MENU
klinika

REL: Të vështirë për t'i ndalur

Kërcënimi që vjen nga dronët e Iranit

20.01.2022 - 09:06

Tenda të djegura, motoçikletë e djegur dhe një automjet i bardhë i dëmtuar. Kjo ka qenë situata pas një sulmi të raportuar me dron, që është kryer nga trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, në juglindje të shtetit.

Sulmi i 28 dhjetorit në Provincën Kerman duket se shënon herën e parë që forcat elite të ushtrisë së Iranit, kanë përdorur dronë për të shënjestruar kërcënimet për sigurinë brenda shtetit.

Garda Revolucionare e Iranit ka thënë se në operacionin “preciz” është vrarë një “bandit” i njohur dhe dy bashkëpunëtorë të tij që kanë nxitur trazira në këtë shtet, duke përfshirë edhe vrasjen e dy anëtarëve të Gardës Revolucionare Islamike disa ditë më parë.

Provinca afër Kermanit është Sistan-Baluçistan, një provincë e dhunshme afër kufirit me Pakistanin dhe Afganistanin, ku veprojnë kontrabandistë të drogës, separatistë dhe grupe militante.

Popullsia e provincës është kryesisht me baluçë etnikë.

Sipas burimeve baluçe, droni ka lënë të vdekur të paktën katër luftëtarë baluçë, në kohën sa ata kanë qenë në gjumë.

Sulmi ka qenë si shenjë e zgjerimit të kapaciteteve të Iranit sa u përket dronëve, të cilët Teherani është duke i pozicionuar edhe përtej kufijve.

Irani ka furnizuar rrjetet e tij me mjete ajrore pa pilotë, në Lindje të Mesme dhe i ka shfrytëzuar ato gjatë misioneve të sulmit apo sabotazhit në rajon, kanë thënë analistët.

Të lirë por të efektshëm

Analistët kanë thënë se ndonëse programi iranian i dronëve nuk është shumë i sofistikuar, ende përbën kërcënim të konsiderueshëm në rajon, ku ka pasur rritje të sulmeve me dronë nga aktorë të lidhur me Teheranin.

“Duhet t’i shihni ata si dronë të tipit Toyota Corolla”, ka thënë Aaron Stein, drejtor në Institutin Kërkimor të Politikave, me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Ai me këtë deklaratë u është referuar makinave të kompanisë japoneze, Toyota.

“Ato (makinat) gjenden kudo dhe janë mjaftueshëm të mira për transport, mirëpo nuk duken të shtrenjta dhe me drita”, ka thënë Stein për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se shumë dronë iranianë besohet se janë krijuar nga pjesë të ndryshme reklamimi.

Ai ka shtuar se dronët iranianë përbëjnë kërcënim për forcat amerikane që gjenden në rajon, duke përfshirë ata në Irakun fqinj, ku instalimet e ushtrisë amerikane janë shënjestruar nga milici pro-iraniane.

“Përhapja e pajisjeve UAV të Iranit nëpër rajon kërcënon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar”, ka thënë Nënsekretari amerikan i Thesarit, Wally Adeyemo në muajin tetor, teksa ka bërë të ditura sanksionet kundër dy zyrtarëve të Gardës Revolucionare, dy individëve tjerë dhe dy kompanive, për të cilat Uashingtoni beson se kanë ofruar mbështetje kritike ndaj programit të dronëve në Iran.

“Irani dhe militantët e rrjetit kanë përdorur pajisje të llojit UAV për të sulmuar forcat amerikane, partnerët tanë dhe dërgesat ndërkombëtare”, ka thënë Adeyemo.

Jeremy Binnie, analist i mbrojtjes në Institutin Janes, ka thënë se dronët iranianë i kanë bërë të paparashikueshëm grupet iraniane në Irak, Siri dhe Jemen.

“Dronët UAV me rreze të gjatë veprimi mund të programohen në rrugë jo të drejtpërdrejta, në mënyrë që të shënjestrojnë caqet në drejtime të papritura”, ka thënë Binnie për Radion Evropa e Lirë.

“Armë të tilla vështirë ndalohen, pjesërisht për shkak të sistemeve për mbrojtje, të cilat janë zhvilluar për të identifikuar kërcënime shumë të shpejta në radar, si dhe për faktin se sisteme tjera për mbrojtje që vërejnë kërcënimet tjera, janë me rreze të vogla”.

Binnie ka thënë se dronë “relativisht jo të sofistikuar”, u kanë mundësuar rrjeteve pro-iraniane që të “kryejnë sulme të shkallës së ulët ndaj kundërshtarëve, siç i shohim rregullisht në Irak dhe Jemen”, ku janë përdorur nga rebelët Huthi.

Dronë të vështirë për t’i ndalur

Analistët kanë thënë se dronët i kanë mundësuar Teheranit që të mohojë veprimet e veta edhe kur kryen operacione të fshehta në rajon.

Më 2019, një sulm me dron në objektet e naftës në Arabinë Saudite ka ndalur më shumë se gjysmën e prodhimit ditor të këtij shteti. Rebelët Huthi, të lidhur me Iranin, kanë marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa zyrtarët amerikanë kanë fajësuar Iranin.

Në nëntor të vitit 2020, një dron ka shpërthyer afër derës kryesore të rezidencës së kryeministrit irakian, Mustafa al-Kadhimi, në Bagdad, duke lënë të plagosur zyrtarët e sigurisë.

Disa zyrtarë kanë drejtuar gishtin te milicitë e përkrahura nga Irani për këtë sulm, ndonëse në disa raportimet është sugjeruar se Teherani nuk ka dhënë urdhër për sulme.

Në muajt e fundit, është raportuar se dronët e prodhuar nga Irani, Mohajer-6 janë parë në Etiopi, në kohën kur ky vend është përballur me luftë civile.

Në muajin gusht, Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Izraeli kanë akuzuar Iranin se ka kryer një sulm me dron kundër një cisterne të naftës në Detin e Arabisë, duke lënë të vdekur dy persona.

Në muajin shtator, Garda Revolucionare e Iranit ka thënë se ka përdorur dronë për të shënjestruar grupet e armatosura në rajonin Kurdistan të Iranit.

Më 17 janar, rebelët Huthi kanë marrë përgjegjësinë për një sulm që ka shënjestruar një zonë të naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke thënë se kanë përdorur raketa dhe dronë.

Sulmi ka lënë të vdekur tre persona dhe ka nxitur zjarr afër aeroportit të kryeqytetit, Abu Dabi.

Irani është kritikuar ashpër më pas për furnizim të rebelëve Huthi me armë.

“Sa i përket asaj se kush është përgjegjës për këtë vit, mendoj se ne duhet të besojmë fjalën e rebelëve Huthi” ka thënë Dave Des Roched, hulumtues i lartë në Forumin Ndërkombëtar të Gjirit, organizatë me bazë në Uashington.

“Pyetje e vetme është se sa për qind e sulmit është e rebelëve Huthi dhe sa për qind e rebelëve huthi bashkë me Iranin”.

Binnie ka thënë se Irani, i cili përballet me sanksione të Shteteve të Bashkuara për shkak të programit bërthamor, ka zhvilluar dronë “në mënyrën që kanë kushtuar më së liri” për të kompensuar mungesën e forcës moderne ajrore.

“Ushtria iraniane, sidomos Garda Revolucionare, kanë investuar shumë në zhvillimin e llojeve të dronëve UAV”, ka thënë ai.

Aty përfshihen “platforma për vëzhgim dhe sulm, sikurse Shahed-129, të ashtuquajturit dronë ‘vetëvrasës’ që ngadalësojnë raketat dhe dronët për të depërtuar në hapësirat e mbrojtura ajrore”, ka thënë Binnie.

Forcimi i arsenalit të dronëve të Teheranit daton nga lufta mes Iranit dhe Irakut më 1980-88, kur forcat iraniane kanë lëshuar dronë për qëllim zbulimi.

Më 2021, Irani ka pretenduar se ka kthyer mbrapsht një dron të avancuar amerikan.

Mediat shtetërore kanë thënë se ato veprime kanë çuar në zhvillimin e dronëve të rinj, edhe më të luftarakë.

Komandanti i forcave ajrore në Gardën Revolucionare të Iranit, Amir Ali Hajizadeh, ka thënë vitin e kaluar se vendimi për të rritur arsenalin e dronëve ka ardhur pas takimit të mbajtur “tre apo katër vjet më parë” me liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Hajizadeh, ka thënë se Khamenei ka lavdëruar programin e dronëve, ndonëse ka thënë se sasia është e vogël.

“Si rezultat, të gjithë jemi mobilizuar për të rritur numrin e pajisjeve UAV”, është cituar të ketë thënë Hajizadeh, sipas agjencisë së lajmeve Fars.

Në periudhën e fundit, Irani është kthyer në prodhues të konsiderueshëm të dronëve dhe nëpër paradat ushtarake shfaq pajisjet e tij për mbikëqyrje, sulm, dhe dronë të armatosur./REL