MENU
klinika

Analiza

Bashkimi Europian dënon Rusinë dhe ndihmon Ukrainën

27.01.2022 - 08:15

27 ministrat e jashtëm tê Bashkimit Europian kanë miratuar konkluzione lidhur me ata që e konsiderojnë si “kërcënime” të Rusisë dhe Ukrainës. Në këto konkluzione, Këshilli i Bashkimit dënon veprimet dhe kërcënimet e vazhdueshme agresive të Rusisë kundër Ukrainës dhe i bën thirrje Rusisë të mos përshkallëzojë situatën, të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialog përmes mekanizmave të vendosur ndërkombëtarë.

Këshilli rikujton, se krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian në samitin e dhjetorit 2021, u shprehën, se çdo agresion i mëtejshëm ushtarak nga Rusia kundër Ukrainës do të ketë pasoja masive dhe kosto të rënda.

Bashkimi Europian konfirmon mbështetjen e saj të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe partnerëve të tjerë të partneritetit të Lindjes brenda kufijve të tyre të njohur ndërkombëtarisht dhe i bën thirrje Rusisë që të riangazhohet në mënyrë konstruktive në kornizat ekzistuese ndërkombëtare për zgjidhjen e qëndrueshme dhe paqësore të konflikteve.

Këshilli ka miratuar konkluzionet për situatën e sigurisë evropiane, duke pohuar se siguria evropiane është e pandashme dhe se çdo sfidë ndaj rendit evropian të sigurisë ndikon në sigurinë e BE-së dhe shteteve anëtare të saj. Këshilli ripohon qasjen e bashkuar të BE-së dhe bashkëpunimin dhe koordinimin e fortë të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara, NATO-n, Ukrainën dhe vendet e tjera partnere.

Von der Leyen: Ndihmë financiare për Ukrainën

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen ka bërë publike paketën e ndihmës financiare për Ukrainën në formën e kredive emergjente dhe granteve. Së pari, Komisioni propozon një paketë të re të ndihmës makro-financiare emergjente prej 1.2 miliardë euro.

Sipas Von der Leyen, kjo paketë do të ndihmojë Ukrainën tani për të adresuar nevojat e saj financiare për shkak të konfliktit. Ky propozim duhet të kalojë më tej për aprovim në Këshillin dhe Parlamentin Evropian dhe pritet të aprovohet brenda një kohe të shkurtër.

Në vijim, BE-ja synon të vijojë me disbursimin e shpejtë të këstit të parë prej 600 milionë euro. Ndërkohë, që planifikohet të fillohet puna për një program të dytë afatgjatë të ndihmës makro-financiare për të mbështetur modernizimin e vendit.

Së dyti, Komisioni Europian do të gati dyfishojë ndihmën e tij dypalëshe për Ukrainën në grante këtë vit përmes 120 milionë euro. Kjo mbështetje do të forcojë përpjekjet e Ukrainës për shtetndërtimin. Planit i Investimeve i Bashkimit Europian për Ukrainën parashikon mbi 6 miliardë euro investime.