MENU
klinika

Ja çfarë na mëson “Teoria e Lojës”

Çfarë do të bëjë më pas Putini?

30.01.2022 - 12:34

Nga Tyler Cowen, “Bloomberg”

botaNdërsa vazhdojnë të përshkallëzohen tensionet midis Rusisë dhe Ukrainës, po rritet edhe rëndësia e të kuptuarit të mendësisë së presidentit rus Vladimir Putin. Në këtë kuadër, me interes të veçantë janë dy pyetje:A është racional udhëheqësi rus? Dhe a mund të pengohet ai që të realizojë kërcënimet që artikulon?

Siç më pëlqen ta them ndonjëherë, është koha për një teori të lojës. Fatkeqësisht përgjigjet, për këto pyetje janë: Po dhe jo. Kjo do të thotë, se Putin është ndoshta racional, por nuk mund të frenohet dhe aq kollaj. Zakonisht ekonomistët e përkufizojnë racionalitetin, si përdoriminefektiv të mjeteve për të arritur synimet e paravendosura.

Për shembull, shpenzimi i parave për arritjen e kënaqësisë maksimale. Kjo gjë është një gjë e mirë për disa qëllime, por dështon kur është fjala për të kuptuar ata udhëheqës politikë, përfshirë Putinin, të cilët janë të fiksuar pas pushtetit. Kuadri ekonomik nuk funksionon mirë kur pushteti është vetë qëllimi pëfundimtar.

Ndërsa askush nuk mund ta dijë vërtet se çfarë ka në mendje Putini, ky i fundit e ka qeverisur Rusinë për 22 vjet me radhë, një shenjë kjo mjaft e mirë se ai kujdeset shumë për pushtetin e tij personal.

Po ashtu nuk duhet harruar se Putin u rrit në një epokë – si agjent i KGB-së pas Perdes së Hekurt, që ndante Perëndimin kapitalist nga Lindja komuniste – kur pushteti ishte simboli real i statusit. Por si e vështirëson frenimin e Putinit, synimi i tij për të ruajtur me çdo kusht pushtetin që ka?

Për nga natyra e saj, strategjia e parandalimit përpiqet që ta kufizojë fuqinë e personit të shënjestruar. Në rast se një person kujdeset për shumë gjëra, dhe jo vetëm për pushtetin e tij, ai do t’i kundërpërgjigjet strategjisë së parandalimit duke kërkuar më pak pushtet, dhe duke shpenzuar më shumë energji për gjëra të tjera, si për shembull për pushime të gjata, dhe për kalimin e sa më shumë kohe me familjen.

Megjithatë, në rast se një person kujdeset kryesisht për pushtetin e tij, reagimi i nxitur ndaj parandalimit, është të përpiqet të rifitojë më shumë pushtet. Pra me fjalë të tjera, përpjekja për ta bërë pushtetin “më të kushtueshëm” për Putinin nuk është e garantuar se do të funksionojë.

Kostoja e të gëzuarit të pushtetit mund të rritet, le të themi për shkak të sanksioneve që janë paralajmëruar tashmë. Por ndërkohë rritet edhe etja për një pushtet të ri, pikërisht për shkak se është zhdukur një pjesë e pushtetit të dikurshëm.

Parandalimi nuk funksionon gjithmonë në çështjet ndërkombëtare, apo në situata të tjera me individë që janë të fiksuar pas pushtetit. Napoleoni dhe Hitleri u përballën me kosto të larta për shkak të gabimeve të tyre. Gjithsesi ata vazhduan me planet e tyre ushtarake ambicioze, të cilat në fund rezultuan të ishin të pamenduara.

Shumë revolucionarë përpiqen që të marrin pushtetin, dhe vdesin në këtë proces. Një metodë ideale e parandalimit, do të ishte kërcënimi i Putinit me ndëshkim për sulmin ndaj Ukrainës, duke i dhënë atij një rritje të pushtetit diku tjetër. Por ku? Shtetet e Bashkuara nuk duan telashe në Baltik, dhe nga ana tjetër nuk duan që Rusia të ketë një prani më të fortë ushtarake në Venezuelë dhe Kubë, sikurse ka kërcënuar hapur presidenti rus.

Me kalimin e kohës, do të ketë gjithnjë e më pak mënyra të pranueshme për ta shpërqendruar atë nga ‘trofetë” më të mëdha dhe më të rrezikshme. Në parim, kërcënimi ndaj Putinit me asgjësim bërthamor, do ta ndalonte atë. Por ky nuk është një ndëshkim i besueshëm, duke pasur parasysh dëmet e rënda anësore që do të pësonte pjesa tjetër e botës.

Një nënkuptim i saj është se aktualisht Vladimir Putini, përbën një kërcënim më të madh sesa vetëm për Ukrainën. Ai mund ta rritë me çdo mënyrë fuqinë e tij shkatërruese, për shembull duke krijuar probleme në Baltik. Ose Rusia mund të sulmojë Kazakistanin në vend të Ukrainës.

Kjo do të ishte diçka e mirë për disa vende, por me pasoja të pasigurta shumë më të mëdha.Audienca e Putinit është shpesh e brendshme, dhe nuk është rastësi që gjatë vitit të kaluar,qeveria ruse ka bërë kaq shumë për të shtypur disidencën në vend.

Me Covid-in që është ende një problem serioz në Rusi, dhe me standardet e jetesës në stanjacion ose në rënie, Putinit i duhen dëshpërimisht një seri fitoresh diku jashtë. Një tjetër pasojë e këtij modeli pushteti, është se Putini mund të duket i çmendur për udhëheqësit perëndimorë, kur në fakt nuk është i tillë.

Shumë liderë perëndimorë mund të jenë të fiksuar pas një ndjenje të caktuar të pushtetit, por për shkak të kontrolleve dhe balancave të ndryshme sistematike, ata nuk mund ta ushtrojnë fare atë pushtet. Ata mund ta kenë të vështirë të kuptojnë Putinin, si dhe të parashikojnë lëvizjet e tij.

Ndoshta është gjithashtu e gabuar të supozohet se Putini nuk mund të ndihet i kërcënuar nga NATO, pasi aleanca nuk do ta pushtonte në asnjë rast Rusinë. Një NATO më e fortë dhe me më shumë anëtarë, veçanërisht në Lindje, do ta bënte Putinin të dukej dhe të ndihej më i kufizuar.

Prandaj kërkesat anti-NATO të Putinit, nuk duhet të shihen si një gënjeshtër apo si njëmanovër e gënjeshtërt. Ndoshta është tepër vonë, por NATO mund të kishte sinjalizuar më herët, se anëtarësimi i Ukrainës nuk ka gjasa që të ndodhë ndonjëherë.

Në ekonomi është e zakonshme të këmbëngulësh se “stimujt kanë rëndësinë e tyre”.

Ndonëse është e vërtetë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se funksionon strategjia e parandalimit. Putini nuk po kërkon të dalë në pension dhe të kalojë më shumë kohë në një nga jahtet e tij luksoze. Pasojat e plota të kësaj të vërtete po bëhen çdo ditë e më të qarta. /Bota.al/

Shënim: Tyler Cowen, profesor i ekonomisë në Universitetin George Mason, SHBA. Libri i tij i fundit titullohet “Vetë–shkatërrimi i ëndrrës amerikane”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


''Kriza më serioze në Evropë, pas viteve '80''

Analistët tregojnë për CNN, pasojat e një lufte

Analiza e “Radio Evropa e Lirë”

Vladimir Putin në “fazën e Millosheviçit”