kim në mënyrë të përsëritur i kërkoi KQZ të mos e lejojë të kandidojë, ndërkohë që këtë nuk e penalizonte ligji zgjedhor.
Pas zgjedhjeve, Tom Doshi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Por, ky vit pati dhe zhvillime të forta sa i takon Reformës në Drejtësi. Ishministri i Mjedisit, Lefter Koka, u arrestuar nga SPAKu nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
Viti 2021, për Edi Ramën dhe partinë socialiste është një rekord për t’u arritur nga partitë e tjera. por ky vit pati dhe plot zhvillimet që shënjuan rrugëtimin e maxhorancës, por dhe vendit. Për herë të parë në politikën e jashtme, Shqipëria për herë të parë, pas 65 vitesh nga anëtarësimi në OKB, u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB, mandat që ushtrohet për dy vite.
Ndërsa në nismat rajonale, kryeministri Rama bashkë me presidentin serb Vuçiç dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veiut, Zaev firmosën marrëveshjen e bashkëpunimit të “Open Balkan”. Efektet e para të kësaj marrëveshjeje kanë filluar. Rindërtimi i pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit 2019 dhe lufta ndaj covid19 ishin dy objektivat kryesore të qeverisë e cila angazhoi fonde të mëdha dhe njerëz për t’ia dalë.
Një tjetër sfidë e qeverisë ishte edhe strehimi i refugjatëve afganë të cilët përmes operacionti ndërkombëtar u shpërngulën nga Kabuli i rënë në duart e talebanëve. Për këtë akt mirëpritjeje, Kryeministri Rama u nderua me çmimin e solidaritetit nga Organizata “Vital Voices Global Partnership” në SHBA, për mikpritjen që Shqipëria iu bëri refugjatëve afganë, duke ofruar për ta strehim, arsimim, shërbime mjekësore, e mbështetje psiko-sociale. Çmimi iu dorëzua Kryeministrit Rama, nga ish-Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, zonja Hillary Clinton, njëkohësisht dhe një nga themelueset e organizatës.
5 janar
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, kanë marrë detyrën si ministra. Xhaçka zëvendësoi ministrin në detyrë Gent Cakaj, i cili kaloi këshilltar i Kryeministrit, ndërsa Peleshi zëvendësoi Xhaçkën në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.
6 janar
Kryeministri Rama vizitë zyrtare në Turqi, pritet me ceremoni kalorsiake, Erdogan e ndihmon me ndihma para zgjedhjeve. Presidenti turk premton ndërtimin e Spitalit Memorial të Fierit brenda tre muajve, të pajisur me pajisje moderne dhe me mjekë turq.
8 janar
Kryeministri Rama pas Turqisë, zhvillon vizitë zyrtare në Greqi. Fillimisht në një takim gati tri orë kokë më kokë me ministrin e Jashtëm Dendias dhe më pas drekë informale në shtëpinë e Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Rama përcjell mesazhet e Presidentit turk Erdogan, ndërsa Greqia do të ndihmojë Shqipërinë me 1500 vaksina anti-COVID.
22 janar
Shqipëria ka dëbuar sekretarin e dytë të Ambasadës së Rusisë në Tiranë. Ministria e Jashtme ruse reagoi menjëherë. “Ky është një provokim i qartë që synon përkeqësimin e marrëdhënieve ruso-shqiptare dhe, natyrisht, ky hap jomiqësor nuk do të mbetet pa përgjigje”, komentoi zëvendësministri i Jashtëm rus Grushko.
29 janar
Kryeministri Edi Rama premtoi nga Pogradeci se “së shpejti hapet edhe kantieri i madh i Lungogjolit, pas sigurimit të financimit e përfundimit të projektit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit”.
3 shkurt
“Shqipëria s’ka kohë për pushim”, ku është slogani i socialistëve për fushatën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit. Videoja shoqëruese e sloganit pasqyron projektet e rindërtimit të pasojave të tërmetit dhe nisjen e vaksinimit ndaj Covid-19
4 shkurt
Pak para zgjedhjeve parlamentare, ish-kryetari i PS-së Fatos Nano është rishfaqur në publik duke mbështetur lidershipin e Edi Ramës. Për Nanon, Sali Berisha i realizon qëllimet e tij me mënyra konfliktuale, ndërsa tek Ilir Meta ai sheh pjesën më të madhe të mëkateve kryesore të Biblës.
