MENU
klinika

Analiza e Project Syndicate

Biden ia ka dorëzuar Ukrainën Putinit?

21.01.2022 - 14:40

Pas një heshtjeje të gjatë misterioze, presidenti amerikan Joe Biden ka folur për vendosjen e trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.

Ai do të ishte më mirë të heshtte, duke pasur parasysh mesazhin e tij të rrezikshëm.

Zyrtarët e NATO-s – dhe ndihmësit e tij – u është dashur të përpiqen të ripërcaktojnë kuptimin e fjalëve të tij.

Biden tha nëvkonferencën për shtyp nëse ai mendonte se presidenti rus Vladimir Putin do të sulmonte përsëri Ukrainën. Po ashtu, zbuloi më pas se nuk ka unitet midis anëtarëve të NATO-s se sa i ashpër duhet të jetë kërcënimi i sanksioneve të reja kundër Rusisë.

Gjithçka që Aleanca do të bëjë në përgjigje të një pushtimi të Ukrainës është të vendosë më shumë trupa në Poloni dhe Rumani. Kjo përgjigje është krejtësisht e papërshtatshme për shkallën e krimit që Putin po kërcënon të kryejë.

Në Rusi, Biden konsiderohet një president i dobët dhe burokratët e Kremlinit e shohin mungesën e tij të lidershipit si një mundësi për veprim. Biden sapo konfirmoi pikëpamjen e tyre.

Biden nuk ka thënë as nëse dislokimet në Poloni dhe Rumani do të bëhen një prani e përhershme (aktualisht ato janë me rotacion). Si rezultat, përgjigja e SHBA-së as nuk do të përmirësojë situatën e Ukrainës dhe as nuk do të sigurojë sigurinë e Polonisë.

Në vend që të ofrojnë ndonjë detaj në lidhje me sanksionet e mundshme, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të aludojnë në mënyrë të fshehtë për një “çmim të shtrenjtë” me të cilin do të përballet Putin nëse fillon një pushtim.

Por sanksionet janë një pengesë vetëm kur ato janë të pashmangshme dhe konkrete, kur krimineli i mundshëm e di se sa i rëndë është një dënim me të cilin përballet. Falë mospërmbajtjes verbale të Bidenit, është e qartë se dënimi do të jetë i lehtë. Duke pranuar se Putini “duhet të bëjë diçka”, Biden ka ofruar një lloj pëlqimi për veprim. Ai po përgatit publikun në vend që të pengojë agresorin.

Duket se SHBA dhe Gjermania, lojtarët më të fortë të Aleancës, po i dërgojnë një sinjal Kremlinit: një pushtim në shkallë të vogël do të thotë sanksione të kufizuara.

Nuk do të ketë braktisje të gazsjellësit Nord Stream 2, asnjë largim të bankave ruse nga sistemi global i kleringut të pagesave SWIFT dhe nuk do të ketë ndryshime të mëdha në lëvizjet e trupave të NATO-s.

Kjo marrëveshje të kujton Marrëveshjen e Mynihut të vitit 1938: shpëton paqen duke i lënë vendin pushtuesit. Pse nuk ka unitet në çështjen e sanksioneve? Faji ndoshta qëndron tek Gjermania, vendi i Nord Stream 2, i cili lidh Rusinë me Evropën dhe anashkalon Ukrainën dhe Poloninë.

Sjellja e Gjermanisë për këtë çështje është bërë gjithnjë e më e turpshme. Qeveria gjermane jo vetëm që ka bllokuar furnizimet me armë në Ukrainë, por gjithashtu refuzon të deklarojë se Nord Stream 2 do të ndalet nëse Ukraina sulmohet përsëri.

Argumenti standard (dhe idiot) për Nord Stream 2 është se ai është thjesht një projekt ekonomik. Por askush nuk e beson këtë – madje as ata që e bëjnë atë.

Në kohë normale, ukrainasit nuk do ta luanin kurrë këtë kartë, nga frika e reagimit të Perëndimit. Por tani që po kërcënohen, situata ka ndryshuar.

Një pjesë e problemit është se Partia Socialdemokrate, e cila udhëheq koalicionin e ri të qeverisë gjermane, ka qenë tradicionalisht shumë e nënshtruar ndaj Rusisë. Dhe partnerët e tyre, të Gjelbërit, kanë heshtur papritmas për tubacionin që kur u bashkuan me koalicionin.

Një problem tjetër ka qenë pacifizmi i pasluftës i Gjermanisë, i cili përbën një ftesë të hapur për agresorët si Rusia, dhe që tani mund ta ndihmojë Putinin të shmangë çdo pasojë të sulmit ndaj Ukrainës.

Ironia tragjike është se pacifizmi gjerman supozohet të përfaqësojë shlyerjen për Luftën e Dytë Botërore. Si e tillë, politika e jashtme gjermane vazhdon të ndikohet nga falsiteti historik se krimet e vetme të kryera në frontin lindor ishin nga gjermanët. Në fakt, të gjitha vendet nën kontrollin e Ushtrisë së Kuqe Sovjetike vuajtën gjithashtu – Ukraina ndër to.

Dhe përveç ukrainasve, janë rusët ata që do të paguajnë çmimin më të madh për një luftë të re në Ukrainë. Lufta nënkupton regres të mëtejshëm ekonomik, rënie të standardeve të jetesës, izolim ndërkombëtar dhe shtypje të brendshme.

Në këto rrethana, një luftë ende mund të shmangej vetëm duke i bërë kostot e Putinit vërtet të mëdha. Do të duhej të ekzistonte një kërcënim i besueshëm se Perëndimi do të vendoste sanksionet më të ashpra që mund të imagjinohen.

Përveç anulimit të Nord Stream 2 dhe largimit të bankave ruse nga SWIFT, këto mund të përfshijnë vendosjen e një embargoje për të gjithë tregtinë me Rusinë; armatosja e plotë e ukrainasve me armë konvencionale të përshtatshme për kërcënimin rus; sekuestrimi i të gjitha pasurive të oligarkëve rusë jashtë vendit – përfshirë miliardat e shumta që vetë Putini ka vjedhur; dhe zgjerimin e pranisë së trupave amerikane në krahun lindor të NATO-s në nivele që nuk janë thjesht simbolike.

Putini ka të ngjarë të mos pengohet nga asgjë më pak – veçanërisht tani që Biden ka zbuluar “dobësinë” e tij. SHBA mund të ketë arritur në përfundimin se një pushtim rus është i pashmangshëm, por Ukraina nuk do të heqë dorë, sepse nuk mund të lejojë asnjë humbje të mëtejshme të sovranitetit.

Një përgjigje e plotë do t’i kushtonte financiarisht Perëndimit, por Rusisë do t’i kushtonte shumë, shumë më tepër. Fatkeqësisht, tani ka shumë indikacione se Biden dhe Perëndimi do ta braktisin Ukrainën.

Burimi: Project Syndicate
Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Forcat ruse po grumbullohen në kufirin e Ukrainës...

“Putini po luan me zjarrin”!


Pse lëvizja mund të rrisë tensionet mes dy vendeve

SHBA zhvendos sistemin raketor Typhon pranë Kinës

Gratë snajperiste poshtëruan iranianët

Kush fshihet pas Kupolës së Hekurt?

Pse “dragoi” ka në dorë rrjedhën e luftës?

Rusia mund të tërhiqet nga Ukraina, falë Kinës

Teherani kërcënon me një armë të re

Hakmarrja e Izraelit ndaj Iranit nuk do të vonojë

Franca dhe Gjermania dalin jashtë loje

Veriu i Evropës merr në dorë “frenat” e NATO-s