MENU
klinika

"Hyjmë në zgjedhje për të fituar, kandidatët tanë…"

Basha: 6 Marsi test mbijetese për ‘non gratat’

29.01.2022 - 20:33

Për kreun e PD, Lulzim Basha zgjedhjet e pjesshme vendore, janë një test mbijetese për partinë e ‘non gratave’.
Në një intervistë për emisionin ‘Kjo javë’, Basha u shpreh se sfidë për PD, është të sjellë para shqiptarëve kandidaturat më të mira në këtë proces, të cilat tha se do të miratohen më parë nga Këshilli Kombëtar.

“Padiskutim, siç e thash, 6 Marsi kërkon nga Partia Demokratike, pavarësisht prej atakimit të zgjedhjeve nga “Trekëndëshi i Bermudës” dhe domosdoshmëria jetike që ata e kanë për t’iu imponuar shqiptarëve, njerëzve, qytetarëve, pra Shqipërisë, me anomalitet dhe për të legjitimuar anomalitetin, ne do të bëjmë gjithçka që ta kthejmë vëmendjen tek njerëzit, tek hallet dhe problemet e tyre, duke reflektuar edhe tek kandidaturat tona.” u shpreh Basha, ndërsa theksoi se PD sot nuk është e përçarë, por e sulmuar nga persona me rekorde korrupsioni.

Pjesë nga intervista:

Pyetja: Gjithsesi, ju ndodheni përballë faktit të 6 Marsit, zgjedhjet do të zhvillohen. A është përgatitur Partia Demokratike për këto zgjedhje zoti Basha?

Lulzim Basha: Këto janë një test për Partinë e “non garatave”, të cilët duan t’u imponohen shqiptarëve duke organizuar edhe kushtet e rënies të të gjitha garancive primare për një proces të rregullt zgjedhor, një tjetër maskaradë. Për Partinë Demokratike sfida është që t’i paraqesin shqiptarëve alternativën më të mirë, njerëzit më të mirë, të cilët t’iu përgjigjen halleve dhe problemeve të tyre. Të përfaqësojnë hallet dhe problemet e tyre dhe të kenë mundësi të japin zgjidhje halleve dhe problemeve të tyre. Ky është testi për ne. Ndërsa testi për “Trekëndëshi i Bermudës” është të garantojnë mbijetesën e tyre, duke u imponuar përmes një tjetër anomalie siç e thash 6 Marsi, që është një nënprodukt, një pjellë e anomalisë së madhe të 30 qershorit dhe në vijimësi e anomalisë së zgjedhjeve të masakruara më 25 prill.

Pyetja: Kalojmë pak tek ato që quhen figura, pra kandidatët. Si do të bëhet përzgjedhja e lëtyre kandidatëve, zoti Basha? Do të jenë figura politike, do të jenë nga shoqëria civile, si do të bëhet përzgjedhje? Sepse rivali juaj po bën primaret për të përzgjedhur kandidatët.

Lulzim Basha: Ta fillojmë me këtë të fundit. Ne e dimë që çdo gjë që kanë thënë ata, është provuar, madje dhe me pamje filmike që ka qenë e pavërtetë, në fakt e kundërta ka ndodhur. Kështu që nuk ka primare nga pala tjetër, ka thjesht demagogji, propagandë, sepse dihet se si i kanë marrë vendimet historikisht. Ndërkohë, Partia Demokratike prej kohësh ka nisur një proces i cili nuk ka përfunduar, ka nevojë të përmirësohet shumë, të konsultimit me qytetarët, pra të konsultimit me bazën mbi tavolinat e përfaqësive tona, të kryesive tona, të deputetëve, të kryetarëve të degëve, kryesive të degëve, janë sygjerime të shumta që vijnë si nga anëtarësia, ashtu dhe nga qytetarët dhe procesi do të ndjek rrjedhën statusore, për të ardhur pastaj tek kandidatët të cilët në fund do të miratohen nga organi më i lartë vendimmarrës i Partisë Demokratike, që është Këshilli Kombëtar.

Pyetja: Ka ndonjë informacion për kandidaturat si do të jenë?

Lulzim Basha: Procesi është në vijim. Padiskutim, siç e thash, 6 Marsi kërkon nga Partia Demokratike, pavarësisht prej atakimit të zgjedhjeve nga “Trekëndëshi i Bermudës” dhe domosdoshmëria jetike që ata e kanë për t’iu imponuar shqiptarëve, njerëzve, qytetarëve, pra Shqipërisë, me anomalitet dhe për të legjitimuar anomalitetin, ne do të bëjmë gjithçka që ta kthejmë vëmendjen tek njerëzit, tek hallet dhe problemet e tyre, duke reflektuar edhe tek kandidaturat tona.

Pyetja: Do të hyni në këto zgjedhje për të fituar zoti Basha? Duke pasur parasysh edhe një situatë të vështirë që po kalon Partia Demokratike? E kam fjalën sa do të ndikojë kjo përçarje në Partinë Demokratike?

Lulzim Basha: Partia Demokratike nuk është e përçarë, është e sulmuar. Është e sulmuar nga brenda, nga persona me rekorde korrupsioni, nga ish-drejtorë, ish-ministra, të bashkuar nga njollat e korrupsionit në të kaluarën, të cilët duan ta përdorin këtë moment për t’iu imponuar vullnetit të demokratëve, vullnetit të shumicës. Partia Demokratike e ka forcën, e ka vizionin dhe qëndresën për t’u përballur me këtë sulm, i cili nuk është se do të fillojë më 6 Mars, kemi javë, muaj që po përballemi me këtë sulm. Dhe për t’u ngritur mbi interesin jo vetëm të kësaj pakice të korruptuar të ish-qeverisjes tonë, por edhe në interesin e thjesht të Partisë Demokratike, për të përfaqësuar atë për të cilën ka lindur dhe ekziston, interesin e gjithë shqiptarëve. Kështu që padiskutim që futemi për të fituar, për të përfaqësuar vlerat tona më të mira, por po kështu të vetëdijshëm se beteja jonë për ta kthyer Shqipërinë në shinat e legjitimitetit dhe të demokracisë sapo ka nisur. Dhe kjo betejë kërkon bashkërendimin e të gjitha forcave të shoqërisë dhe padiskutim edhe 6 Marsi në këtë kuptim është sa sfidë, edhe mundësi që të ngremë këtë frymë tek qytetarët të cilët janë të lodhur dhe të dëshpëruar nga zhvillimet politike. Vet politika e “Trekëndëshi i Bermudës”, inkurajon apatinë, inkurajon largimin nga politika, ndërkohë që detyra jonë është t’u shpjegojmë qytetarëve se politika nuk është e keqe në vetvete. Të mirë apo të keqe e bëjnë njerëzit dhe se Partia Demokratike është e vendosur ta rikthej politikën si një instrument në duart e njerëzve, për të mirën e njerëzve dhe këtë mund ta bëjmë vetëm kur e heq politikën nga duart e një pakice të cilën po e përdor vetëm për t’u pasuruar dhe për të mbajtur në pushtet këtë pakicë të simuluar kaq mirë tek “Trekëndëshi i Bermudës” dhe halli i tyre i përbashkët.