MENU
klinika

Ati i Kombit

Ismail Qemali i Shqipërisë…

16.01.2022 - 12:38

        …Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.

Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.

Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri!

Rroftë Shqipërija!

Me këto fjalë, do të mbyllej fjalimi historik në një ditë historike e atit të kombit, Ismail Qemalit, më 28 Nëntor të vitit 1912: kur Shqipëria u shpall e pavarur, duke hapur një faqe e re në historinë e një populli të vogël e në shekuj të shtypur.

Shqipëria kishte formuar shtetin e saj, falë vullnetit e largpamësisë së Plakut të Vlorës.

Më 16 janar 1844, në Vlorë lindi Ismail Qemal bej Vlora, diplomati shqiptar, politikani, rilindasi, burrë shteti dhe ati themelues i Shqipërisë moderne. Autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë, i cili më pas shërbeu si Kryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, gjatë periudhës 1912-1914.

Pasi kreu shkollën fillore në vendlindje, vijoi studimet në shkollën plotore turke në Selanik, ku ishte internuar familja e tij dhe më pas kreu gjimnazin “Zosimea” në Janinë.

Në vitin 1860 punoi si përkthyes pranë zyrës së përkthimit të Portës së Lartë. Nga vitet 1862-1864 shërbeu në administratën vendore në Janinë e më pas u transferua në Tërhallë (Thesali) e përsëri në Stamboll.

Ai mori pjesë, së bashku me Jani Vreton, Hoxhë Tahsinin, Kostandin Kristoforidhin, Pashko Vasën e Sami Frashërin, në mbjedhjen e parë për caktimin e alfabetit të shqipes dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Ismail Qemali pati në vijim një varg detyrash të larta në administratën turke si: kryesekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Stamboll, mytesarif i Varnës (Bullgari), guvernator i Danubit të Poshtëm (Tulxhë-Bullgari) etj.

Më 1877 Porta e Lartë e akuzoi si kundërshtar të politikës së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe përkrahës të pikëpamjeve liberale të Mithat Pashës (funskionar i lartë i Perandorisë, reformator, opozitar).

Me këto akuza Porta e Lartë e dënoi me 7 vjet internim në qytetet Kytahja, Eskishehir dhe Bursa në Anadoll. U lirua më 1884 dhe u emërua si mytesarif i sanxhakut të Galiopolit dhe guvernator i Vilajejtit të Tripolit Libi.

Më 1900 për t’u shpëtuar ndjekjeve të sulltanit, u arratis nga Turqia dhe i dorëzoi dorëheqjen sulltanit, duke e motivuar largimin e tij nga Stambolli, se në këtë mënyrë do t’i shprehte më mire idetë e tij dhe do t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes shqiptare.

Ismail Qemali qëndroi në vende të ndryshme të Europës ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. U aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare, mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare.

Qemali zhvilloi gjithashtu veprimtari të ngjeshur politike në Europë për njohjen e kombit dhe të të drejtave të tij. Ai shpejt do të shpallte në shtypin e kohës, vendas dhe të huaj, platformën e tij politike për autonominë e plotë të Shqipërisë ndaj Perandorisë.

Së bashku me Luigj Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi Memorandiumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit 1912. Më 19 nëntor 1912 njoftoi bashkëatdhetarët se do të mblidhej në Shqipëri një Kuvend Kombëtar.

Në këtë kuvend, që u mblodh nën kryesinë e tij më 28 nëntor 1912 lexoi deklaratën e shpalljes së Pavarësisë të Shqipërisë dhe ngriti flamurin kombëtar. Pas kësaj u caktua kryetar i Qeverisë së Përkohshme dhe minister i Punëve të Jashtme.

Në politikën e tij të jashtme Ismail Qemali u bë i papajtueshëm ndaj çdo cënimi të pavarësisë e të sovranitetit kombëtar. Pavarësisht kushteve të vështira të brendshme e të jashtme, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali mori një varg masash për organizimin dhe ndërtimin e shtetit të pavarur. Në të gjitha këto veprimtari Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës, mbrojti me vendosmëri shtetin e pavarur shqiptar.

 

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit