MENU
klinika

“Keqardhje për çfarë ndodhi në PD”

Balla: Shkarkimi i Presidentit? Do jemi në Kushtetuese, procedura e qartë

12.01.2022 - 14:09

Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla ka shprehur sot keqardhje për atë që ndodhi në selinë e PD, por tha se kjo nuk lidhet me punën e grupit parlamentar të PD-së.
Në një prononcim për mediat, Balla foli dhe për seancën në Gjykatën Kushtetuese për vendimin e parlamentit për shkarkimin e presidentit të Republikës.

“Keqardhje për gjithçka që ndodhi të shtunën e kaluar në selinë e PD, por kjo kurrsesi nuk mund të lidhet me punën e grupit parlamentar të PD dhe rolin që luan”, deklaroi Balla.
Sa i përket Presidentit, ai tha se përfaqësuesit e shumicës parlamentare do të marrin pjesë në seancë për të parashtruar provat. Ai tha se procedura në rast të shkarkimit të Presidentit është shumë e qartë, ndërkohë që kujtoi se në mes të prillit fillon dhe procedura normale në rastin e paracaktuara nga Kushtetuta, duke qenë se Presidentit Meta i mbaron mandati në korrik.

“Detyra ime si kreu i grupit të shumicës në parlamentin e Shqipërisë. Më 18 janar zhvillohet një seancë e gjykatës kushtetuese. Pala jonë mban përgjegjësi që të shkojë në gjykatën kushtetuese dhe të mbrojë qëndrimin. Një përfaqësi do jetë në seancë për të parashtruar provat. Nuk e di kur Gjykata Kushtetuese do shprehet për vendimmarrjen. Ajo që kemi gjetur ne në raportin e komisionit hetimor janë fakte dhe prova. Në momentin e shkarkimit të presidentit, kryetari i kuvendit ushtron kompetencat e presidentit, dhe menjëherë fillojnë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Procedura është shumë e qartë. Por në mes të prillit të këtij viti fillon procedura normale, në rastin e paracaktuar nga Kushtetuta për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Në një nga javët e ardhshme të Kuvendit do të zërë dhe kjo çështje vend”, tha Balla.

I pyetur për një president konsensual, ai deklaroi se Kushtetuta ka parashikuar që në 3 raundet e para, presidenti zgjidhet me një shumicë të cilësuar dhe më pas në raundin 4-t dhe të 5-të Presidenti zgjidhet me shumicë të thjeshtë, gjysma plus 1. Lidhur me kërkesën e mundshme nga Kushtetuesja për Komisioni ne Venecias ai tha se ka ardhur tashmë dhe se do ishte një humbje kohe.

“Jemi ende herët për të parashikuar se çfarë do të ndodhë në momentin e fillimit të vakancës.
Unë mendoj që jurisprudenca dhe opinionet e vyera të Komisionit të Venecias gjithmonë kanë qenë ndihmuese, por në rastin në fjalë besoj të gjithë biem dakord që opinioni i Venecias ka ardhur. Kushtetuesja e ka. do ishte një humbje kohe, ndërkohë që ajo që ka shumë rëndësi është vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese. Në të vetmin rast kur Kushtetuta ka përcaktuar afate dhe për Gjykatën Kushtetuese është rasti i shkarkimit të Presidentit”, tha Balla.