MENU
klinika

The Economist

A po ndodh ndryshimi i madh në Lindjen e Mesme?

22.01.2022 - 07:15

The Economist

Slogani i rebelëve Houthi, të cilët kontrollojnë pjesën veriore të Jemenit, është i qartë: “Vdekje për Izraelin dhe mallkim për hebrenjtë”. Pra, nuk ishte tronditëse kur rebelët përzunë hebrenjtë. Ajo që mund të jetë tronditëse është se ku shkuan disa nga ata hebrenj.

Jusuf Hamdi dhe familja e tij arritën të shpëtonin falë një misioni të të organizuar nga OKB-ja, Amerika, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2021. Hamdi dhe familja e tij më pas humbën mundësinë për të shkuar në Izrael, dhe në vend të kësaj u bënë hebrenjtë e parë nga Jemeni që u vendosën në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Emiratet e Bashkuara Arabe i ofruan mundësi shumë të mira: një vilë pa qira, makinë, dhe çeqe mujore. E gjithë kjo është pjesë e një përpjekjeje për të  ndërtuar komunitete të reja hebreje në vend. Që kur qeveria e shpalli vitin 2019- vit të tolerancës dhe zyrtarisht njohu ekzistencën e hebrenjve në Emiratet e Bashkuara Arabe, ata kanë hapur qendra dhe restorante të reja, raporton abcnews.al

Gjatë festivalit të Hanukkah vitin e kaluar, shteti vendosi menorah( shandanë) të mëdha në sheshet e qytetit. Vendi gjithashtu planifikon të hapë një sinagogë të financuar nga shteti gjatë këtij viti.

“Hebrenjtë janë kthyer në Lindjen e Mesme,” tha Edwin Shuker, një çifut irakian që iku në Britani, por u zhvendos në Dubai vitin e kaluar.

Nga Maroku në Gjirin Persik, një numër i madh i vendeve arabe po mirëpresin hebrenjtë dhe po përqafojnë trashëgiminë e tyre hebraike. Arsyet janë nga më të ndryshmet. Dështimet dhe teprica e nacionalizmit arab dhe islamizmit kanë detyruar shumë vende të rimendojnë edhe njëherë dogmat shoviniste. Autokratët kanë hequr dorë nga trojet komunale dhe kanë miratuar axhenda multikulturore, raporton abcnews.al

Dhe konflikti izraelito-palestinez nuk shihet më si prioritet në rajon.

“Bota arabe ka ende shumë probleme në lidhje me Palestinën,” sipas Kamal Alam, një ekspert për Sirinë dhe diasporën hebre.

Para krijimit të Izraelit në vitin 1948, shumica e hebrenjëve kanë jetuar më shumë në pjesën tjetër të botës arabe sesa në Palestinë. Të paktën një e katërta e popullsisë së Bagdadit ishte hebre. Pas krijimit të Izraelit dhe zhvendosjes së palestinezëve, sundimtarët arabë u kthyen kundër nënshtetasve të tyre hebrenj. Shumicës prej tyre iu hoq shtetësia dhe e drejta e pronës.

Mediat shtetërore dhe tekstet shkollore promovuan antisemitizmin dhe predikimet e predikuesve myslimanë rritën edhe më shumë tensionet. Shtetet arabe i larguan  të gjithë hebrenjtë jo-izraelitë të rajonit, përveç disave.

Gjatë vitevë të fundit, megjithatë, situata ka ndryshuar në mënyrë drastike.

Shumica e arabëve nuk i kujtojnë më luftërat e mëdha arabo-izraelite të shekullit të kaluar. Ata kanë ndryshuar mendim në lidhje me hebrenjtë, kryesisht të  inkurajuar nga liderët që e shohin shtetin hebre si një partner të tregtisë dhe aleat potencial kundër Iranit.

Sundimtarët e Egjiptit, Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, për shembull, organizojnë tubime multikulturore. Në filmat dhe shfaqjet televizive arabe janë shfaqur portretizime të hebrenjve; dokumentarët kanë eksploruar rrënjët hebraike të rajonit, raporton abcnews.al

Disa universitete arabe kanë hapur departamente të historisë hebreje. Ky ndryshim ka prekur katër vende arabe – Bahreini, Maroku, Sudani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kanë  rënë dakord të normalizojnë  marrëdhëniet me Izraelin gjatë 2020.

