Sot shënohen 11-vite nga protesta e 21 janarit të vitit 2011 ku mbetën të vrarë 4 protestues në bulevardin dëshmorët e kombit.
Më 21 janar humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, që u dënua nga apeli me 1 dhe 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” .
Pas më shumë se një dekade nga ngjarja, prokuroria e Tiranës rinisi hetimet për 4 viktimat Hekuran Deda, Aleks Nika, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj dhe plagosjen e 6 të tjerëve. Policia dorëzoi në prokurori letër kërkesën, ku u kërkua ri-ekspertim hetimor, një ditë para mbushjes së dhjetë viteve nga ngjarja e rëndë.
ABC zbardhi më herët kërkesat e policisë për rihetimin e vrasjes së katër protestuesve. Specifikisht policia kërkoi riinspektim të predhës së gjetur në trupin e Aleks Nikës, nëse ka laboratorë për ekzaminime kriminalistike ne vendet e BE- se dhe jashtë saj që janë në gjendje ta ekzaminojnë atë.
Në kërkesat e uniformave blu kërkohej riinspektimi hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes për vrasjen Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës, dhe plagosjen e Fatos Mahmatajt, Sokrat Godes, Erald Bisha, Artes Dybelit, lia Qeskos dhe llia Papas. Kërkohej gjithashtu marrja në pyetje efektivëve të Gardës dhe personave pjesëmarrës në tubim, të afërm të viktimave dhe personave dëshmitarë që kanë qenë pranë tyre në momentin e ngjarjes.
Lexo edhe: Kërkesat e policisë për rihetimin e 21 Janarit, predha në trupin e Aleks Nikës të dërgohet jashtë vendit
Ngjarja e 21 janarit 2011:
Ngjarja e 21 janarit të vitit 2011 është një ndër më të dhimbshmet në vendin tonë, ku mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Protestues të shumtë iu drejtuan kryeministrisë duke kundërshtuar rregullat e vendosura nga qeveria.
Vendi në atë kohë ishte nën drejtimin e ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe Garda e Republikës nga aty ku u qëllua ndaj 4 qytetarëve që mbetën të vdekur ishte nën komandën e Ndrea Prendi.
Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.
Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika e 21 Janarit 2011 u shpallën “Dëshmorë të Atdheu”.