MENU
klinika

Analiza

Evropa do ketë sukses kundër Rusisë, vetëm kur…

12.01.2022 - 13:27

Nga Edward Lucas “Center for European Policy Analysis

Kërkesa e sikletshme për t’u marrë seriozisht nga të tjerët, e bën më të largët qëllimin që mund të kesh. Mjerisht kjo është diçka, të cilën vendimmarrësit evropianë nuk e kanë mësuar ende. Në një javë kur Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po diskutojnë mbi ardhmen e Evropës por pa evropianët në tryezë, mungesa e rëndësisë, pafuqia e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe e peshës së vendeve më të mëdha të kontinentit, është ekspozuar në mënyrën më të hidhur të mundshme.

Dhe ky mënjanim nuk po kalon pa u vënë re. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, deklaroi gjatë vizitës së fundit në Ukrainën Lindore javën e kaluar se “ne nuk jemi më në kohën e Konferencës së Jaltës”, një referencë e qartë ndaj marrëveshjes së vitit 1945 midis aleatëve perëndimorë dhe Bashkimit Sovjetik të Stalinit, që ravijëzoi edhe sferat e ndikimit në Evropë.

Është shumë herët të thuhet se ajo epokë e zymtë po kthehet sërish. Por është më se e qartë se i kujt është faji për impotencën aktuale që po shfaq Evropa:ai gjendet në kryeqytetet e Evropës. Nuk ishin Shtetet e Bashkuara, ato që i shndërruan aleatët e tyre evropianë në shpenzues fare modestë në fushën e mbrojtjes.

Ata e bënë këtë vetë sepse ishin të pangopur, dorështrënguar dhe naivë. Dhe sërish nuk ishin Shtetet e Bashkuara, ato që e bënë Evropën të forcojë varësinë e saj nga gazi natyror rus, duke ndërtuar dy gazsjellës të rinj që kalojnë përmes Detit Baltik. Këtë e bërë kryesisht vetë evropianët, dhe kryesisht gjermanët.

Ndërkohë nuk ishin Shtetet e Bashkuara, ato që e bënë Evropën të linte pas dore Ballkanin Perëndimor (që është tashmë një vatër e ndikimit rus dhe kinez), dhe vendet që etiketohen me një lloj ndjenje patronazhiste si “fqinjët tanë lindorë”.

Këtë e bënë udhëheqësit evropianë, sepse kishin frikë t’u thoshin të vërtetën votuesve të tyre:pra që këto vende nuk do të largohen gjëkundi, ato të jenë aty ku janë në jetë të jetëve, ndaj është shumë më mirë që t’i mbajmë afër, dhe t’i bëjmë të pasura si vetja.

Dhe nuk ishin Shtetet e Bashkuara, ato që e shtynë Evropën të dështonte rëndë përballe krizës së emigracionit, në reformën e premtuar ekonomike në eurozonë, në reagimin e saj të dobët ndaj pandemisë së Covid-19, në kohezionin e brendshëm social, apo mbi ndonjë nga ngjarjet e tjera që ia kanë paralizuar dhe shpërqendruar vendimmarrjen.

Dhe ju lutem kini parasysh diçka:Unë nuk po argumentoj se Shtetet e Bashkuara kanë bërë gjithçka mirë. Thjesht po them se fatkeqësitë e Evropës, janë pothuajse tërësisht të vetë-shkaktuara. Fatmirësisht, nuk është ende tepër vonë për ta riparuar këtë gjë.

Pika e parë nga duhet filluar kjo gjë duhet të jetë kundërpërgjigja ndaj ngacmimeve që po i bën Partisë Komuniste Kineze, Lituanisë, një vend anëtar i Bashkimit Evropian. Qeveria në Vilnius ka injoruar me guxim tabutë mbi aktivitetet diplomatike dhe të llojeve tjera, që autoritet në Pekin përpiqen t’i imponojnë pjesës tjetër të botës, duke forcuar lidhjet e saj me Tajvanin.

Përveç vendosjes së sanksioneve të drejtpërdrejta kundër Lituanisë, regjimi kinez po përpiqet gjithashtu të ushtrojë presion nëpërmjet vendeve të tjera evropiane. Çdo import evropian që përmban elementë lituanezë, rrezikon që të futet në listën e zezë të Pekinit.

Përgjigja e deritanishme e Evropës ndaj këtyre sulmeve, ka qenë e turpshme. Udhëheqësit e BE-së nuk e diskutuan fare këtë çështje në samitin e tyre më të fundit. Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, as që e përmendi as këtë sulm ndaj tregut të përbashkët evropian, në bisedën e tij të parë telefonike me presidentin kinez, Xi Jinping.

Është e vërtetë, që Ministrja e tij e Jashtme, Annalena Baerbock foli ashpër ndaj Kinës gjatë vizitës së saj të fundit në Uashington. Por industria gjermane po ecën me shpejtësi në drejtimin tjetër. Një përjashtim këtu bën Franca, deri më sot anëtarja gjeopolitikisht më ambicioze e BE-së, e cila mban aktualisht presidencën e radhës së unionit.

Parisi po promovon një kundërpërgjigje të fortë dhe të shpejtë ndaj presioneve ekonomike të Kinës. Ndaj veprimet që përputhen me këto fjalë do të jenë të mirëseardhura. Në rast se vendet dhe institucionet evropiane do t’i  përgjigjen me vendosmëri taktikave kineze të tipit “përça dhe sundo”, duke e kompensuar Lituaninë për çdo humbje ekonomike dhe duke vendosur kundër-sanksione ndaj kompanive eksportuese kineze, do të ndodhin dy gjëra.

E para do të jetë një nxitje e mirëpritur ndaj përpjekjeve për t’i rezistuar përpjekjeve kokëforta të Partisë Komuniste Kineze, që synojnë të diktojnë mënyrën se si funksionon sot

bota. E dyta do të jetë që evropianët do të duken realisht si një forcë serioze në politikën globale. Nëse ndodh kjo, vendimmarrësit në Uashington, Pekin, dhe Moskë, do të ndryshojnë pikëpamjet e tyre. Kjo është formula e duhur, që Evropa të jetë sërish e rëndësishme në arenën ndërkombëtare.