MENU
klinika

Pas ngjarjeve të fundit

Kreu i FFK-së takon Dukën, Sejdini mesazh solidarizues

28.01.2022 - 22:57

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka pritur në takim një delegacion të drejtuesve të Federatës së Futbollit të Kosovës i drejtuar nga Presidenti Agim Ademi, të cilët u solidarizuan me kreun e qeverisë së futbollit shqiptar pas shpërthimit që ndodhi në shtëpinë e tij të hënën e kaluar.

Gjatë takimit Presidenti Ademi dhe zyrtarët e FFK-së kanë shprehur mbështetjen e tyre për FSHF-në dhe kanë vlerësuar progresin e bërë nga ky institucion në drejtimin e Armand Dukës, teksa kanë bërë thirrje që politika të mos ndërhyjë në punët e futbollit.

“Kërkojmë nga të gjitha organet jashtë sportit dhe njerëzit të cilët nuk kanë të bëjnë me futbollin që të tërhiqen nga kjo pjesë e ndërhyrjes direkte politike. Kjo është e pasens dhe e papranueshme për faktin se futbolli është plotësisht i pavarur.

Duke pasur parasysh se është bërë një punë e mirë në vazhdimësi, atëherë është e nevojshme që t’i lëmë të qetë njerëzit që janë pjesë e futbollit dhe që merren me këtë profesion që të veprojnë në vullnetin e tyre.

Si komunitet i futbollit në Kosovë dhe Shqipëri, por jo vetëm, duhet të jemi krenar që për herë të parë e kemi një njeri në krye të futbollit i cili e ka dërguar Shqipërinë në Evropian dhe ka bërë të gjitha këto investime, siç është Shtëpia e Futbollit, e cila është model për të gjithë rajonin, pastaj fushat stërvitore dhe stadiumet nëpër qytetet anembanë Shqipërisë, e të cilat janë bërë është pasqyra më e mirë e punës së tij”, – tha Ademi, duke theksuar se për herë të parë shqiptarët e kanë një përfaqësues në qeverinë e futbollit evropian dhe natyrisht me këtë rast nuk është sulmuar vetëm FSHF-ja, por edhe UEFA, sepse Duka është anëtar i KE-së së UEFA-s.

“Ne besojmë shumë në demokraci dhe njerëzit e futbollit në Shqipëri e kanë parë dhe e kanë prekur punën dhe rezultatet e Armand Dukës në krye të FSHF-së.

Na vjen keq që po shohim që sporti po ndikohet nga politika dhe nuk po lihet që sporti të jetë i lirë. Kërkojmë liri dhe demokraci më të madhe dhe kërkojmë nga të gjithë delegatët dhe njerëzit e futbollit në Shqipëri që të veprojnë sipas arsyes dhe sipas bindjes dhe vullnetit të tyre dhe jo në bazë të ndikimeve”, – tha Presidenti i FFK-së, Ademi, ndërsa bëri edhe një thirrje të fundit për të gjithë:

“U lutemi të gjithëve që të mos vijmë deri te përjashtimi i futbollit shqiptar nga UEFA, edhe pse faktikisht na është bërë një damkë e zezë në këtë rast, por kërkojmë që të veprohet arsyeshëm që të mos ndodhë deri te më e keqja për futbollin shqiptar. Shteti duhet të jetë krah i futbollit siç e bënë në Kosovë Qeveria jonë, e jo të jetë pengesë për sportin”.

Me presidentin e FSHF-së, Duka është solidarizuar edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, i cili u shpreh se shpërthimi në shtëpinë e Dukës ishte një akt i shëmtuar.

“Nuk dua të mendoj me konspiracion për një lidhje ndërmjet aksioneve të fundit të njerëzve të politikës dhe shpërthimit me tritol para shtëpisë së presidentit të FSHF-së, por nuk qëndroj dot indiferent ndaj një veprimi të tillë të shëmtuar.

Në fakt u sulmua Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-së, njeriu që mes tjerash bëri që Tirana këtë vit të paktën për një ditë të jetë qendra e futbollit europian me pritjen e finales së Conference League. Impaktit që kjo ndeshje do t’i jep Tiranës dhe Shqipërisë, sigurisht nuk i bëjnë nder aktet si ky i mbrëmshmi.

E mira e vetme e gjithë këtij akti të shëmtuar është se gjithçka kaloi pa lëndime e as që dua ta mendoj, larg qoftë të kishte viktima në njerëz. Por dëmi gjithsesi se është i madh, posaçërisht nëse llogarisim me syrin e çdo qytetari jashtë Shqipërisë e që në aktin e mbrëmshëm shikojnë sulm ndaj futbollit shqiptar”, tha Sejdini në reagimin e tij pas ngjarjes.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Eduard Prodani liston shkeljet

Kandidati për SHRF Tiranë i shkruan FIFA-s