MENU
klinika

Falsifikonte testet e kovid me “vulën” e një klinike

Durrës/ Pranga pronares së agjencisë së udhëtimit

06.01.2022 - 12:04

Falsifikimi i testeve të COVID dhe i pasaportave të vaksinimit është kthyer në një problem shqetësues në vendin tonë, në një kohë që sa vijnë dhe shtohen kategoritë që e kanë vaksinën me detyrim. Një tjetër rast është goditur sot në Durrës ku ka rënë në pranga Ariana Reçi 56 vjeçe pronare e një agjencisë së udhëtimi “Ariana Travel” në Durrës për falsifikim të testeve të Covid-19, në emër të një klinike në Tiranë.

“Finalizohet operacioni “Testet”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve. Vihet në pranga pronarja e një agjencie udhëtimi, për falsifikim të testeve të Covid-19, në emër të një klinike në Tiranë. Procedohen penalisht dhe dy shtetas të tjerë, të cilët u kapën në tentativë për të kaluar kufirin me teste të Covid-19, të falsifikuara nga pronarja e kompanisë. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, si dhe të monitorimit të zbatimit të masave anticovid, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë në rrugë operative, për një kompani udhëtimi që falsifikonte testet e Covid-19, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Testet”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasja A. R., 56 vjeçe, banuese në Durrës, pronare e një agjencie udhëtimi, e cila falsifikonte testet e Covid-19, në emër të një klinike në Tiranë”, thotë policia.

Gjithashtu, në kuadër të operacionit policor të koduar “Testet” u kapën dhe u proceduan 2 persona të cilët tentuan të kalonin kufirin për në Itali, me teste të falsifikuara nga pronarja e agjencisë së udhëtimit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore” dhe “Fshehja e të ardhurave”.