Arabia Saudite nuk ka bërë zyrtarisht paqe me Izraelin. Por mbretëria,  dikur një nga vendet më të izoluara dhe jotolerante në botë,  tani po mirëpret hebrenjtë, madje edhe izraelitët (nëse ata udhëtojnë me pasaporta të huaja).

Hebraishtja mund të dëgjohet në panaire dhe festivale. Shpifjet anti-hebreje janë hequr nga librat shkollorë sauditë. Për habinë e disave, një rabin izraelit i quajtur Jacob Herzog është një vizitor i shpeshtë në Riad, kryeqyteti i vendit. Ai ulet në kafene i veshur me veshje ortodokse dhe shpërndan libra. Ndonjëherë poston foto ku shihet duke kërcyer me tregtarët në pazar.

“Hebrenjtë kishin frikë të tregonin se ishin hebrenj,”tha Herzog, i cili e quan veten kryerabini i Arabisë Saudite. Tani kjo gjë ka ndryshuar, tha ai.

Kjo shkon paralelisht me përpjekjen e Muhamed bin Salman për të tërhequr turistë dhe investime. Princi i kurorës dhe sundimtari de facto i Arabisë Saudite ka sfiduar klerikët duke sponsorizuar gërmimet arkeologjike të vendeve hebreje me shpresën që një ditë të tërheqë vizitorët hebrenj.

Në nëntor, një izraelit hapi Habitas, një hotel luksoz në Al Ula, një qytet antik.

Sauditët po bëhën gjithnjë e më të afërt me hebrenjtë sesa me palestinezët dhe libanezët”, sipas Sulltan al-Mousa, autori i një romani saudit më të shitur për një revoltë hebreje kundër Perandorisë Romake.

Në Egjipt, qeveria e Abdel-Fattah al-Sisi po rinovon varrezat hebraike dhe atë që dikur ishte sinagoga më e madhe në Lindjen e Mesme. Kjo mund të jetë pjesërisht një përpjekje për të magjepsur Amerikën. Në vende të tjera, motivet janë edhe më të qarta. Regjimi i gjakosur i Bashar al-Assad në Siri po rikthen sinagogat dhe ka kontaktuar me shumë hebrenj sirianë në Nju Jork, duke pritur një delegacion të tyre në Damask, raporton abcnews.al

Hebrenjtë Mizrahi nga Izraeli janë gjithashtu duke nxitur ndryshime në rajon. Me origjinë nga Lindja e Mesme, shumë prej tyre ndihen të margjinalizuar në Izrael, ku shkollat ​​priren të përqendrohen në historinë e hebrenjve europianë.

Shumica prej tyrë janë zhvendosur në Marok, disa duke shpresuar të ndërtojnë një kompleks të ri banimi për hebrenjtë në Marrakech. Të tjerë udhëtojnë çdo javë midis Tel Avivit dhe Dubait. Ndryshe nga gjyshërit e tyre, të cilët dëgjuan Umm Kulthumin, një divë egjiptiane, në fshehtësi, tashmë është e lejueshme muzika arabe.

Disa kanë një pikëpamje cinike për të gjithë situatën që po ndodh. “Unë do t’i burgos (palestinezët). Dhe më pas do të bëj një selfie në kullat e Dubait”, tha Noam Shuster-Eliassi, një komediane izraelite, në këngën e saj satirike “Dubai, Dubai” (e cila është në arabisht).

Të tjerë kanë frikë se hebrenjtë mund të jenë në shënjestër në rast të një reagimi popullor kundër despotëve të rajonit. Por trajektorja e Marokut sugjeron se përmirësimi i marrëdhënieve mund të vazhdojë.

Tashmë hebrenjtë me origjinë marokene mund të marrin nënshtetësinë e tyre. Në vend është hapur  një muze hebre dhe një qendër studimi  dhe gjithashtu janë restauruar dhjetëra vende të vjetra, sipas Avraham Moyal, një rabin me origjinë marokene.

 “Ne kemi thyer tabutë.”