8 shkurt
Ministria e Jashtme ruse vendosi largimin si persona “non grata” të Jonida Drogut, sekretares së parë të Ambasadës shqiptare në Moskë. Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë në një deklaratë për mediat sqaron se ky hap ndërmerret nga Rusia si përgjigje e vendimit të Shqipërisë për të larguar nga vendi përmes një preteksti sekretarin e parë të Ambasadës ruse në Tiranë.
8 shkurt
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, tha se ish-deputeti socialist Tom Doshi, aktualisht kryetar i Partisë Socialdemokrate, nuk duhet të kandidojë, pasi ai figuron në listën e zezë të personave që Departamenti Amerikan i Shtetit ua ndalon hyrjen në SHBA.
21 shkurt
Kryeministri Rama do të përfshijë në listat e Partisë Socialiste edhe deputetë të opozitës parlamentare. Kjo si një detyrim për votën që ata kanë dhënë gjatë dy viteve që kanë qenë në Parlament, pas djegies së mandateve nga partitë e tyre që i kandiduan. Bëhet fjalë për Ylli Shehun, Reme Lalën dhe Edmond Rrushin në Tiranë, si dhe Ediola Brahajn në Gjirokastër.
5 mars
Kryeministri Rama përfshiu në listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet 25 prillit inxhinieren e ndërtimit, arkitekten Luljeta Bozo dhe mjeken Najada Çomo, shefe e Spitalit Infektiv.
8 mars
Kryesia e Partisë Socialiste nuk u shpëtoi debateve në lidhje me listën e kandidatëve për deputetë, kryesisht për listën e Tiranës. Zëvendëskryeministri Erion Braçe ka shprehur habi që drejtuesi i Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, të jetë jashtë listës fituese. Ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, duke iu drejtuar Kryeministrit Rama, i ka kërkuar që të mos kandidojë “persona të lidhur me inceneratorët, gjakderdhje financiare, lavatriçen e betonit, krimin, PPP-në”.
8 mars
Partia Socialiste dorëzon në KQZ listën e kandidatëve për deputetë, poshtë listës fituese Pandeli Majko, Mimi Kodheli dhe Fatmir Xhafaj, vijnë emra të rinj. Rama: Partitë nuk janë muzeume!
21 mars
Ish-Kryeministri socialist Pandeli Majko, i 19-ti në listën e Tiranës, tha se “nëse nuk bëhem deputet, iki nga politika”. “Padyshim do të filloj një jetë tjetër. Kam dy diploma, që besoj janë të mjaftueshme për të vazhduar përpara në udhëtimin tim”, tha Majko.
30 mars
Raporti i DASH për Shqipërinë për të drejtat e njeriut, Antony Blinken: Mosndëshkimi mbetet problem serioz, zyrtarët të paprekshëm. “Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes dhe zyrtarët shpesh përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar”, thuhet në raport.
4 prill
Kryeministri Rama tha në një intervistë për “News24” se nëse humbte zgjedhjet, nuk do të bënte si Sali Berisha, ndërsa përjashtoi një qeverisje me LSI-në. “Do t’i shërbej Partisë Socialiste, por në asnjë mënyrë duke bërë atë që s’më takon”, tha Rama.
8 prill
Kreu i qeverisë, Edi Rama, tha se synimi i tij është që vendi të bëhet me 4 aeroporte dhe 4 porte turistike. Rama tha se mes tyre janë edhe ai i Korçës dhe Gjirokastrës, të cilët i cilësoi si aeroporte sportive për charter-a deri në 12 vende.
11 prill
Plas skandali, dalin në publik të dhënat konfidenciale për 910 mijë votues të Tiranës në selinë e Partisë Socialiste. Dokumenti përmban të dhënat personale, si numrat e telefonit, numrin e kartës së identitetit, numrin e qendrës së votimit, vendin e punës për shumicën e të regjistruarve dhe një përshkrim të përkatësisë politike për secilin prej qytetarëve të Tiranës.
18 prill
Kryeministri Edi Rama u ul dje me “Lasgushin” e “Air Albania” në aeroportin e ri të Kukësit bashkë me udhëtarët e ardhur nga Londra. Kryeministri e quajti premtim të mbajtur uljen e parë të avionit në aeroportin e Kukësit “Zayed – Flatrat e Veriut”.
21 prill
Kryeministri Rama shprehet se nëse PS nuk merr 71 vota, unë iki, do t’ia delegoj një tjetri. “Partia Socialiste do të vazhdojë, por unë nuk do të bëj asnjë bashkëpunim nga halli, unë s’jam më i gatshëm të bëj me askënd”, tha Rama.
21 prill
Spitali Rajonal Memorial i Fierit u inaugurua, siç ishte premtuar nga Presidenti turk Erdogan, në prag të zgjedhjeve parlamentare. Spitali është një financim prej 70 milionë eurosh, i cili u realizua falë mbështetjes së shtetit turk dhe u ndërtua në një kohë të shkurtër, prej tre muajsh.
26 prill
Vëzhguesit ndërkombëtarë publikojnë raportin paraprak për zgjedhjet e 25 prillit. ODIHR: Zgjedhjet ishin transparente, të qeta dhe të organizuara mirë. “Shitblerja e votave mbetet problem serioz në Shqipëri, që ka një ndikim negativ te besimi i publikut në procesin zgjedhor”, thuhet në raportin paraprak.
27 prill
Partia Socialiste feston fitoren e zgjedhjeve me një miting në sheshin “Skënderbej”. Rama vlerëson patronazhistët, fton Bashën për bashkëpunim. “Ne i shtrijmë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë, konkret, demokratik, pa asnjë paragjykim a kufizim, Partisë Demokratike”, tha Rama.
30 prill
Fatmir Xhafaj thyen herësin dhe bëhet deputet. Pandeli Majko jashtë Kuvendit: Isha në top 10, më “dogji” sistemi. “Siç do të thoshte im atë, ndjesë pastë: ‘19-ta kërkon leje për t’u ulur në aeroport’”, u shpreh ish-Kryeministri socialist.
3 maj
PS, kërkesë për shkarkimin e Presidentit Meta: Bëri thirrje për dhunë, i njëanshëm në fushatë. Firmosin 49 deputetë të PS-së, mes të cilëve dhe dy deputetë të opozitës parlamentare. “Deklaratat e Presidentit kanë cenuar marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”, thuhet në kërkesë.
4 maj
Në Shqipëri nis stërvitja ushtarake e NATO-s “Defender Europe”, tre gjeneralë amerikanë me 6 mijë trupa “pushtojnë” Durrësin. Gjenerali amerikan Tod Walters: Që nga pranimi në NATO, kemi një Shqipëri më të sigurt, një Mesdhe dhe Europë më të sigurt.
3 qershor
Kreu i qeverisë gjatë një vizite në Turqi flet për ndërtimin e fabrikës së 7 llojeve të vaksinave. “Teknopark Albania”, për kompanitë “HighTech”, “Start Up”-et e kërkimin shkencor, disa nga projektet e diskutuara me ministrat e qeverisë turke.
10 qershor
Kryeministri Rama priti në Pallatin e Brigadave Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, si dhe Komisioneri Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi. Varhelyi: BE do të japë 30 miliardë euro investime për Ballkanin Perëndimor.
10 qershor
Për herë të parë, pas 65 vitesh nga anëtarësimi i Shqipërisë në OKB, Shqipëria zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pas lobimit të fortë me vendet anëtare, Shqipëria mori 175 vota nga 117 të nevojshme, ndërsa do të jetë anëtare për vitet 2022-2023.
12 qershor
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, deklaroi në Kongresin e PS-së që u mblodh në stadiumin “Air Albania” se do të largohej nga politika aktive, duke mos pranuar mandatin e deputetit të qarkut të Fierit. “Ju garantoj të gjithëve se aq sa të më punojë mendja dhe zemra do të jem dhe do të mbetem një socialist i denjë, do të jem një familjar dhe mbi të gjitha, një gjysh i përkryer”, tha Ruçi.
2 korrik
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar qeverinë për teatrin dhe pezullon ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Gjykata nuk gjen 5 vota pro për shqyrtimin e vendimit të Këshillit Bashkiak Tiranë për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.
9 korrik
Kryeministri Rama, apel kryebashkiakëve: Mos u përzieni në tenderë, do digjeni nga drejtësia. “Qeveria do kalojë nga dënimet me gjobë, te denoncimet në SPAK, kur shkeljet përbëjnë një dyshim të arsyeshëm për tender korruptiv”. Sipas studimit në 47 bashki, prokurimet publike zhvillohen vetëm me një garues.
13 korrik
Kryeministri Rama kërcënon ministrat për tenderët publikë: Do t’ju çoj në SPAK nëse s’merren masa. “A është i qëllimshëm, a është thjesht injorancë në raport me hetimet shtetërore, këtë çështje indiferentët ta shpjegojnë me avokatin e tyre”, u shpreh Rama.
