MENU
klinika

Planeti i Kuq si shpëtim prej apokalipsit...

A jeni gati, të shkoni në Mars? Jua ”garanton” Elon Musk!

16.01.2022 - 19:13

       Njeriu më i pasur në botë dhe CEO i SpaceX, veç të tjerash, ka pasur prej kohësh një vizion të tijin për të ndërtuar një qytet të ri në Planetin e Kuq.

Më poshtë, do të mësoni gjithçka rreth këtij projekti ambicioz nga data kur pritet të ndodhë, arsyet pse Musk do ta ndërmarrë këtë nismë të vështirë dhe deri tek ajo, se, çfarë mendojnë rivalët e tij në lojë, si Jeff Bezos.

Çfarë është Qyteti Mars?

Musk planifikon të ndërtojë një qytet me përmasa reale mbi sipërfaqen e planetit Mars. Banorët do të jenë njerëz të zakonshëm, jo vetëm shkencëtarë, apo studiues. Ata që do të jenë të interesuar të shkojnë në Mars do të paguajnë për udhëtimin me kredi. Sapo të mbërrijnë, ata do të kenë mundësi ta shlyejnë atë, duke u punësuar në ndërmarrje të ndryshme nga fabrikat e hekurit e deri tek piceritë.

Sipas deklaratave të kompanisë së Musk, Starlink, qyteti do të jetë i lirë të qeveriset si të dojë edhe pse kjo do të binte në kontradiktë me Traktatin e Hapësirës Kozmike të vitit 1967, ku thuhet se çdo koloni, apo aktivitet në hapësirë do të mbetej nën juridiksionin e shtetit i cili e nis atë.

Në vitin 2019, Musk llogariti që qytetin në Mars do të kushtonte 100 miliardë – 100 trilionë dollarë, duke marrë parasysh që kushton 100,000 dollarë për çdo 1 ton materiale të dërguara në Mars.

Përse po mundohet Elon Musk, të ndërtojë një qytet në Mars?

Qëllimi kryesor i tij është të transformojë njerëzimin në një specie multiplanetare.

Ndër vite, ai ka renditur një listë arsyesh përse njerëzimit mund t’i duhet ta zgjerojë prezencën në univers. Një arsyeje që ai e përmend shpesh, është një ngjarje e mundshme katastrofike në Tokë – si një meteor, apo një skenar i mundshëm apokaliptik i ngrohjes globale – që do të mund të sillte fundin e jetës në tokë – por, nëse ne do të kishim një bazë në Mars, atëherë kjo do të mund të garantonte vazhdimësinë tonë.

Veç këtyre, Musk e quan këtë mision edhe një arsye për t’u argëtuar dhe ëndërruar. Ai nuk është i vetmi që ka propozuar kolonizimin e një planeti tjetër – prof. Stephen Hawking ka bërë një propozim të ngjashëm në vitin 2017, duke sugjeruar se njerëzimi duhet të dilte në hapësirë brenda 100 viteve nëse dëshiron të mbijetojë.

Pavarësisht kësaj ama, astrofizikanti Martin Rees e ka quajtur këtë lloj botëkuptimi ‘një deluzion të rrezikshëm, pasi fokusi ynë kryesor, për momentin duhet të jenë ndryshimet klimaterike në tokë’.

Kur i lindi ideja Elon Musk për të ‘pushtuar’ Marsin?

Njeriu më i pasur në botë, ka deklaruar se kjo ka qenë dëshirë e kahershme e tij, që në vitet e adoleshencës, kur ai frymëzohej nga librat e shkencës dhe romanet fantastiko-shkencorë. Më vonë, Musk themeloi kompaninë e tij të famshme SpaceX që ka sfiduar vetë atë NASA. Në 2007, para se SpaceX, të kishte nisur raketën e parë në orbitë, Musk deklaroi se po punonte për të ndërtuar një bazë në Hënë dhe Mars.

Si do të ndërtohet ky Qytet Marsian?

Anija kozmike ‘Starship’ është qendrore në këtë mision – ajo është një raketë disapërdorimëshe, që do të mundësojë dërgimet e njerëzve dhe mallrave në Mars. Kjo anije do të mund të dërgojë 100 ton ose 100 njerëz në hapësirë, në një udhëtim të vetëm. Ajo përdor oksigjen të lëngshëm dhe metan si karburant, që do të thotë se eksploruesit do të mund të fluturojnë për në Mars, të rimbushin anijen me resurse të pranishme në planetin e kuq dhe të nisen sërish për në Tokë.

Sipas planeve të tij, astronautët mundet edhe të vazhdojnë udhëtimin nëpër hapësirë në vend që të kthehen në tokë, duke bërë të mundur një rrjet të tërë udhëtimesh ndërhapësinore, ku ata do të mund të ndalonin nga një planet në tjetrin, për t’i rimbushur anijet kozmike në stacionet përkatëse.

