Nga: Aurenc Bebja*, Francë
“Tempo” ka botuar, me 2 dhjetor 1973, në faqen n°85, një shkrim për piktorin e shquar shqiptar Ibrahim Kodrën, që, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjell për publikun shqiptar:
Kodra, një jetë për të treguar
Kur Ibrahim Kodra mbërriti në Milano në vitin 1944 dhe organizoi atelienë e tij të parë, ai ishte 26 vjeç. Por tashmë një jetë për të treguar. Ashtu si ajo e përrallave me mbretër, mbretëresha, njerka, por edhe mundime, vuajtje, heqje dorë. Dhe si në të gjitha përrallat, një fund i lumtur. Sepse Kodra tani është një piktor i njohur.
I lindur në Shqipëri në vitin 1918, ai mbetet jetim. Njerka nuk e do. Ai largohet. Por tashmë ai fillon të pikturojë. Një portret i tij i shfaqur në një vitrinë vihet re nga një zyrtar i oborrit mbretëror, i cili flet për të me mbretëreshën. Ai shkon në oborrin mbretëror dhe ftohet të qëndrojë atje për të studiuar me nipin e mbretit Zog. Ndoqi një shkollë arti dhe fitoi një bursë për të studiuar në Itali. Fati i tij u vulos. Ai nuk do të lëvizë më nga Italia.
“Në Shqipëri jam shumë i dashur dhe i njohur – thotë Kodra. – Shpresoj të kthehem.”
Studioja e tij është e zhveshur dhe modeste. Atij i pëlqen të presë këdo që shfaqet në derën e tij. Të rinjtë janë mbledhur rreth këmbalecit dhe diskutojnë: është puna e tij e fundit që po përfundon për ekspozitat që do të mbajë pranverën e ardhshme në Milano.
Tani ai ka një ekspozitë në “Qendrën e arteve” në Saronno: të gjithë prodhimin (veprën) e tij më të fundit, 30 telajo që kanë si temë njeriun dhe lirinë. “Kodra është primitivi i një qytetërimi të ri”, shkruante Paul Eluard për të, në vitin 1947.
“Me pikturën time – thotë Kodra – përpiqem mbi të gjitha të realizoj masën (matjen) relative që ka të bëjë me perceptimin e njeriut në hapësirë, duke e vendosur, si në Rilindje, njeriun në qendër të Universit”.
Në fotografi: Kodra përfundon një “Homazh për Bertolt Brecht”.
***
Ibrahim Kodra lindi në 22 prill të vitit 1918 në Ishëm dhe u nda nga jeta më 7 shkurt të vitit 2006 në Milano, Itali. U largua nga Shqipëria më 1938 kur ishte vetëm 20 vjeç, ndërsa studionte në shkollën “Naim Frashëri” dhe pas përfitimit të një burse studimi që iu akordua nga Oborri Mbretëror i kohës, për të vazhduar studimet pranë “Akademisë së Arteve të Bukura të Romës në Itali”.
Piktori gjatë karrierës së tij, la rreth 6 mijë vepra të dokumentuara dhe përflitet të ketë edhe shumë të tjera të papërcaktuara si autorësi, për faktin se kanë qenë dhurata për individë dhe miq të artistit. Ndër to, vetëm 2 mijë janë të dokumentuara dhe të njohura për autorësinë dhe trashëgiminë intelektuale të Kodrës. Një pjesë e konsiderueshme e krijimeve ndodhen të shpërndara në muze private, ndërsa një pjesë tjetër i disponojnë koleksionistët e veprave të artit.
Gjatë periudhës që ishte në Itali, pikërisht në vitin 1948, ai krijon një marrëdhënie shumë të veçantë me piktorin e madh Pablo Pikaso, nga i cili edhe u ndikua dhe u frymëzua për shumë nga krijmet artistike.
Të dy së bashku, ata kryen edhe një studim dhe hulumtim të rëndësishëm artistik. Mediet dhe kritika e kohës e kanë quajtura ndryshe Kodrën, si “I fundit postkubist i Evropës”./Konica.al