15 gusht
Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria nuk do t’u thotë “Jo” Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kërkojnë strehimin e afganëve që kanë bashkëpunuar me Aleancën kundër talibanëve. Rama ka konfirmuar lajmin e publikuar nga “Reuters” se Shqipëria është në bisedime me SHBA-në për strehimin e afganëve të lidhur me Amerikën, që u rrezikohet jeta nga talibanët.
1 shtator
Një ditë para shpalljes së kabinetit të ri qeverisës, deputeti i Partisë Socialiste Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit, lë mandatin. “Është gjithmonë e vështirë të ndalësh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël”, shkruan Koka në “Facebook”.
2 shtator
Asambleja kombëtare e PS-së zgjodhi me votim të fshehtë 12 anëtarët e rinj të Kryesisë së re. Nuk pati asnjë propozim alternativ përveç emrave që propozoi Edi Rama. Belinda Balluku me 207 vota nga lista e grave dhe Ditmir Bushati me 204 vota nga lista e burrave janë më të votuarit nga asambleja.
2 shtator
Kryeministri Rama prezantoi emrat e rinj të kabinetit të tij, duke vendosur një rekord gjinor, me 12 ministre gra dhe vetëm 4 ministra burra. Duke bërë publikë para asamblesë kombëtare emrat e ministrave, ra në sy riemërimi i 8 ministrave të qeverisë “Rama 2”, ndërsa Pandeli Majkon e “dogji” ristrukturimi i kabinetit.
10 tetor
Qeveria vendosi shpalljen e emergjencës në furnizimin e energjisë elektrike dhe bën publik planin e emergjencës: Mbrojmë familjet nga rritja e çmimit. Qeveria i ofron 200 milionë euro kompanisë së shpërndarjes së energjisë për blerjen e energjisë në tregun ndërkombëtar.
4 nëntor
Gjykata Kushtetuese njohu si të ligjshme zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Pas këtij vendimi pritet të zhvillohen zgjedhje në 7 bashki, 30 ditë pas dekretit të Presidentit, të cilat drejtohen pa kryetarë të zgjedhur.
9 nëntor
Kryeministri Rama tha se përdorimi i satelitëve dhe i dronëve inteligjentë do ta ndryshojnë krejtësisht cilësinë e aktivitetit të Policisë dhe institucioneve të tjera në kontrollin e territorit. “Do ta kontrollojmë Policinë dhe vendin nga qielli. Gjithçka do të kalojë te një sy tjetër, që është lart, që nuk ka kushërinj, nuk ka miq, nuk ka parti, nuk ka asnjë lidhje emocionale”, tha Rama.
26 nëntor
Kryeministrat Rama dhe Kurti nuk e fshehën aspiratën e tyre për një bashkim të Kosovës me Shqipërinë përmes një referendumi. Pas mbledhjes së shtatë të përbashkët të dy qeverive të zhvilluar dje në Elbasan, Rama në mënyrë figurative tregoi se ku qëndrojnë dallimet mes tyre sa i takon Ballkanit të Hapur. Kurti: Le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë.
28 nëntor
Festa e Pavarësisë, Rama e Meta në detyrimin zyrtar për të qenë bashkë. Ceremonia zyrtare në Sheshin e Flamurit dhe në Monumentin e Pavarësisë. Asnjë shtrëngim duarsh apo mesazh urimi në Vlorë mes Kryeministrit dhe Presidentit.
7 dhjetor
Kryeministri Edi Rama u nderua me çmimin e solidaritetit nga Organizata “Vital Voices Global Partnership” në SHBA, për mikpritjen që Shqipëria iu bëri refugjatëve afganë, duke ofruar për ta strehim, arsimim, shërbime mjekësore, e mbështetje psiko-sociale. Çmimi iu dorëzua Kryeministrit Rama nga ish-Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, zonja Hillary Clinton, njëkohësisht dhe një nga themelueset e organizatës.
15 dhjetor
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka është arrestuar nga SPAK me akuzat “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
15 dhjetor
Kryeministri Rama e cilësoi çështje individuale dhe jo politike arrestimin e Lefter Kokës nga SPAK për aferën e inceneratorit të Elbasanit.
20 dhjetor
Kryeministri Rama shtroi mbrëmë darkën zyrtare të samitit “Open Balkan” me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin maqedonas Zaev në Elbasan. Por ajo që bie në sy është prezenca në këtë samit e Jim O’Brien, kreut të Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, i cili është në rang ambasadori, njëkohësisht edhe përfaqësues i Këshillit Atlantik.