MENU
klinika

Nga Dritan Hila

Ilir Metës i ka ardhur koha të mendojë për veten!

18.01.2022 - 12:23

Nuk mjafton Berisha por tashmë Lulzim Bashës i është sulur edhe Ilir Meta. Ky i fundit, megjithëse nuk shquhet për batuta dhe as elokuencë, do të mbahet mend për thënien “Luli të gënjen edhe për orën”. Ishte koha kur nuk qarkullonte ajër i mirë mes tyre.

Pastaj, siç e ka politika e vjetër, u pajtua prapë me Bashën, u grind, u pajtua dhe tani është rishtas i idhnuar.

Te Meta dhe kasta e vjetër e tranzicionit janë të njohura piruetat e pa princip, pa moral dhe pa ideologji që kanë bërë me njëri-tjetrin në 30 vjet. I kanë bërë aq shumë sa ia kanë shpifur shqiptarëve që kanë kuptuar se gjithë halli i tyre është si ndahet paraja e pushtetit.

Mirëpo në zhvillimet e fundit ka diçka që i ka djegur Metës. Dhe kjo ka lidhje me ndryshimin me 180 gradë të Bashës që i vuri vulën në 8 janar.

Në këtë datë shqiptarët panë që Lulzim Basha nuk është më kukulla e Berishës, përkundrazi, nuk e lëshoi godinën; nuk u tërhoq dhe turpëroi Sali Berishën dhe ndjekësit e tij duke i detyruar të iknin me bisht në shalë nga oborri i PD. Akuzat pse përdori dhunë apo pse blindoi dyert, janë të kuptueshme nga ata që u turpëruan. Sikurse ishte normale që një parti që sulmohet në selinë e saj do të mbrohet.

Madje do të ishte e udhës që nga fillimi i sulmit mbi godinë të thërritej policia, siç do të kishte bërë çdo shtëpi që i hyn dikush me zor, lëre pastaj institucion. Mbase Saliu dhe Iliri donin edhe ndonjë viktimë, por kjo nuk iu dha. Tani ata e kanë inatin me Bashën dhe po përpiqen që ta bëjnë qesharak. Një dorë në këtë fushë po ia u jep edhe Rama.

Por duan apo jo, në 8 janar ne pamë lindjen e një politikani si Basha dhe rrënimin e një tjetri si Berisha. Në 4 orë Basha bëri atë që nuk e kishte bërë asnjë paraardhës në politikën shqiptare: e nxori për leckash Berishën nga oborri i PD dhe politika; nuk lëshoi institucionin duke ndenjur vetë brenda tij, ndryshe nga këta që tallen me të dhe trimërinë e kanë treguar vetëm kur kanë pasur nën urdhra dy batalione me policë. E bëri me ndihmën e amerikanëve? Mbase! Por edhe Berisha aq i fryrë me ndihmën e amerikanëve u bë dhe i mbrojturi i tyre ka qenë edhe kur ka bërë zullume dhe në polici ka harruar emrin e babës.

Edhe Ilir Meta ka qenë dhe ka bërë si i fortë kur ka pasur pushtetin dhe nën fustanin e PS apo pantallonat e Berishës.

Talljet duke përmendur humbjet e Bashës nuk shkojnë, pasi Basha vërtet mund të jetë një humbës por deri tani humbjet në masën më të madhe kanë ardhur për shkak të Berishës dhe në zgjedhjet e fundit një dorë ia dha edhe Meta me sjelljet e çekuilibruara zyrave e fushave duke shtyrë si halabak policët bashkiakë apo kërkuar bombardimin nga amerikanët në Malin me Gropa. Se çfarë stofe ka Basha, do ta shohim tani e mbrapa.

Ndaj Meta le ta lërë fushën e humorit se nuk i shkon. Le të mendojë se çfarë do bëjë pas ikjes nga presidenca. Kambanat bien edhe për të.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"PD do të rrijë gatitu para plakut Berisha"

Dritan Hila: E premtja do të jetë e zezë vetëm për opozitën