MENU
klinika

"Eksperienca që më dha jeta, më bëri kjo që jam sot"

Karriera dhe jeta profesionale e Valbona Halilit

16.01.2022 - 13:25

Si nxënëse në shkollen fillore “Dëshmorët e lirisë” në Tiranë, ka filluar t’i bjerë violinës. Talentin për këndim ia ka zbuluar mësuesja e saj, e cila e ka këshilluar që ajo të studiojë për kanto.

Që atëherë e sot e kësaj dite, Valbona Halili vazhdon të na sjellë këngë e projekte të bukura. Një karrierë pa skandale, por e ndërtuar mirë mbi artin e mirëfilltë. Vjen në një bisedë për gazetën “Panorama”, ku sjell detaje mbi projektin e fundit.

Fundviti të gjeti me një super dhuratë për publikun tënd. Si erdhi “Jarëm jarëm”?

Të jem e sinqertë, ka qenë një kohë e vështirë për ne të gjithë, sidomos për artistët. Unë gjatë kësaj kohe humba dhe një njeri të shtrenjtë, babain tim. Amaneti i tij ishte të mos ndaloja së kënduari, por dhimbja e prindit është therëse, prandaj dhe përjetimi ishte i rëndë. Risollëm këtë këngë si një dhuratë për publikun dhe një gjetje nga kompozitori Edi Balili, i zërit të ri Endri Mallkuqi, me të cilin ndaj këtë projekt.

Cilët janë bashkëpunëtorët e tjerë që kompletuan këtë projekt?

Këtë projekt e kam shumë për zemër, sepse shënon nisjen e një epoke të re në jeten time profesionale (pas pandemisë dhe humbjes së babait). “Jarëm jarëm” është dhurata e fundvitit për të gjithë miqtë, ndjekësit dhe dashamirësit e muzikës time.

Në këtë klip vjen ndryshe nga sa ishim mësuar të të shihnim. Është si rezultat i ndryshimeve brenda teje apo në funksion të asaj që do publiku?

Klipi është i thjeshtë, them se e thjeshta është gjithmonë në modë, plot ngjyra dhe gjallëri, normalisht në funksion të të dyjave, me çfarë ndihem unë mirë dhe çfarë publiku pëlqen, pra, si të thuash, i kemi miksuar.

A ishte ky bashkëpunimi që publiku nuk e priste nga ty?

Ndoshta, por ndoshta gjërat e papritura janë më të mirat.

Cilët janë sipas teje parametrat premtues për t’u bërë e njohur në një vend si Shqipëria?

Nuk dua ta them me zë të lartë.

Të bezdis fakti që shumë këngëtare janë bërë të tillë edhe pa qenë profesionistë?

Eh, të them jo do gënjej, kështu që besoj se jam e kuptueshme.

Mendon se kompromiset janë më shumë faktorë humbës apo fitues në jetë?

Janë të barabartë në peshore mendoj.

Je më e interesuar të kesh një jetë profesionale apo personale të realizuar?

Pse jo të dyja?! Nuk do ishte keq.

Cilat kanë qenë dëshirat e tua kur ke qenë e vogël?

Të bëhem një artiste e kompletuar në të gjitha detajet e mëdha dhe të vogla. E kam dashur muzikën që bëj dhe do ta dua deri kur të bëhem me proteza.

Cila është dhurata më e bukur që ke marrë në jetë?

Zoti më ka dhuruar zërin dhe Deanin, atë që unë parapëlqej ta quaj kryevepër. Jeta më ka dhuruar eksperiencën profesionale dhe më ka bërë kjo që jam sot.