MENU
klinika

Shtyhet afati

Bonot e privatizimit, të vlefshme deri në dhjetor 2023

18.01.2022 - 14:24

Këshilli i Ministrave ka depozituar në Kuvend një projektligj i cili sjell shtyrjen e radhës së velfshmërisë të Bonove të Privatizimit. Ato i janë nënshtruar shtyrjes së vlefshmërisë rreth ccdo dy vjet, në një kohë që kanë ardhur duke u ngushtuar vazhdimisht hapësirat e përdorimit të tyre.

Gjithësesi, Qeveria argumenton në draftin shoqërues të projektligjit se ato kanë ende hapësira përdorimi. Ndryshim i propozuar do të shërbejë edhe në funksion të politikave të Këshillit të Ministrave për të krijuar lehtësime në procesin e privatizimit me të drejtë parablerjeje për ish-pronarët e truallit, për subjektet që kanë objekte me kontratë qiraje apo enfiteoze, si dhe në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale nëpërmjet ASHK-së, sqarohet më tej në relacionin shoqërues.

Meqenëse në procesin e privatizimit të pronës shtetërore ende vazhdon të mos jetë përfshirë një numër i konsiderueshëm objektesh kryesisht në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural apo dhe të organeve të pushtetit vendor etj., si dhe duke gjykuar se shumë prej këtyre objekteve shtrihen në pronat e ish-pronarëve të njohur apo kthyer me vendime të kthimit dhe kompensimit të pronave, mendojmë se mund të vazhdojnë lehtësirat për ish-pronarët, duke e likuiduar një pjesë të vlerës së këtyre objekteve në rast parablerjeje me bono privatizimi (lekë privatizimi).

Gjithashtu, përdorimi i bonove të privatizimit dhe i lekëve të privatizimit në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje nëpërmjet ASHK-së, ndërkohë që ky proces është në vazhdimësi dhe vazhdojnë të jenë në proces legalizimi një numër i konsiderueshëm objektesh apo banesash, gjykojmë se edhe ky proces e bën të domosdoshëm shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të privatizimit dhe të lekëve të privatizimit, thekson në relacionin shoqërues Këshilli i Ministrave.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në total janë emetuar 74.9 miliardë lekë bono privatizimi, prej të cilave u janë shpërndarë publikut 51.2 miliardë lekë.

Nga këto janë përdorur deri tani në proces privatizimi 10 miliardë lekë, ndërkohë që mbeten të shpërndara dhe të papërdorura 41 miliardë lekë të tjera. Në procesin e privatizimit masiv u përdorën vetëm një pjesë e vogël e tyre, 14.59 për qind e totalit ose 21.35 për qind e bonove të privatizimit të shpërndara.