Trajneri i Chelsea, Thomas Tuchel, foli dje për herë të parë të Armando Brojën, duke vlerësuar talentin kuqezi, por la gjithçka të hapur në lidhje më të ardhmen e tij, një diskutim që pritet të bëhet në verë.
Pavarësisht këtij fakti, drejtuesit e Southampton dëshirojnë që Broja të vijojë karrierën e tij me “shenjtorët”, për të shmangur çdo konkurrence dhe për të rezervuar shërbimet e tij, drejtuesit e klubit kanë nisur negociatat për të bindur sulmuesin kuqezi, pasi dhe dëshira e familjes së tij me sa duket është të vijojë karrierën me Southampton.
Trajneri i Southamptonit, Hasenhuttel, e dëshiron qëndrimin e sulmuesit në ekipin e tij dhe deklaroi se është i gatshëm të gjejë rrugën e duhur për të mbajtur Brojën. Trajneri, për mediat pranë klubit, ka zbuluar edhe një sekret për sa u përket prindërve të Armandos.
“Në verë ishte e pamundur për ne që ta merrnim atë këtu në një transferim të plotë, sepse nuk kishim para. Unë e di që familja e tij është shumë, shumë e interesuar që ai të jetë me ne dhe ata e kanë konfirmuar absolutisht se ai duhet të qëndrojë më gjatë me ne”, u shpreh Hasenhuttel.
Drejtori i përgjithshëm i Southamptonit, Martin Semens, është në bisedime me Chelsea dhe Marina Granovska për opsionet në lidhje me të ardhmen e Brojës. Siç raportohet nga “Hampshire Live”, kuptohet se të gjitha opsionet mbeten të hapura për Southamptonin, të cilët janë për pjekur të zbulojnë se çfarë lloj kushtesh.
Një sezon i dytë në huazim te “Shenjtorët” do të ishte një opsion për Brojën, ndërsa blerja përfundimtare do të ishte skenari ideal. Siç raporton “Evening Standard”, pritet që Chelsea do të informojë Southampton nëse dëshiron ose jo ta shesë Brojën në të ardhmen.
Nëse Chelsea do të zgjedhë të shesë Brojën, Southampton do të duhet t’i paguajë 20 milionë euro klubit londinez për të blerë përfundimisht kartonin e tij, por gjithashtu me një kusht që blutë të kenë të vlefshëm opsionin e riblerjes së Brojës.