Ç‘mendim ka Jeff Bezos, për Qytetin Marsian nga Elon Musk?

Jo të gjithë bien dakord më vizionin e Musk, për të ngritur një industri ndër hapësinore. Jeff Bezos ama, është një nga rivalët e tij në këtë fushë, duke qenë se përveç të famshmes Amazon, ai ka themeluar edhe kompaninë Blue Origin, që në vend të kolonive në Mars, preferon të ndërtojë qytete gjigante, që, do të lundronin në orbitë rreth e rrotull Tokës.

Sipas fizikantit Gerard K. O’Neill, ideja e ndërtimit të një qyteti në Mars, nuk do të ishte ideale. Arsyet kryesore ishin këto:

Për një udhëtim vajtje-ardhje në Mars, do të duheshin të paktën disa vite – orbitat e Tokës dhe Marsit takohen vetëm një herë në 22 muaj dhe një udhëtim i vetëm do të kërkonte të paktën disa muaj.

Komunikimi mes Tokës dhe Marsit, nuk do të ishte i shpejtë, si pasojë e distancës. Për të dërguar një sinjal në Mars, duhen të paktën 20 minuta.

Në vend të kësaj, Bezos preferon modelin e O’Neill të kolonive që pluskojnë rreth orbitës së Tokës, të cilat do të mund të mbanin rreth 1 trilionë njerëz.

Përgjigja e Musk, për këtë ama ishte kjo: “Kjo s’ka asnjë kuptim. Në mënyrë që ta zmadhosh këtë koloni do të duhet të transportosh sasi të mëdha mase nga planetë, hëna, apo asteroide të tjerë. Do të ishte njësoj sikur të ndërtojë SHBA-në në mes të Oqeanit Atlantik” – tha ai.

Si do të dukej Qyteti Marsian?

Gjatë një prezantimi në vitin 2017 të Kongresit Ndërkombëtar të Astronautikës, Musk publikoi disa imazhe të pamjes, apo dizajnit të qytetit marsian.

Ai do të ndërtohej mbi një seri bazash, që më vonë do të kishin mundësi të zgjeroheshin.

Sa do të kushtojë një biletë me anije kozmike për të shkuar në Mars?

Në vitin 2019, Musk deklaroi se një biletë vajtje-ardhje në Mars do të kushtonte rreth $500,000 dollarë fillimisht, por se do të mund të zbriste në $100,000 dollarë gradualisht.

Sipas Musk, bileta do të duhej të arrinte çmimin e një shtëpie në SHBA. Kështu, ata që do të niseshin për Mars, do të mund të shisnin shtëpitë dhe të shpërnguleshin përfundimisht, në Planetin e Kuq.

A do të mund ta popullojë Marsin, Elon Musk?

Mbase jo gjatë jetës së tij, por Musk ka disa ide mjaft interesante.

Në selinë qendrore të SpaceX gjenden dy imazhe të mënyrës sesi do të dukej planeti Mars, para dhe pas ndryshimit.

Popullimi – është përpjekja për të bërë një planet tjetër të ngjashëm me tokën.

Temperatura e sipërfaqes së Mars, për momentin është një mesatare prej minus 63 gradësh Celsius. Ideja e Musk është që të ngrohë polet e planetit të kuq duke shkarkuar sasi të mëdha dioksidi karboni të ngrirë. Kjo do të bëhej e mundur me anë të një serie të vazhdueshme shpërthimesh nukleare – që do të shërbenin si diej artificialë.

Nëse kjo arrihet, atëherë atmosfera e planetit Mars do të ishte më e përballueshme për qeniet, njerëzit, duke e bërë të mundur për ata që të ecin nëpër planet, duke përdorur një aparat të thjeshtë frymëmarrjeje.

Kjo ama, është thjesht një teori e shkruar në letër. Të paktën, për momentin.

Në praktikë, shumë shkencëtarë kanë dyshimet e tyre, sidomos për sa i përket faktit se, në Mars, nuk ka mjaftueshëm CO2 për të mundësuar ngrohjen e propozuar nga Musk.

Sidoqoftë, shkencëtarët po vazhdojnë të punojnë dhe të ëndërrojnë. Në fund të fundit, sipas parashikimeve të njeriut më të pasur në botë, anija e parë me banorët e rinj të Marsit, mund të niset jo më vonë se vitit 2024.

Ndaj, nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të vazhdojnë të ndjekim lajmet e fundit nga Musk, i cili i ka vënë vetes një afat përfundimtar dhe ai është vitit 2050, kur sipas Musk, qyteti i tij i ri në Mars, do të jetë tërësisht i vetëqëndrueshëm dhe do të ketë plot 1 milionë banorë.

Atë vit, Musk mbush plot 79 vjeç.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit