MENU
klinika

Kosova vazhdon të jetë e izoluar

Liberalizimi i vizave/ 10 vjet nga lancimi i dialogut

19.01.2022 - 12:25

Sot bëhen 10 vjet prej kur Komisioni Evropian ka lansuar dialogun për liberalizimin e vizave për Kosovën. Një dekadë më pas, Kosova është i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor që s’ka liberalizim të vizave. Kosovarët vazhdojnë të presin para ambasadave të shteteve të BE-së për t’u pajisur me viza shengen.

Para një dekade më 19 janar 2012 Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Cecilia Malmstrom kishte qëndruar në Kosovë për të prezantuar dialogun për liberalizimin e vizave dhe ishte takuar me ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe ish-ministren për Integrim Evropian, Vlora Çitaku.

Në qershor të vitit 2012, Komisioni Evropian i kishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave i cili kishte identifikuar masat legjislative dhe institucionale që Kosovë do duhej t’i miratojë dhe zbatojë për të përparuar drejt liberalizimin e vizave.

Më 4 maj 2016, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave dhe i kishte propozuar Këshillit të BE-së heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

KE kishte konfirmuar sërish më 18 korrik 2018 se Kosova ka përmbushur edhe dy kërkesat për liberalizim të vizave, konkretisht ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe për arritjet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Parlamenti Evropian poashtu në shtator 2018 kishte votuar me shumië votash pro liberalizimit të vizave për Kosovën.

Edhe pse dy institucionet e BE-së(Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian) janë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, ky regjim është ende në fuqi për kosovarët.

Këshilli i BE-së ende nuk e ka futur në agjendë votimin për liberalizimin e vizave për Kosovën shkaku i mosunitetit të disa vendeve anëtare siç janë Franca e Holanda që janë skeptike për heqjen e vizave për Kosovën.

Ndryshe, qytetarët e vendeve të rajonit tash e 11 vjet lëvizin lirshëm pa viza brenda zonës shengen.

Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë liberalizim vizash nga viti 2009, ndërkaq Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina nga viti 2010./Express