MENU
klinika

Analiza

Çfarë fshihet në të vërtetë pas protestave në Kazakistan?

10.01.2022 - 08:07

Nga Nikolas K.Gvosdev “National Interest

A janë politika e Perëndimit për shkuarjen drejt energjisë së gjelbër, dhe objektivat në lidhje me ndryshimet klimatike, përgjegjëse tërthorazi për trazirat aktuale në Kazakistan? Dhe çfarë mund të sugjerojë kjo për lidhjet midis politikës mjedisore, atë në fushën energjitike dhe stabilitetit gjeopolitik Euro-Aziatik?

Duhet të mos harrojmë se për vite me radhë, regjimet autoritare të Lindjes së Mesme, u duk se po projektonin një atmosferë stabiliteti. Një seri protestash politike në Egjipt në vitin 2008 u shuan shpejt, duke mos paraqitur asnjë sfidë serioze për regjimin e Hosni Mubarak.

Por thatësira e madhe në Evropë në vitin 2010 – e cila bëri që Rusia të kufizonte ndjeshëm eksportin e drithërave dhe produkteve të tjera ushqimore – si dhe zhvendosja e vazhdueshme gjatë viteve 2000 e prodhimit bujqësor larg ushqimit dhe drejt bio-karburanteve (pjesërisht për shkak të çmimeve të larta rekord të energjisë) – e bëri shumë më të vështirë për qeveritë në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe sidomos në Egjipt, subvencionimin e çmimeve të ushqimeve dhe përballimin e kostove.

Dhe ishte 4-fishimi i çmimeve të bukës në Egjipt – në krye të ankesave të shumta ndaj qeverisjes – ai që shënoi fillimin e revolucionit në Sheshit Tahrir. Gjatë 2 viteve të fundit, ka pasur një presion të shtuar politik dhe tregtar mbi qeveritë perëndimore dhe kompanitë  energjetike, që të distancohen nga prodhimi dhe përdorimi i hidrokarbureve, duke u përqendruar drejt një të ardhmeje me energji të gjelbër.

Të dëmtuar nga lufta e çmimeve të naftës e vitit 2020 midis Rusisë dhe Arabisë Saudite, dhe më pas nga pandemia e Covid-19, prodhuesit e naftës argjilore në SHBA janë të tronditur

me qasjen e administratës Biden, që ndryshe nga Trmp nuk i jep më prioritet vetë-mjaftueshmërisë energjetike të Amerikës së Veriut (dhe aftësisë për eksporte) por synimeve klimatike dhe mjedisore.

Kompanitë energjetike perëndimore, nuk kanë dashur të kryejnë më investime të reja të mëdha në sektorët e prodhimin e naftës dhe gazit. Pavarësisht pasigurive që solli vala e re e shkaktuar nga varianti Omicron, kërkesa për naftë (dhe gaz natyror) po rritet, në një kohë që burimet e furnizimit po pakësohen.

Tani duke synuar të kompensojnë terrenin e humbur, kompanitë shitëse të naftës po kërkojnë të maksimizojnë fitimet, pjesërisht për të lehtësuar dëmin e shkaktuar nga pandemia, por edhe për të mbështetur rezervat e tyre të kapitalit. Qasja e ngurtë e “OPEC Plus” në menaxhimin e një rritjeje të kontrolluar të prodhimit të naftës, e kombinuar me çdo lloj presioni real mbi çmimet që po zbehet, nënkupton se kërkesa do të vazhdojë ta tejkalojë ofertën.

Konsorciumet e naftës në Kazakistan – partneritetet midis kompanive shtetërore dhe partnerëve të tyre perëndimorë – kanë parë një rritje të kërkesës dhe një gatishmëri të konsumatorëve perëndimorë dhe aziatikë për të paguar më shumë.

Dhe pikërisht këtu mund të ketë ndodhur një keq-llogaritje me pasoja fatale. Një nënprodukt kyç i naftës së papërpunuar të eksportuar nga Kazakistani është “gazi i lëngshëm i naftës” (LPG), një përzierje e gazeve hidrokarbure të çliruara në prodhimin e naftës.

LPG (të cilin shumë amerikanë e përdorin në formën e propanit), është një produkt kryesor energjetik në Kazakistan, që përdoret për ngrohje, gatim dhe për furnizimin e makinave që punojnë me gaz. Për vite me radhë, ajo u shitej konsumatorëve kazakë me një normë të subvencionuar, shumë më të ulët sesa kostoja e prodhimit.

Po edhe mallra të tjera subvencionoheshin nga shteti. Kjo është pjesë e pazarit që shohim në shumë shtete autoritare, ku në këmbim të qëndrimit apolitik, qytetarëve u garantohet një standard bazë i jetesës. Dhe siç e kemi parë në Egjipt apo edhe Venezuelë, kur një qeveri e humb aftësinë për të shtrembëruar artificialisht çmimet e tregut, si pjesë e kontratës së saj të nënkuptuar sociale, ato që pasojnë janë protestat.

Vendimi për të hequr kufirin e çmimit të LPG-së, ngjalli një zemërimin të madh kundër status kuosë në Kazakistan, dhe sidomos konceptin se një vend prodhues energjie si Kazakistani, duhet të jetë në gjendje t’i garantojë popullsisë një standard shumë më të lartë jetese, po të mos jetë për faktin se shumë përfitime gllabërohen nga elita.

Protestat mund të nxisin prodhuesit e tjerë të energjisë të gjejnë mënyra për të mbajtur më shumë energji vendin e tyre. Edhe pse nuk janë frymëzuar nga ngjarjet në Kazakistan, njoftimi se kompania shtetërore e naftës në Meksikë do të nisë të reduktojë eksportet, në mënyrë që të garantojë më shumë energji për përdorim të brendshëm, mund të vendosë akoma më shumë nën presion tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Protestat i dhanë presidentit Kassym-Jomart Tokayev pretekstin për të tërhequr plotësisht “presidentin e parë” Nursultan Nazarbayev nga pozicioni i tij si kreu i Këshillit të Sigurimit, si dhe disa nga zyrtarët kryesorë që synojnë të ruajnë pozicionin e Nazarbayev.

Gjithsesi, aftësia e Tokayev për të kontrolluar vendin dhe për të çimentuar pozicionin e tij është në dyshim. Kur premtimet për të rivendosur kufijtë e çmimeve të LPG-së, dhe për të ndërmarrë reforma politike dhe ekonomike nuk i dhanë fund protestave, dhe me shqetësimin  mbi besnikërinë e forcave të sigurisë, Tokayev i kërkoi zyrtarisht ndihmës Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive.

Dilema është nëse mbërritja e njësive paqeruajtëse dhe policore ushtarake ruse, bjelloruse, kirgize dhe armene do të forcojë pozitat e Tokayev, duke e bindur ushtrinë dhe shërbimet që të vazhdojnë të marrin urdhra prej tij duke shtypur protestat, apo nëse kjo lëvizje do të nxisë më tej destabilitetin në vend.

Për më tepër, Kazakistani është për shumë arsye tepër i rëndësishëm, si për Rusinë ashtu edhe për Kinën. Pa ekonominë e Kazakistanit, nuk ka Union Ekonomik Euroaziatik, teksa aktualisht ka një sërë ndërmarrjesh të rëndësishme të përbashkëta ruso-kazake.

Për më tepër, kufiri i pambrojtur për një kohë të gjatë, është një problem i veçantë me të cilën Rusia nuk dëshiron që të përballet pikërisht tani, kur qëndrimi i saj ndaj Ukrainës është ende kaq i pavendosur. Për Kinën, Kazakistani është guri i themelit në pjesën e tij të “urës së re euroaziatike tokësore” të Nismës së Brezit dhe Rrugës, si dhe të rolit si një furnizuese kryesore energjitike për Kinën.

Në një kohë kur bota po përballet me një sasi të madhe të furnizimeve me gaz natyror, ndërprerjet e mëtejshme në furnizimet me gaz, do të krijonin vështirësi reale ekonomike për Kinën. Një krizë në Kazakistan, është gjithashtu një provë e “vetëdijes” së Rusisë dhe Kinës se si duhet të menaxhohet gjeopolitika e Azisë Qendrore midis Moskës dhe Pekinit.

Ashtu si energjia shërben si një katalizator i rëndësishëm pas tensioneve Rusi-Ukrainë, shqetësimi për çdo ndërprerje të furnizimit me energji nga një prodhues i madh, do të ketë pasoja.

Së fundi, ngjarjet në Kazakistan janë një zile alarmi për qeveritë e tjera në Euroazi, dhe veçanërisht për Azerbajxhanin dhe Rusinë. Kontrata sociale ka shumë rëndësi, dhe problemet ekonomike çojnë në mënyrë të pashmangshme në protesta politike. /

Rusia aktivizon “Oreshkin”

Paralajmërimi ogurzi që vjen nga Ukraina!

Shefi i NATO-së takohet me Trump në Florida!

Çfarë diskutuan Mark Rutte dhe presidenti i zgjedhur i Amerikës

Analiza e DW: Si do të veprojë qeveria

A mund të arrestohet Benjamin Netanyahu në Gjermani?

Netanyahu “barazohet” me Putinin

E ardhmja e Izraelit varet “në fije të perit”

Çfarë dimë për raketën ruse ‘Oreshnik’!

Putin: Asnjë komb tjetër nuk ka armë si tonat

Dy sekretarë të tjerë mund të kenë fatin e Gaetz

Bie “ushtari” i parë i Trump, Prokurori i Përgjithshëm jep dorëheqjen